Kuvend, Xhafa: Ndëshkime për mosefektivitetin e doganave e tatimeve

457
TIRANE – Kryetari i komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafa nga foltorja e Kuvendit kërkon ndëshkimin e drejtusve te administratës tatimore e doganore. Xhafa argumentoi se dështimi i këtyre institucioneve në mbledhjen e taksave, nuk mund të rregullohet vetëm me ndryshimet në Kodin Penal.
“Fakti që sot administrata tatimore dhe doganore nuk është efektive në mbledhjen e taksave, tatimeve dhe detyrimeve doganore, nuk do të thotë asesi që ato të bëhen efektive duke ndryshuar masivisht apo qoftë edhe një dispozitë të vetme të Kodit Penal. Situata është krijuar sot në këtë sistem dhe nevoja për ndryshimin e saj mund t ë ketë të nevojshme edhe ndryshime në Kodin Penal përfshirë dhe rritjen e masës së ndëshkimit penal, dhe me këtë bie shumë dakord. Por para së gjithash, në vlerësimin tim gjithmonë, ajo ka të domosdoshme ndëshkimin e abuzimit dhe paaftësinë e punonjësve këtij sistemi që ka qenë dhe mbetet bashkëfajtore në shkelje të dispozitave ligjore. Të ndryshosh Kodin Penal dhe të ndëshkojmë edhe më fortë shkelësit e ligjit penal, por të ndëshkojmë po aq ashpër edhe ata që menaxhojnë këtë sistem dhe që në rastin më të mirë me paaftësinë e tyre kanë lejuar një situatë të tillë abuzive. Sa herë që një ligj shkelet shoqëria është fajtore dhe jo shkelësi i ligjit. Shkelësi i parë i ligjit dhe më i rrezikshmi për shoqërinë është ai që ka për detyrë kontrollin e zbatimit të ligjit”, – u shpreh kreu i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafa.
Duke u ndalur te Kodi Penal Xhafa tha se ndërhyrjet masive në të duhet të jenë të mirëmenduara pasi nga viti 1995 e deri më tani ndryshimet vetëm se kanë krijuar amulli në Kod.
“Ndryshimet sot në kodin penal janë të tilla që sjellin ndryshime të rëndësishme në rreth 25 nene të kodit penal. Personalisht mendoj se ndërhyrje të tilla kaq masive dhe për më tepër kaq shpesh në një korpus normash të së drejtës penale sikurse është kodi penal duhet të jenë shumë më të kujdesshme dhe të mbështetura mbi një analizë më efektive, mbi shkaqet që diktojnë nevojën për të rregulluar pasojën si dhe pjesë e një procesi të gjerë konsultimi e një debati shoqëror dhe profesional. Nga viti 1995 e deri sot Kodi penal shqiptar është përballur me një numër të madh ndryshimesh dhe shtesash. Ndërhyrjet e shumta që i janë bërë dhe i po bëhen Kodit Penal, vlerësohen se kanë prekur mbi 70 % të dispozitave të këtij kodi, gjë që ka shkaktuar cenim të strukturës së tij dhe të balancës së dënueshmërisë së veprave penale të parashikuara prej tij duke shtuar paragrafë mbi nënparagrafë të cilat kanë shkaktuar amulli dhe ndërprerje të vijës logjike midis shumë neneve të këtij kodi. Kjo dukuri nuk është pozitive dhe ka nevojë për reflektim. Duhet të bëjmë kujdes të madh që mos të bëjmë ligje të panevojshme që në fakt do na çojnë në dobësimin e ligjeve të nevojshme”, tha Xhafa.
Sigal

Majko: Qeveria po godet kontrabanden, jo qytetaret

Mbi ndërhyrjet në Kodin Penal foli edhe deputeti Pandeli Majko i cili tha se qeveria po godet kontrabandistët dhe jo biznesin e vogël.
“Por ama ka një kontradiktë shumë të rëndësishme që ju bërtisni, mbani konferenca shtypi nga mëngjesi deri në darkë duke thënë që mazhoranca po bën kontrabandë, kontrabandë, kontrabandë ama kur vihet këtu sot për të dënuar më ashpër dhe kriminalizuar kontrabandën thoni që jo, nuk po goditët kontrabanda por po goditet qytetari, po goditet biznesi e kështu me radhë. Tani o kështu o ashtu, në mes nuk ka. O është shtatzënë o nuk është shtatzënë, pak shtatzënë nuk ka. Edhe në kohën tuaj edhe në kohën tonë kontrabanda ka bërë namin. Kontrabandën nuk e ka bërë ai i vogli e ka bërë ai i madhi dhe ne në këto nene që po ndryshojmë sot po ndryshojmë nenet që godasin godasim atë të madhin jo të voglin”, – u shpreh Majko.