Kuvend, vezët e PD-së nuk kapin kryeministrin, por ministren Felaj

585
Pavarësisht kontrollit të imtësishëm në hyrje të Kuvendit, deputetët e PD-së kanë mundur të fusin vezë në seancën plenare dhe kanë qëlluar në drejtim të kryeministrit Rama. Gazetarët tanë bëjnë të ditur se vezët nuk e kanë prekur kryeministrin, por kanë rënë mbi ministren Ermonela Felaj. Seanca e sotme parlamentare ka qenë e tensionuar, pasi opozita bllokoi foltoren dhe qëlloi me vezë në drejtim të karriges së kryeministrit. Partia Demokratike shprehet e vendosur për të bllokuar seancat parlamentare duke filluar nga sot, nëse Kuvendi nuk voton ligjin për dekriminalizmin. PD i ka vendosur disa kushte Kuvendit, në mënyrë që sipas tyre të ketë një funksionim normal të jetës në vend, në të kundërt nuk do të lejohet nga ata zhvillimi i seancave. Dyshimet për përgatitjen e një skenari të ngjashëm me atë në Kosovë, ku punimet e Kuvendit janë bllokuar me gaz lotsjellës, Garda e Republikës kontrolloi imtësisht të gjithë deputetët, përpara nisjes së seancës plenare. Deputetëve iu skanuan çantat dhe palltot, për të shmangur futjen e sendeve që mund të pengojnë punimet e kuvendit. Mësohet se gjatë skanimit, deputetëve demokrate Eleina Qirici, Liljana Elmazi dhe Bedri Hoxha iu gjetën vezë në çantë. Por deputetja Elmazi e ka përgënjeshtruar lajmin, duke thënë se në çantën e saj nuk u gjet asgjë.
VOTOHEN DEKRETET E NISHANIT
Në përfundim të seancës janë votuar dekretet e presidentit Bujar Nishani për shkarkimet dhe emërimet e ministrave. Me 76 vota pro është shkarkuar Arben Ahmetaj nga Ministria e Ekonomisë. Po kështu me 74 vota pro është shkarkuar Shkëlqim Cani nga Ministria e Financave. Ndërsa me 77 vota pro është emëruar Ahmetaj tek Ministria e Financave. Po kështu me 76 vota pro është emëruar Milva Ekonomi tek Ministria e Ekonomisë.
LILJANA ELMAZI: NË PORTOFOLIN TIM NUK KISHTE VEZË
Deputetja Eljana Elmazi ka mohuar faktin se i janë gjetur të fshehura vezë në çantë gjatë kontrolleve për të hyrë në ambientet e Kuvendit. Duke folur për mediat, deputetja Elmazi ka përgënjeshtruar këtë gjë, duke u shprehur se jo vetëm ajo, “asnjë deputet nuk ka pasur vezë”. “Në portofolin tim nuk kishte vezë. Mora filmimet e Gardës së Republikës. Nuk vij nga rruga kam 20 vjet jetë akademike. Asnjë deputet nuk ka pasur vezë”, tha deputetja Elmazi.
KONFERENCA E KRYETARËVE NUK PRANON ASNJË NGA INICIATIVAT LIGJORE TË PD-SË
Përpara nisjes së seancës plenare, Konferenca e Kryetarëve nuk ka pranuar asnjë nga iniciativat ligjore të Partisë Demokratike. PD depozitoi në Kuvend dy iniciativa ligjore për dekriminalizimin dhe komisionet hetimore parlamentare. Propozimi për dekriminalizimin parashikon përjashtimin nga politika për funksionarët dhe të zgjedhurit kur ata arrestohen në kushtet e flagrancës të krimit kundër jetës dhe shëndetit. Propozimi tjetër pamundëson bllokimin nga mazhoranca të punës së komisioneve hetimore përmes mospranisë së anëtarëve të mazhorancës, siç ka ndodhur deri tani në rastet e Komisionit Hetimor për Serverin e Tatimeve dhe Komisionit Hetimor për Emërimet në Administratën Publike.
KUVENDI VOTON SOT DEKRETET E MINISTRAVE, PRITET DISKUTIM EDHE PËR DEKRIMINALIZIMIN
Katër dekretet e Presidentit të Republikës për shkarkim dhe emërim ministrash do të votohen në Kuvend në seancën e ditës së enjte. Rendi i ditës parashikon votimin e dy dekreteve të shkarkimit të ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe të ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, si dhe dy dekreteve të emërimit të këtij të fundit në krye të Financave dhe të Milva Ekonomit (ish-zv/ministre e Shëndetësisë) në postin e ministrit të Ekonomisë. Ndërkohë që jashtë rendit të ditës debati sundues pritet të jetë cështja e dekriminalizimit, për të cilin opozita ka kërkuar miratimin ne seancen e sotme të akteve nënligjore, qe do t’i hapnin rrugën zbatimit të shpejtë të kësaj pakete.
Rikthimi dy dite me pare ne parlament i deputetit Armando Prenga, i përfshire pak muaj më parë në një konflikt të armatosur ne Lagunen e Patokut, ku mbetën të plagosur disa persona, shkaktoi reagimin e ashpër të opozitës, e cila e kushtëzoi prezencen e saj në parlament me largimin e tij. Madje, nisur nga ky rast, Partia Demokratike depozitoi ne parlament një nismë ligjore për ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit, që parashikon përjashtimin nga politika të funksionarëve dhe të te zgjedhurve kur ata arrestohen në kushtet e flagrancës së krimit, kundër jetës dhe shëndetit.
Ndaj këtij qëndrimi të PD-së reagoi vetë deputeti Prenga, i cili të mërkurën në mbrëmje bëri të ditur vendimin e tij për t’u tërhequr nga jeta parlamentare, deri në marrjen e një vendimi gjyqësor për cështjen ku ai është i përfshire. Përmes nje letre drejtuar Kuvendit, Prenga njofton tërheqjen e tij. “Duke marrë shkas nga deklarimet e përfaqësuesve të Partisë Demokratike, dëshiroj t’ju bëj me dije vendimin tim për t’u vetëpezulluar nga aktiviteti i Parlamentit të Shqipërisë, deri në marrjen e një vendimi gjyqësor për çështjen ku jam i përfshirë”, thuhet mes te tjerash ne leter.
Sigal