Kuvend, Spaho: Klasa politike ka gabuar me politikat e turizmit

498
Në seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, projektligji për turizmin pritet të përplasë sot ashpër në Kuvend mazhorancën dhe opozitën. Partia Demokratike ka paralajmëruar votën e saj kundër nismës së qeverisë, me argumentin se vjen në shkelje të procedurës parlamentare dhe duhet të reflektojë vërejtjet e mbërritura për draftin. Deputeti i Partisë Demokratike Edmond Spaho në fjalën e tij tha se klasa politike ka gabuar me politikat e turizmit. Sipas deputetit Spaho, ligji nuk garanton zhvillim të qëndrueshëm në fushën e turizmit. “Turizmi është parë si një lopë për t’u mjelë”, tha Spaho. Ndërsa foli për uljen e numrit të vizitorëve nga Kosova me marrjen e liberalizimit të vizave. 
“Klasa politike ka gabuar me politikat e turizmit. Turizmi është parë si një lopë për t’u mjelë. Nuk ka nevojë të shpikim në fushën e turizmit, por le të zbatojmë modelet e suksesshme. Kemi vetëm një fshat turistik në Kavajë të ndërtuar në vitin 1994. Qëllimi i çdo ligji për turizmi duhet të jetë zhvillimi i kësaj pasurie në interesin tonë. A e siguron këtë projektligji? Mendoj që jo. Asnjë ligj i miratuar nuk ka qenë mbi nivelin e miratuar në vitin 1993. Ligji përpiqet t’i bëjë të gjitha por nuk zgjidh asnjë prej problemeve. Nuk u jep garanci investitorëve të huaj. 
Ligjet nuk kanë garantuar dot zhvillim të turizmit dhe pavarësisht se flitet për 4 milionë turistë në vit, po të zbresësh emigrantët dhe kosovarët, turistë të huaj mbeten pak. Ditën që Kosova do të marrë liberalizimin e vizave, turizmi do të njohë tkurrje të ndjeshme. Problem kryesore i turizmit nuk është si t’ia japim ishullin Sazanit privatit, apo Kalanë e Gjirokastrës, por problemi është që të mos lejohet që pasuritë kombëtare të mos shkatërrohen. Propozoj të mos miratohet ligji dhe të shikoni ligjin e vitit 1993”, u shpreh deputeti Spaho.
Sigal