Kuvend, sot debati për kandidatët e KLP dhe KLGJ. Lista e emrave dhe dështimi i votimit me 93 vota

959
Kuvend, sot debati për KLP dhe KLGJ
Deputetët do të kenë në tryezë emrat e kandidatëve, por për miratimin e tyre kërkohen 93 vota. Pretendimet dhe strategjia e opozitës]
Kuvendi do të debatojë sot për reformën në drejtësi dhe ngritjen e organeve të reja të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji, ndërsa opozita përgatitet të zhvillojë të shtunën një nga protestat më masive të saj. Në rendin e ditës së punës është votimi për zgjedhjen e anëtarëve jogjyqtarë e joprokurorë të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Pikërisht kjo parashikohet të jetë edhe pika më e nxehtë e diskutimeve, ndërsa opozita ka parashikuar ta përdorë diskutimin në seancë për t’u bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e 27 janarit. Në një mbledhje me deputetët, Partia Demokratike ka dhënë porosi që të shfrytëzohet marrja e fjalës në seancën e së enjtes për të folur për mitingun e fundjavës. Nga ana e saj, opozita e kundërshton listën e kandidatëve të KLP-së dhe KLGJ-së, ndërsa ka kritikuar edhe procedurën e ndjekur. Opozita e cilëson të papranueshëm procesin që çoi në përzgjedhjen e 10 kandidatëve për 5 vende në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Partia Demokratike tha se shumë nga kandidatët nuk përmbushin kriteret ligjore, ose kanë problem lidhur me nivelin profesional apo integritetin e tyre moral. Ata hodhën akuza se për disa nga kandidatët përfaqësuesve të opozitës u janë mbajtur të fshehta të dhëna që i përjashtonin ata automatikisht nga procesi. Dyshimet e forta të përfaqësuesve të opozitës ndaj procesit të përzgjedhjes së kandidaturave për një pjesë të anëtarëve të dy trupave më të rëndësishme të sistemit të ri të drejtësisë u bënë të qarta që në nisje. Edhe më parë deputetët Oerd Bylykbashi (PD) dhe Nasip Naço (LSI) nënvizuan se në shumë raste kandidatët që janë përfshirë në lista nuk plotësonin të gjitha kriteret e përcaktuara me ligj, apo nuk kanë marrë vlerësimin e duhur nga ONM-ja, e për pasojë nuk duhet të ishin përfshirë në listë dhe se në raste të tjera nuk plotësohej numri i nevojshëm i kandidatëve në garë. Duke qenë se për përzgjedhjen e kandidatëve që do i shkonin parlamentit nevojiteshin 4 vota, socialistët në nënkomisionin e posaçëm zgjodhën që përzgjedhja të realizohej përmes shortit, një përpjekje për t’u mbrojtur, në mungesë të një konsensusi nga opozita, nga akuzat për seleksionim të njëanshëm. Por siç u shpreh dhe Bylykbashi, “një short i tillë, që ka prodhuar kandidatë të tillë, me influencë të pastër politike dhe kritere të papërmbushura ligjore dhe problem të tjera të papranueshme, nuk mund të jetë një short i besueshëm. Procesi është tërësisht i deligjitimuar dhe për pasoje dhe parlamenti shqiptar nuk mundet të votojë dhe të ratifikojë, jo vetëm një vullnet të pastër politik të kryeministrit Rama por diçka që bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligjin”. Për miratimin e listës së kandidatëve për KLP dhe KLGJ nevojiten votat e 2/3 të anëtarëve të Kuvendit, pra 93 deputetë. Kjo e bën të pamundur miratimin e listës në seancën e sotme, ndërsa opozita pritet të largohet nga salla në momentin e hedhjes në votim të emrave. Sipas Kushtetutës dhe ligjeve, procedura duhet të rikthehet në komisionin e posaçëm të ngritur nga Komisioni parlamentar i Ligjeve. 

Agjenda e sotme:
1 – Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 15.1.2018
2 – Njoftimi i projektligjeve të depozituara në Kuvend
3 – Betimi i deputetëve të rinj
4 – Projektligji “Për një ndryshim në ligjin “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore”.
5 – Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar”.
6 – Projektligj “Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së Grantit, ndërmjet KM të RSH, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si administrator i fondeve Grant, të siguruara nga qeveri të ndryshme nën fondin e përbashkët evropian të Ballkanit Perëndimor, për projektin e detajuar të linjës hekurudhore Durrës – Tiranë dhe vlerësimin financiar/ekonomik të të gjithë rrjetit hekurudhor në Shqipëri, të ratifikuar me ligjin nr. 63/2015”.
7 – Projektvendim “Për miratimin e listës në bllok të kandidatëve të përzgjedhur për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit”.
8 – Projektvendim “Për miratimin e listës në bllok të kandidatëve të përzgjedhur për Këshillin e Lartë të Prokurorisë’.
9 – Për votim (të mbartura):
– Projektvendim “Për emërimin, e zotit Idlir Gjata, si anëtar i Bordit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare”.
– Projektvendim “Për zgjedhjen e dy anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës”.
– Projektvendim “Për propozimin Kuvendit të RSH të kandidatëve për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik”.
– Projektvendim “Për një shtesë në vendimin nr. 90/2017 “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”.
10 – Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Sigal