Kuvend, Shtylla e Kosta zgjidhen anëtarë të KLD

518
Sigal

TIRANE – Kuvendi votoi këtë të enjte Albana Shtyllën dhe Vangjel Kostën për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
 
Edhe pse të propozuar nga mazhoranca, dy kandidaturat morën vota kundër nga deputetët. Albana Shtylla u votua me 77 vota pro dhe 2 kundër, ndërsa Vangjel Kosta me 71 vota pro dhe 7 kundër.
 
Shtylla dhe Kosta zëvendësojnë dy anëtarët e tjerë të shkarkuar nga Kuvendi, Elvis Çefa, njëherësh nënkryetar i KLD-së dhe Lulzim Lelçajn.

Edhe në këtë seancë opozita nuk ishte e pranishme, pavarësisht apelit më të fundit të kryeparlamentarit Meta për t’i dhënë fund bojkotit të nisur nga muaji korrik.

Kuvendi rrëzon dy kandidatët e propozuar nga Nishani për anëtar në Gjykatën e Lartë
Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar sot dy kandidatët e propozuar nga Presidenti Bujar Nishani për anëtar të Gjykatës së Lartë. Kandidaturat e Elona Stavri dhe Sokol Ndresi nuk u miratuan nga deputetët e Kuvendit, ndërkohë që edhe në Komisionet Parlamentare këto dy kandidatura janë rrëzuar. 

Komisioni i Ligjeve rrëzoi dy dekretet e presidentit Nishani me dy emrat për anëtar të Gjykatës së Lartë për të pestën herë, pasi sipas tyre nuk është ndjekur procedura.

Eduard Ypi zgjidhet për anëtar i Komisionit të Konkurrencës
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar kandidaturën e Eduard Ypit për anëtar të Komisionit të Konkurrencës. Deputetët e Kuvendit kanë votuar me votim të fshehtë dy kandidaturat e propozuara nga presidenti Bujar Nishani, Eduard Ypi dhe Armand Afezolli.

Kandidatura e Ypit është miratuar me 66 vota pro, 9 kundër dhe 3 abstenim, ndërsa kandidati Afezolli ka marrë 12 vota pro, 63 kundër, dhe 4 abstenim.

Pranvera Strakosha zgjidhet anëtare e Komisionit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil
Kuvendi ka zgjedhur me 73 vota pro Pranvera Strakoshën si anëtare të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Dy grupe deputetësh, me jo më pak se 20 deputetë propozuan dy kandidatura për këtë pozicion, ndërsa me votim në seancën e sotme është zgjedhur një prej tyre. 

Kandidatja Arbana Basha ka marrë 8 vota pro, dhe 68 kundër.