Kuvend, sesioni i ri pa opozitën Pritet rrëzimi i 5 dekreteve

434
Sigal

TIRANE – Këtë pasdite Kuvendi i Shqipërisë çeli sesionin e ri parlamentar, pas një muaji pushim. Seanca, e cila nisi rreth orës 17:40, sjell për votim dekretet e kthyera nga Presidenti Nishani për 5 ligje, të cilat u diskutuan dhe u rrëzuan në mbledhjen e parë të Komisionit të Ligjeve dhe atij të Sigurisë. Ashtu sikurse në këto komisione parlamentare, edhe në seancën e sotme mazhoranca pritet t’i rrëzojë këto dekrete. 
Por Partia Demokratike nuk do të jetë e pranishme në Parlament. Ishte vetë lideri demokrat Lulzim Basha, i cili në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar të PD, bëri sot publik vendimin për të vijuar bojkotin e nisur prej muajit Korrik si pasojë e incidentit në Parlament mes dy deputetëve socialistë Ndoka e Ndreu dhe atij demokrat Strazimiri.
 
Basha tha se demokratët do të ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese rrëzimin e dekreteve të Nishanit për kthimin e 5 ligjeve, atë të Reformës Territoriale, ligjit për policinë, ligjin për Gjykatën Administrative për shkollën e Magjistraturës dhe për KLD-në. Ndërkohë ai paralajmëroi edhe zhvillimin e referendumeve vendore për të rrëzuar ligjin e kaluar pa konsensus sipas tij të reformës territoriale.   
Sakaq, pak minuta para fillimit të seancës, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mblodhi grupin parlamentar, ku i bëri apel opozitës të jetë më bashkëpunuese në këtë sesion.
 
Axhenda e ditës së sotme parashikon miratimin e programit të punës për periudhën 1 shtator – 9 tetor 2014, dhe kalendarit 3- javor (1 – 18 shtator 2014) të punimeve të Kuvendit.
 
Ndërkaq, në seancën e sotme do të diskutohen edhe dekretet për lirimin e Ilirjan Celibashit nga detyra e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe për emërimin e Ermonela Felaj në këtë detyrë.

Rendi i ditës në seancën e sotme parlamentare
1. Hapja e sesionit të tretë të Legjislaturës së VIII-të të Kuvendit të Shqipërisë.
 
2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 31.07.2014.
 
3. Miratimi i programit të punës së Kuvendit për periudhën 1 shtator – 9 tetor 2014.
 
4. Miratimi i kalendarit 3javor ( 1 – 18 shtator 2014) të punimeve të Kuvendit.
 
5. Dekret nr. 8675 , datë 11.08.2014 “Për kthimin e ligjit nr. 97/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës” të ndryshuar””.
 
6. Dekret nr. 8678, datë 15.8.2014 “Për kthimin e ligjit nr. 100/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative””.
 
7. Dekret nr. 8679, datë 15.8.2014 “Për kthimin e ligjit nr. 101/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” të ndryshuar””.
 
8. Dekret nr. 8681, datë 15.8.2014 “Për kthimin e ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit””.
 
9. Dekret nr. 8696, datë 22.08.2014, “Për kthimin e ligjit nr. 115/2014, “Për ndarjen administrativo – territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë””.
 
10. Dekret nr. 8697, datë 27.8.2014 “Për shkarkimin e zotit Ilirjan Celibashi, nga detyra e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin”.
 
11. Dekret nr. 8698, datë 27.8.2014 “Për emërimin e zonjës Ermonela Felaj, në detyrën e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin”. – See more at: http://www.shqiptarja.com/home/1/kuvend-sesioni-i-ri-pa-opozit-n-pritet-rr-zimi-i-5-dekreteve-236366.html#sthash.iFYDj2XE.dpuf