Kuvend, rikthehet sot debati për Tahirin

589
Kuvendi do të debatojë sot lidhur me ekstradimin drejt Italisë të Nezar Seitit, një ndër të akuzuarit e dosjes “Tahiri-Habilaj” për trafikun e drogës. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, është thirrur në interpelancë urgjente nga grupet parlamentare të PD-së dhe LSI-së për të shpjeguar arsyet e dhënies së lejes për ekstradimin e Seitajt, ndonëse ndaj tij kishte një masë sigurie të dhënë nga gjykata për një hetim tjetër. Gjithashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë edhe projekt-rezolutën për votimin e Shqipërisë kundër qëndrimit të Shteteve të Bashkuara në çështjen e njohjes së Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. Në të njëjtën kohë, deputetët e opozitës kanë deklaruar se do të vazhdojnë përballjen me mazhorancën në Kuvend, ndërsa pritet që ata sërish të pengojnë kryeministrin Rama, nëse ai do të tentojë të flasë për mediat. Seanca e javës së shkuar u përfshi nga debatet për shkak të kërkesës së opozitës për të shqyrtuar çështjen e ekstradimit në Itali të Nezar Seitit. Opozita ka kërkuar edhe prangosjen e ministres Gjonaj për këtë rast. Rendi i ditës për seancën e sotme përfshin edhe votimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe diskutimin për statusin e minatorit.

Rendi i ditës
1 – Interpelancë urgjente me ministren e Drejtësisë, kërkuar nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho dhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë LSI-së, Petrit Vasili.

2 – Mocion me debat. Projektrezoluta “Për ndryshimin e qëndrimit të mbajtur nga Qeveria Shqiptare mbi Rezolutën “Për statusin e Jerusalemit” të OKB-së të datës 21 dhjetor 2017””.

3 – Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 111/2012 “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”.

4 – Projektligji “Për statusin e minatorit” (Punonjësve të minierave në nëntokë).

5 – Projektvendim “Për miratimin e listës në bllok të kandidatëve të përzgjedhur për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit”.

6 – Projektvendim “Për miratimin e listës në bllok të kandidatëve të përzgjedhur për Këshillin e Lartë të Prokurorisë”.
Sigal