Kuvend, rikthehet dueli Berisha-Rama, ja replikat

565
Kryeministri dhe paraardhësi i tij debatojnë për zhvillimet politike, duke pasur në fokus edhe teatrin e gjendjen e universiteteve 
Mungesa e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në seancën e djeshme ka rikthyer edhe një herë fuqishëm debatin mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Kryeministri dhe paraardhësi i tij shpërthyen në akuza dhe kundër-akuza, që nga Teatri Kombëtar, e deri tek ligji për arsimin e lartë dhe universitetet. “Ne Teatrin Kombëtar do ta ndërtojmë dhe ti nuk do të shkosh Sali, se ti je vetë regjisor, vetë aktor e spektator në teatrin tënd digjital. Teatri i ri nuk do të jetë as nën kullë, e as mbi kullë, se po kërkojmë një mundësi të re, por do të jetë më moderni në rajon”, iu përgjigj Rama akuzave të opozitës dhe dyshimeve të shprehura edhe nga artistët se Teatri Kombëtar po shembet për të ndërtuar një kullë. Po nga foltorja e Kuvendit i ktheu përgjigje Sali Berisha. “Tek Teatri Kombëtar ti ke parashikuar kullën 45-katëshe”, tha ai. Ndërsa, duke iu referuar takimit të kreut të qeverisë me pedagogët e universiteteve publike dhe gjuhës së përdorur prej tij atje, Berisha përmendi sërish lidhjet me Shullazin. “Me gjuhën e urrejtjes u je drejtuar këto ditë universiteteve. Fole më gjuhën e Shullazit dhe ofendove elitën e kombit”, tha Berisha. Ndërkohë, një ditë pasi foli para pedagogëve të Universitetit të Tiranës për prerje kokash, Edi Rama sqaroi se nuk ishte ai që i kërkonte ato në tepsi.

Replikat
Edi Rama: Prerjen e kokave e kërkon dekanati, dekanët. Janë katër dekanë me në krye Dhori Kulen, duke kërkuar shkarkimin e Rektorit të Universitetit.
Sali Berisha: Një sulm frontal kundër elitës së kombit. Është një replikë e kohërave më të zeza të këtij vendi, beteja me arsimin e vendit.
Edi Rama: Unë dëgjova, as më shumë e as më pak, por zotërinë e tij, Dhori Kule, anëtar aktiv i PD, që të thoshte shumë më tepër se ç’thashë unë.
Sali Berisha: Shkoi dje dhe foli me gjuhën e Shullazit. Janë tenderët që duhet të bëjë universiteti dhe tani me Mynyr Konin nuk bëjnë dot pazaret.
Edi Rama: Jeni njësoj si ata aktorët që zihen për muret, ndërkohë që fatkeqësia e tyre është që nuk ka role.
Edmond Spaho: Keni dashur qëkur ishit ministër Kulture të ndërtonit një teatër me kullë dhe ndoshta tek kullat të varnit ato që janë thënë. Vetëm Kryeministri i asaj kohe, që sot e ke ministër në qeveri dha urdhër që projekti juaj nuk do të zbatohej.
Edi Rama: Ashtu ishte Shqipëria në atë kohë dhe ashtu mund të bëhej, por sot jo! Sot jemi në një tjetër situatë dhe tjetër mundësi.
Sali Berisha: Qëndrimi yt ndaj Teatrit Kombëtar është bingoja që fute aty kur ishe ministër.
Edi Rama: Ne teatrin e ri do ta ndërtojmë. Nuk do të jetë as nën kullë dhe as mbi kullë.
Sigal