Kuvend, procedurë urgjente për vetingun e policisë

497
Qeveria i ka kërkuar Kuvendit të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar projektligjin për vetingun e policisë. Projektligji “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme” është miratuar në mbledhjen e qeverisë një javë më parë dhe brenda pak ditësh duhet të përfundojë edhe procedurat parlamentare. Sipas projekt-vendimit, që do të diskutohet sot nga deputetët, shqyrtimi në komisionin përgjegjës për Sigurinë Kombëtare do të bëhet në datat 19- 20 shkurt 2018. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut është komision për dhënie mendimi, ndërsa amendamentet do të paraqiten në komisionin përgjegjës brenda datës 19.02.2018. Shqyrtimi në seancë plenare i projektligjit do të bëhet në datën 22 shkurt 2018. Zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, shpjegoi se qëllimi i kësaj nisme të qeverisë është të japë një kontribut në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve të forta dhe të besueshme, me profesionistë me integritet. “Në radhët e Policisë së Shtetit ka gra dhe burra, vajza dhe djem të ndershëm dhe profesionistë. Është pikërisht kjo baza prej të cilës duhet të ndërtohet institucioni i së ardhmes”, tha Hodaj. Sipas tij, vlerësimi kalimtar i punonjësve të policisë, Gardës dhe SHÇBA-së, nuk është thjesht fshesa e radhës. “Padyshim pastrimi i radhëve është i rëndësishëm në kushtet brenda tyre ka elementë të prekur nga krimi dhe korrupsioni apo të paaftë. Gjithsesi, aspekti më i rëndësishëm i kësaj nisme është një tjetër: është promovimi i atyre që janë të ndershëm, të aftë dhe të përkushtuar, është çlirimi i energjive pozitive, sot disi të fjetura, tek pjesa e shëndoshë e institucioneve”, vlerësoi zv/ministri Hodaj. Projektligji përcakton parimet, kriteret, procedurat e vlerësimit kalimtar dhe periodik, standardet, organizimin dhe funksionimin e organeve të vlerësimit për punonjësit e policisë. ”Është përzgjedhur një model i përzier ku gradat e larta vlerësohen nga komisione të pavarura me punonjës të rekrutuar nga jashtë, ndërsa në nivelet e tjera komisionet integrohen me punonjës që e kanë kaluar me sukses vlerësimin”, tha Hodaj. Në total do t’i nënshtrohen vetingut në tre faza rreth 13 mijë policë. Ndërkohë, Ministria e Brendshme nuk do të pjesë e procesit e vlerësimit, për të garantuar pavarësinë, paanshmërinë dhe besueshmërinë e tij.
Sigal