Kuvend, miratohet projektligji për funksionimin e institucioneve të pavarura

40

Kuvendi u mblodh në seancë plenare nën drejtimin e Kryetarit, z. Ilir Meta dhe, ndër të tjera, miratoi dy projektligje të rëndësishme për funksionimin e institucioneve të pavarura dhe në fushën e mbrojtjes. Për më shumë se tre orë deputetët debatuan lidhur me projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9584, datë 17.7.2006 “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj” të ndryshuar”. Ndër të tjera, ky projektligj parashikon përjashtimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nga fusha e veprimit të ligjit “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj “të ndryshuar” dhe zvogëlimin e numrit të anëtarëve të bordit nga 7 në 5 anëtarë. Në këtë mënyrë synohet të mundësohet që AMF të miratojë strukturën e saj të pagave në kuadrin e rritjes së pavarësisë të këtij institucioni. Opozita e kundërshtoi nismën në fjalë duke argumentuar se në fakt maxhoranca po përpiqet të vendosë nën kontrollin e saj në një tjetër institucion të pavarur. Nga ana tjetër, përfaqësues të maxhorancës, duke kundërshtuar argumentet e opozitës, theksuan se në fakt nëpërmjet këtyre ndryshimeve synohet futja në binarë e tregut të sigurimeve shoqërore dhe çlirimi i AMF-së nga ndikimi politik. Kreu i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, z. Erjon Braçe tha se opozita e kundërshton këtë nismë, pasi ka marrëdhënie klienteliste me këtë institucion.