Kuvend, miratohet dekriminalizimi, Mazhoranca dhe Opozita bashkojnë votat

412
Pas disa muaj debate, maxhoranca dhe opozita kanë gjetur konsensusin për t’i hapur rrugë dekriminalizimit. 131 deputetë të Kuvendit kanë votuar pro paketës së ndryshimeve kushtetuese, e hartuar në funksion të ligjit të dekriminalizimit, që parashikon kategoritë e zyrtarëve që nuk mund të zgjidhen në poste të larta ose që duhet të lënë mandatet në rast se kanë kryer shkelje në të kaluarën. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta tha se ky projektligj hyn në fuqi menjëherë dhe do të publikohet edhe në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë. Katër amendamentet e miratuara me konsensus të hënën nga komisioni i posaçëm parlamentar u miratuan sot me konsensus në Kuvend, duke i hapur rrugë zbatimit të ligjit nga fillimi i vitit të ardhshëm.

Një nga nenet e paketës ligjore që përfshin ndryshimin e nenit 179 të Kushtetutës përcakton se deri në 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, titullarit të institucionit publik dhe vetë personave që preken nga ligji, u lihet kohë që të verifikojnë pastërtinë e tyre. “Funksionarët e organeve të parashikuara në Kushtetutë dhe subjektet e ligjit të posaçëm që rregullon garantimin e integritetit të personave, që janë në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të detyruar të përmbushin detyrimet e përcaktuara në atë ligj, brenda 3 muajve nga hyja në fuqi e tij”, thuhet në nenin 4 të pr/ligjit. Amendamentet detyrojnë gjithashtu titullarët e institucioneve ku konstatohet se ndodhen individë me të kaluar kriminale, që brenda 5 ditëve të shpallin të pavlefshëm mandatin ose të nxjerrin aktin e shkarkimit të tyre.

“Funksionarët publikë që janë emëruar në detyrë përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që ushtrojnë funksionin e tyre me ose pa mandat, shkarkohen menjëherë nga detyra nëse konstatohet se përfshihen në rrethin e subjekteve që janë të përjashtuara sipas ligjit të posaçëm nga e drejta për t’u zgjedhur, emëruar apo për të mbajtur një funksion publik. Organi përgjegjës është i detyruar të nxjerrë aktin e shkarkimit nga detyra brenda 5 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit”, thuhet në amendamentet e ndryshuara. Ndërkohë, Parlamenti ka hedhur poshtë amendamentet e propozuara nga deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi, për moslejimin të kandidimit në poste publike të personave që kanë mbajtur dhe ushtruar poste gjatë regjimit komunist. Gjithashtu, nuk u votua as amendamenti i deputetit Oerd Bylykbashi për testin e drogës. Kryeparlamentari Ilir Meta e cilësoi një konsensus të jashtëzakonshëm, miratimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese.
Sigal