Kuvend/ Majko-Berishës: Pse nuk përmend Prokurorin e Përgjithshëm?

445
Në përgjigje të akuzave të lëshuara nga opozita në drejtim të Kryeministrit dhe Ministrave të tij, deputeti Pandeli Majko i tërhoqi vëmendjen kolegëve demokratë mbi rolin e Kryeprokurorit.
Në replikë me ish-kryeministrin Berisha, Majko i bëri me dije po kërkon llogari për një sistem të kalbur të drejtësisë ku kontributin themelor e kanë pasur të djathtët.
Ai ftoi opozitën të votojnë një orë e më parë reformën në drejtësi, pasi sipas tij vetëm kështu mund të largohen kriminelët.
Majko: “Dola këtu sepse mu drejtove dhe më the se ti mund të zgjedhësh të jesh naiv ndaj këtyre për këto që flas unë si Berishë. Dakord. Po eci me llogjikën e naivitetit. Po mirë mo Doktor dhe ju kolegë të PD gjatë kohës që keni zbuluar të gjitha këto fakte me krime, kriminelë. Jam kurioz të di, ky Prokurori i Përgjithshëm që nuk përmendet asnjëherë në asnjë rast si një njeri që mban përgjegjësi për një opozitë që çdo ditë paraqet fakte me shkrim, me gojë. Pse nuk vepron Prokuroria e Përgjithshme, pse nuk vepron Prokurori i Përgjithshëm? Pse nuk e përmend emrin e Prokurorit të Përgjithshëm? Partia jote dje në Komision të Ligjeve qartësoi një qëndrim të vetin të vjetër për ligjin e investimit të ÇEZ dhe në pikën 2 të nenit 1 thoshte: “Ne duam investim ndërkombëtar midis të tjerash sepse duam të kthejmë besimin e publikut të sistemit të drejtësisë”.
Vazhdojmë këtu edhe me faktin se agjensi observuese të drejtësië europiane e trajtojnë drejtësinë shqiptare si drejtësinë më të dobët. Dhe ne flasim nga mëngjesi deri në darkë për reformën e drejtësisë, për të hequr kriminelët pra. Kur flitet për reformën e drejtësisë ju të gjithë bllokoheni. Të gjithë historinë politike tuajën e trajtoni te ligji i dekriminalizimit. Po çfarë është ligji i dekriminalizimit? Të ridënojmë ata që janë dënuar edhe njëherë. Po këtu bëhen apo nuk bëhen 5 veta në gjithë parlamentin që janë dënuar njëherë.Të mbushur me kriminelë e banditë, e më the e të thashë… Nuk është kështu, e vërteta që diskutohet është që ne kemi një sistem të kalbur në Shqipëri dhe ky është sistemi i drejtësisë. Dhe ky sistem është ndërtuar nga ne. Doktor. Berisha besoj që e mirëkupon kur them se nga ’92 deri tani PS ka pasur vetëm një President të propozuar prej saj, të gjithë kanë qenë të partisë suaj, nga ’92 e deri sot PS ka pasur një Prokuror të përgjithshëm që qëndroi 2 apo diçka më tepër. Tani ju flisni se është ndërtuar një sistem kriminal, si u ndërtua? Nëse doni të heqim kriminelët, të votojmë reformën e drejtësisë. Të mos hidheni degë më degë. Lërini këto historira”.
Tre çereku i Kuvendit si anëtarët e byrosë politike të ’90, të matufepsur 
Për Majkon, tre çereku i Kuvendit i ngjan anëtarëve të byrosë politike të ’90, të matufepsur, të marrë fund dhe pa histori.
Majko: “E vërteta është që ne kemi krijuar një sistem të paprekshmish që qëndrojnë në këtë sallë dhe vini vizën këtej janë këta, këtej ne e bardha, nuk ka vizë. Nuk po them se janë ëngjëj këta dhe as ne. Ekziston një situatë tepër e rëndë psikologjike.Kosova, ti përmende me të drejtë një rast grupi vajzash dhe unë besoj që Ministria e Brendshme dhe policia do kenë marrë masa në vazhdim dhe për atë policin që i ka pritur në mënyrë krejt të paedukatë në komisariatin e Lezhës. Por mund të thosha ca fjalë të tjera, se Kosova po vetëkryqëzohet atje dhe nuk jemi këtu vetëm për të sharë dhe për të kryqëzuar njëri-tjetrin. Ne po e rrëzojmë me duart tona të gjithë sistemin që kemi ngritur nga ’92. Do bëhet 25 vjetori i Lëvizjes së Dhjetorit, çfarë do tu themi? Këtë ku jemi katandisur tani do tu themi që kemi realizuar? Tre çereku jonë u ngjan anëtarëve të byrosë politike të ’90 të matufepsur komplet, të marrë fund, pa histori. Ulërasim këtu për kriminelë dhe histori të tjera”.
Kritika pati edhe lidhur me zbatimin e rregullores së Kuvendit, që sipas Majkos e ka marrë lumi.
Majko: “Me datë 13 Parisi u godit nga sulmet terroriste të ISIS dhe Berisha me sa di unë është shfaqur me të drejtë dhe si frankofon. Sot e prisja një fjalë të tij dhe në këtë drejtim. Kodi i etikës së policisë është pika e rendit të ditës ku ne mund të diskutonim dhe për këtë çështje. Por po bëhet rutinë dhe unë hyj tek ata deputetë që qëndrojnë gjatë gjithë seancës dhe dëgjoj edhe gjëra që nuk më pëlqejnë.Këtu në parlamentin tonë rregulloren e parlamentit e ka marrë lumi mirë, nuk dihet kush është rendi i ditës, koha e të folurit dhe nuk po merret vesh sesi fillon dhe si mbaron seanca parlamentare. Këtu është seancë, kushdo vjen, flet sa të dojë, shan sa të dojë, flet si të dojë dhe publikun me të drejtë e ka marrë neveria për ditën e enjte për atë që dëgjon në parlament. Sot normalisht gjithë bota diskuton rrezikun e terrorizmit, në parlamentin e Shqipërisë qeveria shpallet e gjitha kriminale dhe Kryeministri i vendit kryekriminel”.
Sigal