Kuvend, ‘Gjykata e Lartë’ shtyhet votimi

181

Debatet me Rusmajlin, Kuvendi: “Gjiknuri kërkoi falje”. Deputeti: “Mashtrim”

Kuvendi nisi diskutimet dje për pr/ligjin e Gjykatës së Lartë rreth orës 12:00, diskutime të cilat u shoqëruan me akuza të ndërsjella PD-PS. Pas shumë diskutimesh ku maxhoranca dhe opozita konfirmuan edhe njëherë pozicionet e tyre kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli nuk e hodhi në votim ligjin. Topalli deklaroi se pr/ligji do të hidhet në votim, kur t’ju mbushet mendja deputetëve të Partisë Socialiste ta votojnë. “Kur t’ju mbushet mendja juve do ta hedhim në votim”, iu drejtua Topalli deputetëve të opozitës. Pr/ligji për Gjykatën e Lartë kërkon 3/5 e votave të deputetëve në Kuvend.

Ruçi: “Maxhoranca nuk është e interesuar për Gjykatën e Lartë”

Gjatë fjalës së tij, kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ka akuzuar maxhorancën se po bën shfaqe, pasi sipas tij, ajo nuk është e interesuar realisht për miratimin e këtij projektligji. Një deklaratë të tillë ai e ka argumentuar me faktin se në asnjë moment asnjë përfaqësues i pozitës nuk ka kërkuar bashkëpunimin e opozitës lidhur me këtë çështje. “Ligji që ju keni sjellë nuk e keni seriozisht që ta miratoni, ndërsa ne jemi përgatitur ta votojmë. Ne nuk jemi këtu për të prodhuar letra pa vlerë dhe ato të mos i zbatojmë dhe aq më tepër të hedhim shashka për opinionin publik. Nëse maxhoranca do të donte të miratonte këtë ligj do kishte kërkuar kontributin e opozitës. Opozita ka qenë e gatshme të jepte gjithë kontributin e saj. Asnjë përfaqësues i pozitës nuk ka tentuar të kërkojë bashkëpunimin e opozitës. Opozita ua ka thënë që ditën e parë të fillimit të sesionit të ri parlamentar. Komunisti Berisha nuk bëri asnjë hap. Zbatoni Kushtetutën, ne po kërkojmë një të drejtë kushtetuese”,- tha ai. Ruçi hodhi akuza mbi maxhorancën për kapje të drejtësisë, duke e lidhur këtë me çështjen e debatueshme të Këshillit qarkut të Fierit. “Sot kanë vajtur të gjitha vendimet e gjykatave në Bruksel. Ju thoni se keni 12 prioritete, ne kërkojmë zbatimin e drejtësisë, ky është kusht për integrimin. Kusht tjetër është liria, të drejtat e njeriut. 56 burrave u ka dhënë populli një mandat dhe ti u thua jo”, theksoi Ruçi.

Patozi: “Rama bllokoi sërish”

Pas kreut të grupit parlamentar të PS, Ruçi, mori fjalën kreu i grupit të PD, Astrit Patozi që akuzoi opozitën që me pretekste si për qarkun e Fierit sjell sërish moton e bllokimit. “Rama ka vendosur dhe njëherë të bllokojë, dhe do mirëprisnim dhe sugjerimet e vërejtjet. Sigurisht që PS ka ekspertë të shquar, por si mund t’i thithnim ne vërejtjet e opozitës dhe megjithëse sot parlamenti ndodhet në situatën me absurde”. “Rama mendon se rruga jonë për në Bruksel kalon patjetër nga Fieri. Ky është një tjetër bllokim primitiv i tij, pasi ai po tenton të hedhë në kosh axhendën kombëtare të integrimit për kolltukun e tij personal”, tha Patozi. “Sot vendimi i formës së prerë është sërish bllokimi i p/ligjit “Për Gjykatën e Lartë”, për të cilin PS nuk ofroi asnjë amendament, pasi i vetmi amendament ishte kërkesa e saj për zyrën e kryetarit të Këshillit të Qarkut të Fierit”, vijoi ai. Patozi tha se për maxhorancën nuk ka rëndësi nëse qeveris një qark më shumë apo më pak, por është ligji ai që vendos. “Ne as japim, as heqim mandate. Ne nuk na lejohet të bëjmë pazare, aq më tepër për karrigen e një kryetari qarku. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse mjerim i opozitës. Duke refuzuar pazaret kjo maxhorancë po i ruan nderin edhe opozitës. Në BE nuk do kalojnë vetëm shqiptarët e maxhorancës. Qëndrimi ‘na jepni Fierin se ju japim integrimin’ është pa logjikë. Sot ishte një rast për të treguar se sa seriozisht e marrim ne BE-në”, theksoi kryetari i grupit parlamentar të PD-së, gjatë debatit të sotëm në Kuvend për p/ligjin “Për Gjykatën e Lartë”.