Kuvend, betohen 8 deputetët e rinj që morën mandatin

63
Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur me diskutimet e deputetëve lidhur me rendin e ditës, ku kryesore janë projektet në infrastrukturë. Ndërkohë, në fillim të seancës janë betuar deputetët e rinj, që kanë marrë sot mandatin e tyre në Kuvend. Ata kanë zëvendësuar deputetët, të cilët kandidojnë për kryetar bashkie në zgjedhjet e 21 qershorit. Pesë nga deputetët e rinj janë femra, duke e çuar në 31 numrin e grave në sallën e parlamentit ose në 22% të anëtarësisë së Kuvendit. 
Në fillim të procedurës, në emër të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, deputetja Vasilika Hysi paraqiti raportin përkatës, sipas të cilit, mandati i dhënë nga KQZ për tetë deputetët e rinj është plotësisht i ligjshëm dhe në përputhje me dispozitat e kodit zgjedhor. Më pas, deputetët e rinj, katër nga maxhoranca dhe katër nga opozita, përsëritën tekstin e betimit, sipas rregullores. 
Deputetët e rinj nga maxhoranca janë: Bujar Çela, Antoneta Dhima, Shkëlqim Troplini dhe Edlira Çekrezi, ndërsa nga opozita Arbiola Halimi, Mimoza Hajdarmataj, Irma Kopliku dhe Asllan Dogjani. Deputetët që lanë mandatin janë: Armando Subashi, Miranda Rira, Majlinda Bufi dhe Artur Bushi nga maxhoranca, ndërsa nga opozita Ardian Turku, Besnik Dushaj, Voltana Ademi dhe Halim Kosova.