Kuvend, Berisha: Shqipëria e zhytur në kanabis, shifrat e policisë të falsifikuara

475
Ish-Kryeministri Sali Berisha deklaron se agjencitë partnere njoftojnë se Policia e Shtetit shqiptar gjatë këtyre tre muajve ka korrur mbi 1 milionë rrënjë kanabis dhe shifrat e dhëna nga policia janë të gjitha të falsifikuara. Duke folur sot në Kuvend ai tha se Shqipëria është zhytyr në kanabis si kurrë në historinë e vetë dhe se elementë të inkriminuar të maxhorancës kanë nxitur intensivisht mbjelljen e kanabisit duke dhënë garanci se nuk do i prekë njeri. 
“Por ajo që është më e hidhura është se njeriu më i fuqishëm në PS pas Edi Ramës, i cili ju peshon në kandar të gjithë sa jeni, Koço Kokëdhima bën fushatë nga jugu në veri për legalizimin e kanabisit, bën fushatë publike. Policia bën luftë me mullinjtë e erës, sot kanabisi është bërë i gjithkund mbjellshëm, veçanërisht në zonat e thella malore, por Shqipëria 80% është zonë malore”, u shpreh Berisha. 
Ai shtoi më tej se siç është nisur, Shqipëria rrezikon të bëhet si Jemeni për shkak të kanabizimit të vendit. Sipas Berishës, nëse mbillet kanabis për t’u shitur bie ndesh me ligjin por se nëse mbillet për përdorim lejohet dhe kjo tha ai është politikë zyrtare e shpallur nga sivëllau i Edi Ramës, Koço Kokëdhima. Berisha deklaroi se asnjë ministër në qeveri nuk ka forcën e Kokëdhimës. Lidhur me çështjen e kultivimit të lëndëve narkotike ai tha se, “Shihni kur të vijë lulekuqja, opiumi ka filluar të mbillet në oborre”. Ai cilësoi si problem tjetër shumë të rëndë edhe ikjen e shqiptarëve nga vendi, duke thënë se azili politik nuk lejohet.
Sigal