Shteti i Kuvajtit, përmes Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, do t’i dhurojë Shqipërisë rreth 200 mijë dinarë kuvajtianë për projekte të infrastrukturës në vend.

Qeveria shqiptare ka miratuar marrëveshjen e grantit për asistencë teknike, ndërsa fondet duket se do të shkojnë për financimin e përgatitjes së një studimi fizibiliteti për projekte të transportit në zonat bregdetare jugore.

Granti prej 200 mijë dinarësh kuvajtianë përkthehet në rreth 564 mijë euro dhe do të përdoren për të studiuar investime strategjike përgjatë rivierës shqiptare. Këto projekte, të cilat i shtohen aksit të ri rrugor Porti i Jahteve në Orikum-Llogara, synojnë të japin një ndikim të ndjeshëm në turizëm, duke shkurtuar kohën e udhëtimit dhe duke përmirësuar aksesin në zonat bregdetare.

Pjesë e projekteve që mund të financohen me anë të grantit të Kuvajtit mund të jetë edhe tuneli i propozuar që lidhet me Himarën, duke anashkaluar në këtë mënyrë Llogaranë dhe që do t’i jepte një vlerë të shtuar edhe aeroportit të Vlorës.