Kushti i Erdogan: Në Tiranë, nëse largohet kreu i KMSH-së

748
Presidenti turk mund të jetë i pranishëm në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë, por kërkesa për spostimin e Bruçajt u është paraqitur autoriteteve shqiptare
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, mund të jetë i pranishëm në Tiranë në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë, të ndërtuar pranë Kuvendit të Shqipërisë. Ashtu si 3 vjet më parë kur u dha startin punimeve, presidenti turk mësohet se po shqyrton mundësinë e udhëtimit pas disa muajsh drejt Shqipërisë për të prerë shiritin e investimit të vendit të tij. Megjithatë, shefi i shtetit turk mësohet se u ka paraqitur një kërkesë, në formë kushti, autoriteteve shqiptare. Burime diplomatike bënë të ditur se presidenti Erdogan dhe qeveria turke e shohin me pakënaqësi drejtimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar nga Skënder Bruçaj, duke e cilësuar klerikun e njohur si pranë fondacionit “Gylen”. Bruçaj u bë pjesë e kontingjentit të parë të studentëve që u nisën nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë drejt Turqisë në vitin 1992. Më 1996 ai kreu Medresenë Bejkoz në Stamboll (Turqi) dhe më pas ai ndoqi studimet në Institutin e Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit të Bosforit, ku pasi mbrojti gjuhën angleze, vazhdoi studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale – dega Psikologji. Megjithatë burimet diplomatike nuk saktësuan përgjigjen e palës shqiptare, ndërsa Bruçaj ka qenë në krye të KMSH-së edhe gjatë vizitës së Erdogan në Tiranë në vitin 2015. Sipas burimeve, zhvillimet pas grushtit të shtetit të vitit 2016 e kanë ndryshuar ndjeshëm sjelljen dhe qëndrimin e Turqisë ndaj atyre që shihen si mbështetës apo pranë klerikut Gylen.

Ndërtimi i xhamisë në Tiranë financohet nga Enti i Çështjeve Fetare të Turqisë (Dijanet) dhe Fondacioni i Entit të Çështjeve Fetare të Turqisë. Punimet për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë kanë vazhduar pa ndërprerje prej 3 vjetësh, ndërsa aktualisht ajo ka marrë pothuajse pamjen e plotë për shkak edhe të avancimit të punimeve me ritme të shpejta. Xhamia po ndërtohet pranë godinës së Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa kur të përfundojnë punimet për ndërtimin e saj të plotë, ajo do të jetë xhamia më e madhe në Ballkan. Punimet për ndërtimin e xhamisë filluan në maj të vitit 2015 me një ceremoni të hedhjes së themelit, ku merrte pjesë edhe presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe presidenti shqiptar, Bujar Nishani. Xhamia pritet të çelet brenda këtij viti. Yasin Sengul, koordinator në zyrën e këshilltarit të çështjeve fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, është shprehur për “Anadolu Agency” pak javë më parë se Xhamia po ndërtohet në një sipërfaqe prej 10 mijë metra katrorë, ndërsa vetëm xhamia si karabina ndodhet në një hapësirë rreth 5 mijë metër katrorë. Xhamia është e përbërë nga katër minare, kupola kryesore dhe pjesa qendrore. Gjithashtu xhamia do të ketë edhe ambientet e jashtme. Ai tha gjithashtu se Xhamia e Namazgjasë është një ëndërr gati 100-vjeçare e popullit shqiptar, pasi për arsye të ndryshme nuk është arritur të realizohet.
Ambasadori: Të zëvendësojmë shkollat e FETO-s
Ambasadori turk në Shqipëri, Murat Ahmet Yoruk, në një intervistë për emisionin “Diplomaticus”, i cilësoi dje të shkëlqyera marrëdhëniet mes Tiranës dhe Ankarasë. Ai përsëriti ofertën turke për largimin e shkollave të financuara nga Gyleni dhe zëvendësimin e tyre me Fondacionin Arsimor “Maarif”. “Fatkeqësisht, menjëherë pas rënies së regjimit të egër komunist, që zgjati thuajse gjysmë shekulli në Shqipëri, organizata terroriste tradhtare dhe e maskuar e quajtur FETO, kjo vegël e forcave globale, shtiu në dorë sektorin e arsimit në Shqipëri dhe ende vazhdon. Ju lutem nuk duhet të harroni se FETO, kur e shikon të arsyeshme dhe sipas udhëzimeve që merr, është një organizatë terroriste që mund të krijojë kaos politik në vendin ku ndodhet dhe të shkatërrojë rendin kushtetues”, tha ambasadori. Ai shtoi se këto grupime pretendojnë se janë shkolla turke dhe që veprojnë nën maskën e arsimit, “nuk kanë asnjë lidhje me të qenit turk, me myslimanizmin dhe me ndonjë vlerë tjetër të shenjtë apo morale”. “Ata nuk mund të përdorin flamurin turk apo simbole të tjera turke, as në Shqipëri dhe as në ndonjë vend tjetër ku ndodhen. Natyrisht që një ndër objektivat tonë përparësorë në Shqipëri është që të sjellim në Shqipëri cilësinë arsimore të vendit tonë. Në këtë kuadër kemi filluar veprimet e nevojshme. Urojmë që institucionet e vërteta arsimore turke, pa qëllime fitimi, të jenë pranë popullit mik e vëlla shqiptar. Nuk do të lejojmë që vëllezërit tanë shqiptarë të kenë nevojë për institucionet arsimore të strukturës tradhtare. Fondacioni Arsimor ‘Maarif’ i Turqisë, i krijuar me një ligj të posaçëm, ka hapur shumë shkolla në shumë vende të botës, përshirë Kosovën, dhe ka realizuar një hap të rëndësishëm”, shtoi diplomati turk. Sipas tij, brenda një kohe shumë të shkurtër edhe në Shqipëri do të ketë një shkollë, e cila do të menaxhohet nga Fondacioni ‘Maarif’ i Turqisë. 
Sigal