Kushtetuta që u zhvlerësua nga marrëveshja e natës

441
Sigal

Debati/ Konstitucionalistë dhe politikanë kanë të njëjtin qëndrim për nevojën që shtron zhvillimi mbi ndryshimet e mundshme kushtetuese

Disa janë për ndryshime kushtetuese të pjesshme, dhe të tjerë për të ndërtuar Kushtetutë të re. Kushtetuta jo për qëllime partiake

Jo ndryshime radikale në ndryshime kushtetuese, shprehen deputetë dhe konstitucionalistë. Disa të tjerë janë për ndërtimin e një Kushtetute të re, pasi kanë ndodhur ndryshime radikale. Të gjithë shprehen që Presidenti të zgjidhet nga populli dhe të bëhen ndryshime të Kodit Zgjedhor, që vota të përfaqësohet drejtpërdrejtë dhe jo me listat e mbyllura.

Spartak Braho, kryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare

Unë flas jo vetëm si përfaqësues i Kuvendit, meqë jam deputet, por edhe si një nga nismëtarët e hartimit të Kushtetutës që kemi. Ai proces i hartimit të Kushtetutës ishte shumë natyral shumë i pjekur, nuk ishte i sforcuar aspak. Natyrisht faktori ndërkombëtar luajti rol deçiziv. Pati vetëm një aksident, që opozita e asaj kohe nuk e votoi. Kjo është nja arsye tjetër që ne duhet të bëjmë ndryshime, por unë i takoj atij qëndrimi që ndryshimet kushtetuese nuk duhet të jenë radikale. Këtu pak a shumë mendimi është pjekur dhe profesor Luan Omari në 90 % të rasteve, apo çështjeve  i ka evidentuar se ku duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese. Kushtetuta nuk është pamflet. Dhe nuk duhet të ndryshojë për 20 vjet. Ndryshimet nuk bëhen as me revolucione. Madje, nuk bëhet as nga njerëz dosido, por bëhet nga specialistët më të mirë. Ata duhet ta dominojnë mendimin korrekt, mendimin racional, mendimin profesional. Sepse, nëse Kushtetutën e hedhim në rrugë, do të bëjmë njësoj si Kushtetutat e regjimeve të kaluara. Natyrisht unë nuk mohoj këtu aktivizimin e forumeve, të shoqërisë civile, i cili është i domosdoshëm, për të dhënë edhe për të mbështetur, bile këto forume hapin edhe një dritare dhe janë nismëtare.

Ndaj mendimin që duhet të jemi relativisht konservatorë kur flasim për Kushtetutën

Denar Biba, ish-nënkryetari i KQZ-së

Ne, shpeshherë, kemi disa mënyra të të interpretuarit apo identifikuarit të Kushtetutës, të cilat janë pjesore, madje edhe të gabuara. Dikush, në momente te caktuara e identifikon Kushtetutën si parzmore, dikush tjetër shumë të thekët, e identifikon si kostum europian, që na bën të shitemi europianë përballë europianëve. Ndonjë tjetër, me ndonjë qasje pak më të përgjegjshme, këtë kostumin vazhdon e lë ashtu “Armani” por pjesën e brendshme e identifikon si këmishë force. Personalisht, përsa i përket çështjes së ndryshimeve kushtetuese, ndaj mendimin që duhet të jemi relativisht konservatorë kur flasim për Kushtetutën. Fakti që ne e keqinterpretojmë Kushtetutën, e lexojmë atë keq, nuk do të thotë që Kushtetutat janë gjithmonë të gabuara. Rruga jonë drejt demokracisë, kushtetueshmërisë po vazhdon të na lodhë, të na lodhë. Dhe ne jemi këtu, pikërisht edhe për shkak të kësaj lodhjes. Duke u lodhur me demokracinë dhe me institucionet e shtetit të së drejtës, fillon dhe humbet legjitimimi i institucioneve demokratike dhe i shtetit të së drejtës. Njerëzit nuk kanë më besim te ato, politika i keqpërdor, i shfrytëzon dhe i shpërdoron. Cila është zgjidhja? Le të ndryshojmë rregullat me dëshirën e mirë që do Zoti, ndryshon edhe loja dhe po sillemi drejt. Në fakt procesi duhet të jetë i dyanshëm. Rregullat mund të modifikohen, por ne duhet të ndryshojmë sjelljen tonë ndaj institucioneve dhe ndaj rregullave të lojës. Kam bindjen që në situatën në të cilën ndodhemi, pas ndryshimeve kushtetuese të 2008-s, nevoja për ndryshime kushtetuese është gati-gati një detyrim përcaktim. Në këto kushte, them, në lidhje me presidentin dhe disa kushte të tjerë, të marrëdhënieve ekzekutiv parlament, ndryshimet kushtetuese, janë të pandryshueshme.

Kushtetuta ta kishte parimin e rotacionit të shprehur qartë në Kushtetutë, ose edhe parimin e mosmirënjohjes

Aurora Anastasi, konstitucionaliste

Çështjet e para që shtrohen janë çështjet e metodologjisë që do të ndjekim dhe çështjet e përfshirjes. Ne në radhë të parë kërkojmë konsensusin politik, sepse ai është primar për të vazhduar punën, por edhe debatet që vijnë nga Shoqëria Civile, nga grupet e interesit, nga profesionistët konstitucionalistë janë po aq të rëndësishme. Shtrohen dy opsione. E para, në analizën e disa problemeve që kanë lindur në këto 16 vjet në zbatimin e dispozitave të Kushtetutës, dhe propozohet ndryshimi i tyre me qëllim përmirësimi i tyre dhe opsioni i dytë, ishte edhe të rishikohet mundësia për një Kushtetutë të re. Kjo do parë me vëmendje, unë mendoj që këtu duhet të fillojë studimi dhe debati. Ne përqendrojmë mendimin e shumë autorëve të njohur konstitucionalistë e në qëndrueshmërinë e Kushtetutës dhe që të ketë kushtetuta të reja, duhet të ketë ligjitimim të pushtetit kushtetues, thonë ata. Që do të thotë, të ketë periudha kushtetuese, për të mos thënë periudha trazimi. Kështu që do parë me vëmendje, sepse duhet të legjitimojmë ndryshime të mëdha të Kushtetutës, sepse janë shtruar një sërë ndryshimesh, ose ndryshimin tërësor të saj. Dhe për këtë duhet të përcaktojmë qëllimin se ku duhet të arrijmë. Nga ana tjetër, konstitucionalistët e shtrojnë debatin në kuadër të vështrimit të efektshmërisë dhe zbatimit të Kushtetutës në tërësi në sistemin ligjor. Pra, nëqoftëse disa nga këto probleme që u evidentuan dhe që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve shqiptare mund të zgjidhen në kuadër ligjor, të shikohet mundësia sa mund të zgjidhen në kuadër ligjor. Dhe vetëm se nëqoftëse nuk i zgjidhim dot brenda sistemit tonë të normave, atëherë lind nevoja për ndryshime kushtetuese. Dhe këtu na lind edhe nevoja që në  analizat tona të shkojnë së bashku, ndryshimet e kushtetutës me reformat që kërkohet të kryhen. Kryesisht të gjitha mendimet e tyre u fokusuan në reformën në drejtësi. Janë disa organe kushtetuese, të cilat rregullohen nga Kushtetuta dhe që janë themelore që të realizojnë reformën në drejtësi. Prandaj, unë mendoj që kur analizojmë KLD dhe mundësinë e amendimit të dispozitave të Kushtetutës për KLD, ose kur analizojmë çështje të emërimit dhe të shkarkimit të gjyqtarëve dhe dispozitat e Kushtetutës për Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese dhe prokurorinë, ne duhet t’i shikojmë këto në lidhje me qëllimin dhe reformata dhe problematikat që kanë dalë në Shqipëri. Kështu, idetë kanë qenë nga më të ndryshmet. Fjala vjen, në materialin e Forumit Civil 2010, KLD u pa sërish si një këshill që do të drejtohet nga Presidenti i Republikës, ndërkohë që ka pasur edhe ide të tjera. Kurse çështja e emërimit të gjyqtarëve është një çështje që trajtohet kudo dhe është e arsyeshme që të trajtohet kudo. Kemi mbi 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese, duke filluar nga viti 2004 e deri më sot nuk kanë zgjidhur ngërçin institucional midis presidentit dhe Kuvendit për emërimin në detyrë të anëtarëve të GJL, por edhe të anëtarëve të GJK. Kështu që çështja do një zgjidhje. Nëqoftëse ne nuk e realizojmë dot këtë zgjidhje brenda kuadrit legjislativ, padyshim që qëllimi ynë final do të jetë ndryshimi i Kushtetutës, me qëllim që ta realizojmë këtë zgjidhje. Ajo që do të thosha në lidhje me këtë është që, kur studiojmë dhe analizojmë këto çështje, në kuadër të reformimit të përgjithshëm, të mos harrojmë që nuk të shton vetë Kushtetuta në problematikat që shtrohen gjatë zbatimit të saj. Ajo ka disa modele dhe e rëndësishme është që këto modele t’i kalojnë tekstit të demokracisë dhe t’i kalojnë tekstit të zhvillimit të vendit dhe nëqoftëse ne do të kemi subjektet që e zbatojnë të përgatitura dhe me vullnetin politik të duhur në atë shkallë që Kushtetuta e kërkon, natyrisht që këto modele mund të funksionojnë. Prandaj, analiza është më e thellë, sesa një analizë e thjeshtë formale juridiko-kushtetuese. Duhet analizuar rrënja, shkaqet nga vijnë këto probleme, mënyra sesi mund të zgjidhen, të shikohet mundësia e zgjidhjes të këtyre në nivele të tjera dhe pastaj edhe në nivelin kushtetues. Ka pasur edhe organe kushtetuese, që kanë pasur një performancë shumë të vakët, sikurse u përmend në Forumin Civil 2010, Këshilli i Sigurisë Kombëtare, çështja e kufizimit të mandateve, që është mjaft e rëndësishme dhe sa mirë do të ishte sikur Kushtetuta ta kishte parimin e rotacionit, të shprehur qartë në Kushtetutë, ose edhe parimin e mosmirënjohjes, që e quajmë ne, që lidhet drejtpërdrejt me pavarësinë e gjyqësorit, nëqoftëse duam ta zbatojmë këtë parim, që do të thotë, pavarësisht nga organi që ka emëruar gjyqtarin në detyrë, ai është i detyruar t’i nënshtrohet Kushtetutës dhe të zbatojë parimin e mosmirënjohjes, jo të mirënjohjes. Duket si paradoksale, por është shumë e rëndësishme.

 Na duhet një Kushtetutë, që të jetë më e fortë se interesat politike të partive

Ilir Rusmajli, ish-kryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve

Dua të sjell një preokupim për një çështje që besoj se është thelbësore për debatin kushtetues, që ne shpesh e lëmë mënjanë. Ne po diskutojmë nevojën për ndryshime kushtetuese ose për Kushtetutë, ndërkohë që ne jo gjithmonë  themi se ku i kemi problemet. Shpesh në praktikën kushtetuese dhe politike ne jemi përballur me partitë politike të rëndësishme të këtij vendi që Kushtetutën e kanë konsideruar instrument politik për të arritur qëllimin dhe objektiva politike. Kushtetuta nuk është instrument politik i partisë socialiste për arritshmërinë e vendit politik.  Kushtetuta është një instrument për t’u mbrojtur nga PS, nga PD dhe veç e veç ose bashkërisht, ose edhe në bashkëpunim me të gjithë satelitët. Ndoshta duhet ta themi fort, sa herë mblidhemi, këtë të vërtetë. Sepse kam përshtypjen, personalisht besoj, që burimin e  keqja e ka këtu dhe defektin e nesërmja do ta ketë  përsëri  këtu. Është një instrument për t’u mbrojtur populli nga abuzimi i pushtetit. Është kufizim për pushtetin dhe pushtetarët dhe duhet zbatuar si i tillë. Jo për t’u përdredhur dispozita kushtetuese sipas interesit politik. Por për të kufizuar interesin politik te dispozita kushtetuese. Kushtetuta, që të zbatohet, kërkon parimin e luajalitetit kushtetues dhe është parim që e njohin, por që na mungon dhe kjo na bën që të vuajnë dispozitat njëra pas tjetrës, të futemi në kriza kushtetuese, dhe të mos i kapërcejmë dot ato. Është mirë që ta krijojmë këtë edukatë në raportin politik me Kushtetutën. A i imponojmë si shoqëri civile, se mbase politika e ka të vështirë ta krijojë këtë, përpara se të fillojmë të kthejmë përmbys gjithë ngrehinën kushtetuese. Sepse, për ndryshe, do të përballemi me një rrezik. Mund të adoptojmë dispozita shumë të mira, të reja, novatore zgjidhje të mrekullueshme kushtetuese, të cilat, sapo të futen në fuqi do të na spërdridhen për interesin politik dhe do ta na dështojnë. Ndryshe, nuk i dominojmë dot kurrë. Thënë kjo, dua të shtroj këtë problem, siç e perceptoj unë gjënë që përpara se të jetë proces legjislativ, duhet të jetë proces edukativ, duhet të jetë proces evolutiv, pastaj proces legjislativ. Ndoshta duhet të tregohemi më të matur, kur atakojmë Kushtetutën, ndoshta duhet të tregohemi më të guximshëm, kur atakojmë sjelljet me Kushtetutën, ndoshta na duhet kjo përqasje, që të arrijmë te qëllimi, që t’i japim gjithmonë këtij vendi një Kushtetutë të qëndrueshme, një Kushtetutë që i reziston dallgëve të politikës, një Kushtetutë që ka sukses. Ne duhet të modifikojmë sjelljet kushtetuese. Ky duhet të jetë qëllim, besoj unë. Nëse, për të modifikuar sjelljen kushtetuese, duhet të ndryshohet Kushtetuta, që ajo të imponojë sjellje të re kushtetuese, atëherë të shtohen amendamentet që mendoj unë. Çdo amendament i Kushtetutës që imponon sjellje kushtetuese është shpëtim për këtë vend dhe për raportet politike. Çdo amendament tjetër, formulë teknike për të zëvendësuar një formulë teknike, që ka dështuar mënyra klantante, për shkak se i është nënshtruar interesave politike të palëve, nuk do të na çojë shumë përpara, se rreziku është shumë i madh që të dështojë edhe formula e re teknike. Interesat politike të palëve janë shumë të forta. Na duhet një Kushtetutë, që të jetë më e fortë se interesat politike të partive dhe të imponojë sjelljen, qëndrimin, respektin ndaj Kushtetutës. Sa kritikohen interesat, fiton Kushtetuta. Këtë duhet të edukojmë te partitë politike, të gjitha, pa përjashtim. Nëse e realizojmë, kemi sukses.

Duhet të krijohet Avokati i Popullit për Fëmijët

Erion Kristo, pedagog i filozofisë

Unë jam për një megakonsensus. Pra, nëse duam të prodhojmë ndryshime kushtetuese, qoftë edhe Kushtetutë të re, qoftë edhe diçka që ka të bëjë me Kushtetutën, duhet megakonsensus. Dhe nuk duhet të jetë një konsensus që shkon vetëm për klasën politike. Unë jam në mendimin që nëse duhet ta ndryshojmë Kushtetutën, ta ndryshojmë në mënyrë të plotë. Duhet të kthehemi te ajo, nëse presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Për mua, më e rëndësishme është reforma e politikës. Edhe nëse duam të reformojmë Kushtetutën, gjëja më e parë është të reformohet politika. Është interesante ideja e krijimit të gjykatës së  llogarive.  Reforma më e thellë të jetë reforma e votës. Listat e hapura, kryesorja ka të bëjë me leximin e votës dhe me daljen më tepër të aktorëve politikë, më shumë se sa janë sot. Dy propozimet e mia janë që Kushtetutës tonë i mungon avokati i popullit për fëmijë . Kemi gjithfarë avokatësh në Shqipëri, kemi avokatë për tenderët, avokatë për tatimet. Ka për qytetarët, për shtetarët, por nuk ka avokatë i fëmijëve. Dhe shkrirja e Gjykatës Kushtetuese me Gjykatën e Lartë do të ishte njësoj e ngjashme, siç u shkrinë komunat e bashkitë.

Kushtetuta e re  të qartësojë ndarjen dhe ekuilibrin e pushteteve

Rustem Gjata, konstitucionalist

Në debatin midis a duhet një Kushtetutë e re, apo ndryshime të pjesshme, unë do të isha, për atë që të fillohet puna për një Kushtetutë të re. Formimi i një asambleje kushtetuese dhe ku të angazhohen të gjitha forcat politike, e më pas ato profesionale, e më pas kjo Kushtetutë të miratohet në popull. Pas miratimit të Kushtetutës janë ngritur vërejtje pse presidenti nuk zgjidhet nga populli. Për kushtet tona, parimi më domethënës, më i rëndësishëm për ne, aktualisht, për jetën e përditshme, është ai i ndarjes dhe i balancimit të pushteteve. Në veprimtarinë praktike, ky parim shkelet. Mirëpo edhe Kushtetuta, për mendimin tim, në një rast e ka lejuar një shkelje. P.sh neni 128 dhe 140 i Kushtetutës, kur shkarkohet anëtari i një gjykate kushtetuese për kryerjen e një krimi. Pse është në gjendje të gjykojë parlamenti? Parlamenti nuk e ka një tagër të tillë të vlerësojë nëse e ka kryer krimin një anëtar i Gjykatës së Lartë, apo i Gjykatës Kushtetuese. Mua më duket sikur parlamentit i janë lënë shumë kompetenca që bien në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Përsa i përket pozitës së presidentit, mua më duket se zgjedhja nga parlamenti ka sjellë shumë shqetësime jo për një, por më duket për të gjithë presidentët. Madje, kur ka të bëjë për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe atyre të Gjykatës së Lartë, mua më duket se është marrë e kundërta e mënyrës së zgjidhjes të vendeve të tjera të zhvilluara. Në asnjë vend të zhvilluar unë nuk e kam gjetur këtë mënyrë kështu, siç e kemi ne. Është një mënyrë që shkakton mosmarrëveshje, shkakton konflikte. Unë jam për zgjedhjen e presidentit nga populli. Sipas Kushtetutës tonë, popullit i është lënë shumë pak hapësirë të vendosë për referendume. Shumë e ndërlikuar është, për të mos thënë aspak. Garancitë kushtetuese në Kushtetutë nuk mungojnë, madje janë shumë të mira. Por në praktikë, deri nga qarqet më të larta, nuk janë respektuar, nuk respektohen. Për mbrojtjen nga diskriminimi, ose mbrojtjen përpara ligjit, Konventa europiane është më e gjerë, sesa Kushtetuta jonë.

 Na duhet një Kushtetutë e re dhe të kemi kufizim mandatesh

Dashamir Shehi, deputet

Ne do ta diskutojmë temën në princip dhe principi fillon nga nevoja që kemi për Kushtetutën, si dokument bazë i demokracisë dhe jo thjesht si interpretim juridik. Unë gjykoj se ka ardhur dita që ta ndryshojmë Kushtetutën dhe jo ta arnojmë, ta korrigjojmë. Rasti i Shqipërisë është specifik. Ndryshimet janë shumë të mëdha, janë radikale. Degjenerimi i institucioneve, që kemi pretenduar se do të ngremë demokratike, këtu e 18 vjet më para, ka mbërritur në një shkallë të tillë, që nuk mund të arnohet. Të biem dakord, që të ngremë një komision që të bëjmë një Kushtetutë. E dyta, për rregullat e lojës që duhet të ndjekim, sepse unë gjykoj që me këtë lloj dokumenti të vjetër kushtetutë, këto rrugë që kanë marrë institucionet tona, nuk korrigjohen. Është si ai rast, kur nuk shkon më një lojë, bëhen hile, ndaj duhen ndryshuar rregullat e lojës. Duhet të shkojmë drejt kufizimeve të mandateve. Kjo Kushtetutë që kemi sot, nuk ka kufizime mandatesh. As për kryeministrin, as për kryetarin e bashkisë. Imagjinoni sikur të kthehemi në retrospektivë, në këto 20 vjetët e fundit e të kishim pasur kufizim mandatesh për kryeministrin dhe sesa hapësirë demokratike do të ishte krijuar në Shqipëri. Po ta kishim këtë në Shqipëri, të jeni të sigurt që disa personazhe që shpeshherë i janë bërë barrë demokracisë, nuk do t’i kishim nëpër këmbë. Shqiptari, po e kapi karrigen, nuk e lëshon më. Ky është një realitet i hidhur. Atëherë do ta detyrojmë me Kushtetutë, që të kemi një kufi, të kemi disa terma kushtetuese. Korrigjimet e Kushtetutës bëhen në shtete që e kanë konsoliduar demokracinë. Ne jemi akoma në një fazë që duhet të gjejmë sistemin që është më i përshtatshëm për shoqërinë shqiptare. Fatkeqësisht, tregoi që kjo që zgjodhëm, nuk ishte më i përshtatshmi. Shikoni sa shpejt lëkundet, sa shpejt humbin  peshë institucionet nga marrëveshjet e natës. Ndaj duhet një Kushtetutë e re, presidenti të zgjidhet nga populli, do kemi kufizim mandatesh, dhe në bazë të këtyre shtyllave kryesore kushtetuese, hajde të ngremë edhe derivatet kushtetuese që janë pjesa tjetër. Unë gjykoj që ky duhet të jetë fillimi, kreu i debatit në Shqipëri.

 Jakup B. GJOÇA