“Kushtetuta e pakicës, e çon vendin në greminë”

40

Imuniteti, Berisha-Ramës: Të votojmë draftin, mos dëgjo klubin e miliarderëve

Në mbledhjen javore të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha i bëri sërish thirrje liderit të opozitës që në 6 gusht të votojë projektin e përbashkët për kufizimin e imunitetit.  Duke nënvizuar faktin se 6 gushti nuk është një datë arbitrare, shefi i qeverisë i kujtoi opozitës se rregullorja përcakton që drafti të votohet 2-3 javë pas përfundimit të tij. “6 gushti nuk është datë arbitrare, por është miratuar në Kuvend pa asnjë kundërshtim nga asnjë force politikë. E dikton rregullorja. Një proces i nisur nuk duhet të ndalohet kurrë. Je i detyruar ta respektosh atë në mënyrën më të vendosur”,- u shpreh Berisha. Më tej Kryeministri e cilësoi të pakuptimtë tërheqjen e opozitës, për të mos votuar në 6 gusht kufizimin e imunitetit, duke përsëritur bindjen e tij se ky proces mbahet peng nga ata që ai i quan, klubi i miliarderëve të PS-së. Ndërsa vlerësoi punën e të dyja palëve për hartimin e draftit konsensual, një ditë më parë, Berisha tha se në këtë pikë të procesit “nuk mund të pranohen argumentet e pakuptimta që përdor opozita”. “Imunitetin në këtë vend e mbajnë peng 3-4 vetë. Pasi pranuam të gjitha propozimet, pasi votuan në parim dhe nen për nen, më pas thanë se nuk jemi më, sepse nuk ishte Toma dhe Fideli. Njëherë kërkon Kushtetutë të pakicës, për të dëshmuar se ruan konceptin e sundimit të pakicës dhe pastaj kur nuk e mbron dot këtë thotë korrupsioni nuk luftohet me heqje imuniteti, po si luftohet? Unë e ftoj të votojë përndryshe do hyjë në “Guinness” si i vetmi kryetar i opozitës që e do kryeministrin me imunitet. E ka hallin tek klubi i miliardëve në krye të opozitës, por me Kushtetutën e pakicës e çon vendin në greminë”,- përfundoi shefi i qeverisë.

Drafti i përbashkët
Maxhoranca dhe opozita ndonëse ranë dakord për një draft të përbashkët për imunitetin, nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për ta votuar këtë projektligj në seancën parlamentare të 6 gushtit. Drafti konsensual është votuar pasditen e djeshme në Këshillin e Legjislacionit nen për nen, por opozita refuzoi ta votojë atë në tërësi duke deklaruar se këtë qëndrim do të mbajë edhe në seancën plenare të 6 gushtit. Socialistët këmbëngulën që imuniteti të jetë pjesë e një pakete ndryshimesh kushtetuese, të cilat do t’i votojë vetëm në shtator. Ndërkohë, demokratët e kanë quajtur veprimin e opozitës si një tentativë të radhës për të bllokuar procesin e integrimit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni parlamentar i Ligjeve zhvilloi seancën e radhës pasditen e djeshme për amendimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit. PS e PD prezantuan draftin e përbashkët mbi një çështje të tillë. Por pavarësisht se një draft i njësuar, sërish PS këmbëngul në përfshirjen e këtyre ndryshimeve kushtetuese dhe ajo pjesë propozimeve të saj që lidhen me reformën në zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të drejtësisë.

Varianti i përbashkët. (Propozim)
Neni l
Neni 73 ndryshohet si vijon: “Neni 73”
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.
3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.
4. Për çështjet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni. Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura për arsye të mbrojtjes së të dhënave. Vendimi merret me votim të hapur.
Amendamenti 2. Neni 2 i projektligjit të riformulohet si vijon :
Neni2
Neni 126 ndryshohet si vijon: “Neni 126”
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij.
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e vetë gjykatës, përveçse nëse kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në Gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta Urojë atë”.
Amendamenti 3. Neni 3 i projektligjit të riformulohet si vijon :
Neni 3
Neni 137 ndryshohet si vijon : “Neni 137
1. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e vetë gjykatës, përveçse nëse kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.
2. Gjyqtarët nuk mbajnë përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tyre gjyqësore.
Gjyqtari nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përveçse nëse kapet gjatë kryerjes ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili mund të vendosë për heqjen e masës.”