Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Presidentin Nishani për ligjin e KLD

387
Sigal

TIRANE – Gjykata Kushtetuese vendosi sot të rrëzojë kërkesën e Presidentit Bujar Nishani për pezullimin e ligjit të miratuar nga Parlamenti për Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
 
Por, përfaqësuesit juridik të institucionit të presidencës në këtë proces, kanë ribërë edhe njëherë kërkesën për pezullimin e ligjit, duke u fokusuar vetëm në një nen të tij, atë që flet për zgjedhjen e zëvendëskryetarit të KLD-së.
 
Ledina Mandia, juriste e Presidentit, tha se parlamenti nuk mund të heqë me ligj kompetencat që Kushtetuta i jep kreut të shtetit. “Kërkuam pezullimin e ligjit pasi pati veprime konkrete, si shkarkimi i Elvis Çefës, njëherësh nënkryetar i KLD, dhe Lulzim Lelçaj. Ribëjmë sërish kërkesë për pezullim pasi zgjedhja e dy anëtarëve të rij do të përcaktojë zëvendëskryetarin e ri”, tha Medina para trupës gjykuese në Kushtetuese, dhe juristëve të qeverisë dhe Kuvendit.

Sipas palës përfaqësuese të Presidentit Bujar Nishani, zgjedhja e dy anëtarëve të rinj në KLD, konkretisht Albana Shtyllës dhe Vangjel Kostës në vendin e Çefës e Lelçajt, u bë pa shumicë të cilësuar në parlament. “Gjykata Kushtetuese t’i drejtohet Komisionit të Venecias për këtë konflikt juridik për ligjin e KLD”, tha juristja Mandia.
 
Mandia tha se “nënkryetari i KLD-së është funksion kushtetues, dhe mund të jetë edhe gjyqtar, por duke pezulluar mandatin e gjyqtarit. Ndërsa juristi i Këshillit të Ministrave, Artur Metani, ndërsa kërkoi rrëzimin e kërkesës së Presidentit, tha se nëqoftëse nënkryetari i KLD-së do të jetë një gjyqtar, atëherë ai nuk do të mund të shërbejë në këtë post me kohë të plotë.