Kushtetuesja pranon padinë e PD-së për Dvoranin

435
Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizimin e paragrafit 3 të nenit 5, në ligjin ‘”Për funksionimin e Gjykatës së Lartë”, i cili parashikon që gjyqtari, të cilit i përfundon mandati të vazhdojë ta ushtrojë detyrën deri në emërimin e gjyqtarit pasardhës. “Sot Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi, si dhe prapësimet e paraqitura nga subjektet e interesuara, në mbështetje të neneve 131/a dhe 134/1/c të Kushtetutës, si dhe të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, njëzëri vendosi pranimin e kërkesës”, thuhet në njoftimin e djeshëm të gjykatës.
Padia e PD-së
Padia e PD-së në këtë gjykatë u bë në prill të këtij viti, pas refuzimit nga ana e mazhorancës të 7 dekreteve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, ku shkak i këtij ngërçi institucional, ishte gjyqtari Ardian Dvorani, të cilit edhe pse i ka mbaruar mandati në 17 shkurt 2014, ai vijon ta ushtrojë detyrën e tij. “Refuzimi është bërë jo në ushtrim të kësaj të drejte/përgjegjësie kushtetuese, por për shkaqe jo kushtetuese, ku në vlerësimin tonë përfshihet edhe qëllimi për zgjatjen e mandatit të gjyqtarit A.D.”, thuhet në kërkesën prej 11 faqesh. Në padinë e tyre në Kushtetuese, demokratët argumentojnë se kjo situatë ka sjellë pasojën antikushtetuese që për këtë anëtar të Gjykatës së Lartë, mandati kushtetues nga 9 vjet të shndërrohet me ligj në 11 vjet apo më shumë. Në praktikë, kjo dispozitë ka sjellë një situatë sa antikushtetuese, aq edhe absurde. 

Duke qenë se Kushtetuta ka parashikuar një formulë të tillë emërimi që përfshin dy organe (Presidentin e Republikës dhe Kuvendin e Shqipërisë), emërimet në Gjykatën e Lartë janë të bllokuara që nga data 1 tetor 2013. Edhe pse Presidenti i Republikës ka emëruar deri më tani më shumë se shtatë anëtarë të Gjykatës së Lartë (për tri vende vakante, të cilat janë krijuar dy, për shkak të rritjes së numrit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga 17 në 19 anëtarë, dhe një vend vakant, për shkak të përfundimit të mandatit të një anëtari të Gjykatës së Lartë), Kuvendi nuk ka dhënë pëlqimin për asnjërin prej tyre, edhe pse nuk ka ngritur asnjë pretendim për meritën e kandidatëve! Ky bllokim, nga ana e Kuvendit dhe vetë përmbajtja e pikës 3 të nenit 5 të ligjit, ka krijuar në vetvete një antikushtetutshmëri të paprecedentë për Gjykatën e Lartë. Gjyqtari A.D. është emëruar me dekretin nr. 4481, datë 17 shkurt 2005, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, anëtar i Gjykatës së Lartë. Mandati i tij ka përfunduar më datë 17 shkurt 2014. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vjet nga përfundimi i mandatit kushtetues, bazuar në pikën 3 të nenit 5 të ligjit (të cilës në këtë rast i është dhënë edhe fuqi prapavepruese!!!), gjyqtari A.D. vijon të ushtrojë detyrën. De facto, një praktikë e tillë dhe përmbajtja e vetë ligjit, ka sjellë pasojën antikushtetuese që për këtë anëtar të Gjykatës së Lartë, mandati kushtetues nga nëntë vjet të shndërrohet me ligj në 11 vjet apo më shumë!!! Ne kemi të gjitha dyshimet e arsyeshme të bazuara në veprimtarinë parlamentare të Kuvendit, se refuzimi që ky organ u ka bërë shtatë dekreteve të Presidentit të Republikës, kanë si qëllim të vetëm zgjatjen antikushtetuese të mandatit të këtij anëtari të Gjykatës së Lartë. Pra, në vetvete, rregullimi ligjor antikushtetues i zgjatjes së mandatit të anëtarit të Gjykatës së Lartë deri në emërimin e gjyqtarit pasardhës, ka krijuar edhe një situatë të paprecedentë në Shqipëri (bllokimin për më shumë se dy vjet të emërimeve në Gjykatën e Lartë), që cenon edhe dispozitat kushtetuese që rregullojnë procesin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Sigal