Kushtetuesja për Kokëdhimën: Mandati nis kur e merr në KQZ jo në Kuvend

555
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për heqjen e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima. Sipas vendimit të Gjykatës, mandati i deputetit nis që në momentin kur kandidati shpallet deputet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). “Nga ky moment ai është i detyruar të plotësojë të gjitha kërkesat kushtetuese e ligjore që lidhen me ndalimin e kryerjes së aktiviteteve të tjera apo deklarimet lidhur me interesat e tij financiarë, siç parashikohet në nenin 70 të Kushtetutës dhe në ligjet e tjera përkatëse. Mandati i deputetëve lidhet me mandatin e Kuvendit, pasi marrja ose fitimi i mandatit nga deputetët konsiderohet si kusht paraprak për të filluar mandati i vetë Kuvendit, por mandati i deputetit nuk fitohet në Kuvend, ai fitohet gjatë një procesi votimi të përgjithshëm, ku zgjedhësit shprehin lirshëm preferencën e tyre për kandidatët”, thuhet në vendim.

Ndryshe nga se pretendonte Kokëdhima se mandati niste në momentin kur bënte betimin në Kuvend, Gjykata Kushtetuese vlerëson se momenti i betimit shënon datën e fillimit të ushtrimit të detyrës dhe jo fillimin e mandatit. Gjithashtu, Gjykata thekson se për vitin 2013, në të cilin janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe shtetasi Koço Kokëdhima është zgjedhur deputet, shoqëria “Abissnet” sh.a. ka lidhur kontrata shërbimi me disa institucione shtetërore si Bashkinë Elbasan, komunën e Petrelës, Bashkinë e Durrësit, Avokatin e Popullit dhe një sërë institucionesh të tjera publike, kontrata këto 1 vjeçare.

“Bazuar në aktet e administruara në gjykim, Gjykata vëren se kontratat e lidhura midis palëve për ofrimin e shërbimit të internetit dhe të telefonisë fikse kanë qenë kontrata me ekzekutim jo të menjëhershëm, por të vazhdueshëm në kohë, për pasojë edhe detyrimet e palëve nga këto kontrata kanë vijuar edhe pas momentit të fitimit të mandatit të deputetit. Gjykata vlerëson se pavarësisht se këto kontrata janë lidhur përpara momentit të shpalljes së tij fitues dhe se shoqëria “Abissnet” sh.a. nuk ka marrë pjesë në asnjë procedurë prokurimi e nuk ka lidhur asnjë kontratë tjetër me institucionet shtetërore pas datës 02.08.2013, këto fakte në aspektin kushtetues nuk e përjashtojnë këtë deputet apriori nga përgjegjësia, për sa kohë që u pranua dhe u provua në gjykim se pavarësisht momentit se kur kanë lindur apo kanë filluar marrëdhëniet juridike mes palëve, shoqëria tregtare, ku deputeti Koço Kokëdhima ka qenë aksionar i vetëm, ka vijuar të ketë të ardhura që kanë buruar nga pasuria e shtetit edhe gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit”, thuhet në vendim.
Sigal