Kushtetuesja nuk e heq masën pezullimit për Vettingun, gjyqtarë e prokurorë do humbasin punën

453
Sigal

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Kuvendit, për heqjen e pezullimit për Vettingun, duke e lënë ende pezull ligjin, pjesë e paketës së reformës në drejtësi. Ndërsa vijon shqyrtimin e kërkesës së PD për ligjin në themel.

Në kërkesën e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, Partia Demokratike kërkonte shfuqizimin e Vettingut, pasi sipas tyre bie ndesh me Kushtetutën e vendit. Sipas PD, me këtë ligj “qeveria kërkon të marrë kontrollin e gjyqësorit”.

Në seancën e sotme, Gjykata ka dëgjuar argumentet e palëve. Partia Demokratike përfaqësohet nga Oerd Bylykbashi, Gazmend Bardhi dhe Ivi Kaso; ndërsa Partia Socialiste përfaqësohet nga Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Vasilika Hysi.

Të pranishëm në seancën e sotme janë edhe ambasadori i SHBA në vendin tonë Donald Lu, dhe ambasadorja e BE, Romana Vlahutin.

Në paraqitjen e argumenteve të tij, deputeti socialist Pandeli Majko kërkoi të hiqet masa e pezullimit të ligjit të Vettingut.

“Nuk dimë arsyet përse Gjykata e pezulloi Vettingun. Nuk ka dyshime serioze që bie ndesh me Kushtetutën”, tha Majko.

Në përgjigje të kësaj, gjyqtari Gerd Hoxha tha se “Nuk duhet hequr masa e pezullimit të ligjit. Me këtë ligj gjykatës e prokurorë do humbin punën”.

Sakaq, ndërhyri edhe përfaqësuesi i PD duke u shprehur se “Nuk duhet hequr masa e pezullimit. Vendimi i Kushtetueses nuk duhet diskutuar, vetëm duhet respektuar”.

Teksa Bardhi ishte duke u shprehur se “PD nukë është kundër Vettingut. Vettingu është ngjarje e sigurt në të ardhmen”, ndërhyri kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, i cili theksoi se “këtu nuk jemi për politikë”.

Pas kësaj, përfaqësuesi i PD Gazmend Bardhi shtoi se “ligji gjunjëzon drejtësinë para mazhorancës, mundëson kapjen nga politika të gjyqësorit. Do ketë aleancë mes qeverisë e gjyqtarëve të korruptuar. Do të penalizohen gjykatësit e ndershëm”.

Vlen të theksohet se ligji i Vettingut po shqyrtohet edhe në Komisionin e Venecias.