Kushtetuesja në ngërç/ Presidenti Meta hap procedurat për gjyqtarët e rinj

59
Gjykata Kushtetuese ka mbetur me 6 anëtarë nga 9 që duhet të ketë pas mbarimit të një mandati dhe një dorëheqje të para pak ditëve. Në kushtet kur kjo gjykatë ndodhet në vështirësi për të marrë vendime me kourum, Presidenti Ilir Meta ka njoftuar hapjen e procedurave për gjyqtarë të rinj.
Më poshtë njoftimi i Presidencës
Presidenti i Republikës, në mbështetje të Kushtetutës dhe parashikimeve të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, duke vlerësuar njoftimet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbi vakancat e krijuara në këtë trupë gjyqësore, me qëllim nisjen e procesit të përtëritjes së përbërjes së Gjykatës Kushtetuese dhe emërimit të gjyqtarit të ri për plotësimin e “Vakancës së parë”, krijuar për shkak të mbarimit të mandatit të ish-gjyqtarit Sokol Berberi, si dhe plotësimit të “Vakancës së pararakoshme”, krijuar për shkak të mbarimit përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj për shkak të dorëheqjes së tij, me cilësinë e organit të emërtesës me Dekretin nr.10722, datë 07.02.2018 dhe Dekretin nr. 10723, datë 07.02.2018, ka miratuar ;
• Shpalljen e procedurës së aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me qëllim plotësimin e “Vakancës së parë” të krijuar për shkak të përfundimit të mandatit të ish-gjyqtarit të kësaj gjykate Z. Sokol Berberi.
• Shpalljen e procedurës së aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, për plotësimin e “Vakancës së parakohshme” të krijuar nga përfundimi përpara kohe i mandatit, të ish-gjyqtarit Z. Besnik Imeraj, më datë 31.01.2018, për shkak të heqjes dorë prej tij nga kjo detyrë.
Presidenti i Republikës fton;
Çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në Kushtetutë dhe ligjin nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të marrë pjesë në këtë procedurë të konkurimit të hapur publik.
Publikimi me të dhënat e nevojshme mbi dorëzimin e kërkesës dhe të dokumentacionit të kërkuar gjendet i publikuar në faqen zyrtare të internetit të institucionit të Presidentit të Republikës, si dhe në mjetet e tjera të informimit publik.