Kushtetuesja, kundër disa ndryshimeve në Kodin Penal (vendim jo bindës)

557
Sigal

Para disa ditëve u njoha me vendimin nr.47, datë 26.07.2012 të Gjykatës Kushtetuese. E lexova dhe e rilexova me vëmendje atë. Për shqyrtimin e çështjes që do të përmendim më poshtë, Gjykatën e kishte vënë në lëvizje Gjykata e Apelit Vlorë. Ajo duhet të shqyrtonte dhe të vendoste lidhur me një ankesë që ishte bërë kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë. Sipas nenit 145, pika 2 të Kushtetutës, kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën nuk i zbatojnë ato. Në këtë rast ato pezullojnë gjykimin dhe ja dërgojnë çështjen Gjykatës Kushtetuese. Çështja i dërgohet asaj sepse vetëm ajo ka të drejtë të shprehet për papajtueshmërinë ose jo të ligjit me Kushtetutën.

Përse Gjykata e Apelit Vlorë ja dërgoi çështjen Gjykatës Kushtetuese?

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se kërkuesi (Gjykata e Apelit) i kërkonte Gjykatës Kushtetuese që të shfuqizonte si antikushtetuese nenet 190 dhe 191 të Kodit Penal sepse ato binin ndesh me nenet 17/1, 18 dhe 30 të Kushtetutës. Kërkohej gjithashtu të shfuqizohej si antikushtetues edhe paragrafi i fundit i nenit 29 të Kodit Penal që parashikon dhënien bashkërisht të dy dënimeve kryesore, burgim dhe gjobë.

Duhet përmendur se, si neni 190 edhe neni 191 janë nga ato dispozita ku Gjykata, në rast se vërtetohet fajësia, zbaton bashkërisht si dënimin me burgim edhe gjobën.

Lexuesi i thjeshtë nuk di çfarë thuhet në nenet 190 dhe 191 të Kodit Penal dhe as në paragrafin e fundit të nenit 29 të Kodit Penal. Ai ndoshta nuk di edhe çfarë thuhet në nenet 17/1, 18 dhe 30 të Kushtetutës. Prandaj që problemi të jetë i kapshëm dhe i qartë më duhet të përmend përmbajtjen e tyre. Neni 190 i Kodit Penal bën fjalë për falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve. Ai ka tre paragrafë dhe në të treja këto është parashikuar dhënia bashkërisht e dy dënimeve: burgim dhe gjobë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për nenin 191 të Kodit Penal ku bëhet fjalë për falsifikimin e akteve të gjendjes civile. Në nenin 29 paragrafi i fundit të Kodit Penal theksohet se dënimet me burgim dhe gjobë jepen bashkërisht kur parashikohet në dispozitat përkatëse të këtij Kodi.

Në Kodin Penal ka 44 nene që parashikojnë dhënien bashkërisht të dy dënimeve. Midis tyre mund të përmendim: veprat e trafikimit të personave, të trafikimit të femrave, të trafikimit të të miturve, korrupsioni aktiv dhe korrupsioni pasiv, financimi i terrorizmit etj.

Le t’i referohemi tani dispozitave kushtetuese. Në nenin 17/1 thuhet se “Kufizimi i të drejtave dhe lirive të parashikuara në Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar”.

Në nenin 18 të Kushtetutës thuhet se njerëzit janë të barabartë përpara ligjit dhe si rrjedhim ata nuk duhet të diskriminohen, ndërsa sipas nenit 30 të Kushtetutës, çdo njeri quhet i pafajshëm derisa nuk është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Vlerësimi për kërkesën e Gjykatës së Apelit Vlorë

Mendojmë se kërkesa nuk ishte e bazuar, ishte e paargumentuar dhe pjesërisht dilte jashtë asaj që kërkohej. Gjykata e Apelit duhet të përqendrohej vetëm në nenet 190 dhe 191 të Kodit Penal sepse kjo ishte çështja konkrete në gjykim dhe mbi këtë bazë të argumentonte cilat dispozita kushtetuese binin ndesh me nenet e mësipërme.

Në këto kushte, sipas mendimit tim, Gjykata Kushtetuese, kërkesën duhet ta kthente për plotësim ose rregullim dhe në rast se kjo nuk do të ndodhte, Gjykata e Apelit duhet që çështjen ta shqyrtonte dhe të vendoste.

E shikoj të nevojshme të përmend se vetë Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar të pabazuara referimet që bëheshin në kërkesë për nenin 29, paragrafi i fundit i Kodit Penal, nenin 18 dhe 30 të Kushtetutës.

Çfarë vendosi Gjykata Kushtetuese?

Ajo pranoi shqyrtimin e kërkesës dhe në përfundim vendosi të shfuqizonte si të papajtueshëm me Kushtetutën nenet 190 dhe 191 të Kodit Penal sepse në to parashikohej dhënia bashkërisht e dy dënimeve kryesore me burg dhe me gjobë. Si rrjedhim, ky veprim kushtëzonte edhe shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 29, paragrafi i fundit të Kodit Penal sepse në këtë dispozitë, siç përmendëm më lartë thuhej se Gjykata duhej të zbatonte bashkërisht si dënimin me burgim dhe atë me gjobë, nëse ato parashikohen në vetë dispozitat e këtij Kodi.

Meqë Gjykata Kushtetuese e pa të arsyeshme të mos kufizohej në nenin 190 dhe 191 të Kodit Penal që kishin lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen që gjykohej nga Gjykata e Apelit Vlorë, ju referua edhe nenit 29 të Kodit Penal, pa bërë ndonjë analizë, por vetëm sepse ajo referonte në dispozitat që parashikonin dy dënime. Në këto kushte, do të duhej të argumentohej përse këto nene, binin ndesh me nenin 17/1 të Kushtetutës. U mundova ta sqaroja këtë çështje sepse në funksion të saj, rrotullohen arsyetimet që jepen nga ana e gjykatës, por që nuk të bindin, madje të krijojnë përshtypjen se gjykata e ka pasur relativisht të vështirë të paraqiste argumentet e nevojshme. Në këtë aspekt, bie në sy mungesa e rrjedhshmërisë, prania e përsëritjeve të panevojshme dhe pjesërisht kontradiktore.

A është cenuar neni 17/1 i Kushtetutës?

Zbatimi i dy dënimeve bashkërisht në nenin 190 dhe 191 si dhe në dispozitat e tjera të Kodit Penal që parashikojnë zbatimin bashkërisht të tyre është në fakt kufizim i lirisë për atë që kryen një vepër penale. Mirëpo, ky kufizim është sanksionuar me ligj për një interes publik dhe në mbrojtje të të drejtave të të tjerëve.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj nuk ka mundur të arsyetojë të kundërtën. Ky kufizim, sipas nenit të mësipërm duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen qe e ka krijuar. Gjykata Kushtetuese, në vend të jepte argumente se zbatimi i dy dënimeve bashkërisht nuk ka qenë në përpjesëtim me gjendjen e krijuar “ndoshta pa dashur” ka evidentuar se: “ligjvënësi në periudha kohore të ndryshme ka ndërhyrë në legjislacionin e ri, si duke përcaktuar vepra të reja penale dhe duke ndryshuar llojet e masave të dënimit për t’iu përgjigjur shqetësimeve të shoqërisë, si pasojë e zhvillimit të kriminalitetit, në veçanti krimit të organizuar” dhe më poshtë “në këto kushte ligjvënësi ka sanksionuar dy dënime kryesore për autorët e disa veprave penale”.

Kjo do të thotë se, edhe sipas Gjykatës, këto kufizime i ka diktuar gjendja, pra ka qenë e motivuar. Në këtë vështrim, Gjykata Kushtetuese mendojmë se e ka patur të vështirë t’i referohej ndonjë dispozitë tjetër kushtetuese për të evidentuar kufizimin konkret të lirisë në kundërshtim me nenin 17/1 të Kushtetutës.

Hapësira e ligjvënësit në vlerësimin e politikave penale

Edhe në këtë drejtim, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese paraqiten argumente jo bindëse. Kështu, në vendimin e saj, ajo shprehet se “Gjykata çmon, se ndonëse ligjvënësi, në përcaktimin e veprave penale ka fushë të gjerë veprimi, kjo liri është e kufizuar, kur është fjala për vlerësimin e fajit si element i domosdoshëm i përgjegjësisë penale në raport me shkallën e tij, përcaktimin e llojit dhe masës së dënimit konkret, pasi këto elementë janë të vlerësueshme nga gjykatat e zakonshme rast pas rasti”. Në fakt ligjvënësi, duke miratuar disa dispozita që parashikojnë zbatimin bashkërisht të dy dënimeve nuk ndërhyn në punën e pushtetit gjyqësor, nuk i merr atij ndonjë kompetencë, nuk përcakton fajësinë e autorit të krimit, etj. Gjykata, edhe në këto raste, kur çmon të arsyeshme mund të zbatojë ato dispozita lehtësuese.

E shikoj të nevojshme të përmend gjithashtu se, ligjvënësi, duke parashikuar zbatimin bashkërisht të dy dënimeve, ka synuar të godasë autorin apo autorët e disa veprave penale edhe në aspektin ekonomiko-financiar për ta dobësuar atë, për ta dekurajuar, për t’ia bërë më të vështirë vazhdimin në rrugën kriminale. Kjo është një praktikë që zbatohet edhe në vende të tjera, veçanërisht në veprat që në kushte të caktuara paraqitin rrezikshmëri të theksuar shoqërore ose kanë tendencën e rritjes dhe të organizimit.

Në praktikën e Gjykatës Kushtetuese, ka patur mjaft shembuj që vërtetojnë kufizimin me ligj të lirive dhe të drejtave të shtetasve. Do të mjaftonte të përmendim dy prej këtyre vendimeve. Në vitin 1996, Kuvendi i Shqipërisë, me arsyetimin se momentet kërkonin goditje të rëndë të fajtorëve dhe ashpërsimin e dënimeve, se duhet të vendoseshin dënime të padiskutueshme, nëse fajësia do të vërtetohej, miratoi në Kodin Penal mjaft dispozita që parashikonin dënime fikse. Kjo ishte flagrante, prandaj, në vitin 1997 Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi të gjitha këto dispozita si antikushtetuese. Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese e përmend këtë rast, por ky nuk është argument për të justifikuar vendimin që ajo ka marrë për dispozitat e tjera ku parashikohet zbatimi i dy dënimeve bashkërisht. Mund të përmendim këtu edhe vendimin nr.11, datë 02.04.2008, që ka shfuqizuar si antikushtetues nenin 315 të Kodit Penal që parashikonte dënimin e gjyqtarit në rast të vendimit të padrejtë që ai mund të jepte. Ky vendim u shfuqizua sepse cenonte direkt pavarësinë e gjyqësorit, kur dihet se vendimet e Gjykatës mund të prishen apo ndryshohen nga instancat më të larta. Supozimi i fajësisë, pa u vërtetuar ajo çon në arbitraritet, cenon parimin e prezumimit të pafajësisë dhe procesin e rregullt ligjor.

Argument i sforcuar

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj, i referohet neneve të Kodeve Penale të disa vendeve siç janë Gjermania, Franca, Italia, Kroacia, Serbia, Estonia etj, në Kodin Penal të të cilave kanë afërsisht formulime të njëjta me ato të neneve 190 dhe 191 të Kodit tonë Penal dhe ku shumica e tyre (me përjashtim të Gjermanisë, Francës dhe Italisë) kanë parashikuar vetëm një masë dënimi.

Nuk i di mirë kushtet dhe rrethanat përse zbatimi i dënimit bashkërisht tek ne ndryshon nga ai i shumë vendeve të tjera sepse për këtë duhej një analizë më e gjerë, më e thelluar dhe përgjithësuese. Kam mendimin se këto ndryshime nuk janë të natyrës Kushtetuese sepse po të ishte kështu, Gjermania, Franca dhe Italia do të duhej të rishikonin dispozitat që mund të binin ndesh me Kushtetutat e tyre. Nëse do të krahasonim Kodet Penale edhe të mjaft vendeve të tjera, do të na tërhiqte vëmendjen se edhe në ato ka ndryshime. Ndryshimet janë të pranueshme sipas veçorive, ndërsa parimet bazë duhen zbatuar nga të gjithë sepse cenojnë liritë dhe të drejtat e shtetasve të sanksionuara në kushtetutat e vendeve demokratike dhe në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Lidhur me vendimin e mësipërm të Gjykatës Kushtetutës, ka edhe çështje të tjera, por mendova të ndalem në ato që janë më të rëndësishme dhe më të kuptueshme nga të tjerët. Gjykata Kushtetuese, siç dihet, shqyrton, trajton dhe vendos për çështje të natyrës kushtetuese. Në aspekte të tjera, mendoj se për Kodin Penal ka vërejtje që konsistojnë në ndryshimet e shumta dhe pjesërisht të nxituara. Shkaku: mungesa e debatit paraprak gjithëpërfshirës.

Është për të ardhur keq që vendime të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese (të tilla nuk janë të pakta) nuk bëhen objekt diskutimi dhe debate në rrethe të gjera juristësh përfshi fakultetet e drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës etj..

I tillë mendoj se mund të ishte edhe vendimi nr.47, datë 26.07.2012 i Gjykatës Kushtetuese.