Kushtetuesja i “zhyti në baltë” qiramarrësit

483
Sigal

Intervista/Flet Myftar Kurti, kreu i Shoqatës së Qiramarrësve të Shtëpive të Pronarëve të  Durrësit, për rrëzimin e padisë

Lënia në fuqi e Aktit Normativ për lirimin e banesave të pronarëve është një goditje e rëndë për familjet që jetojnë në këto shtëpi. Një veprim të tillë e ka dënuar në një intervistë të dhënë për “Telegraf” kreu i Shoqatës së Qiramarrësve të shtëpive të pronarëve Myftar Kurti. Sipas tij, lënia në fuqi e këtij akti është një goditje e madhe për këto familje. Ai shton se marrja e kredisë nga këto familje është e vështirë dhe se shumica prej tyre nuk kanë mundësi që ta shlyejnë.

-Zoti Myftar, padia  e shoqatës suaj u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, si e pritët këtë vendim?

-Ky vendim është një maskaradë e paraqitur me shumë zgjuarsi nga qeveria në bashkëpunim me Gjykatën Kushtetuese. Pra dhe ai mur mbrojtës që pati populli tek Gjykata Kushtetuese u shemb nga vetë gjykata me një vendim që dha prej 6 rreshtash për Aktin Normativ. Ky vendim që u dha tregon se do të vijnë ditë jo të mira për shoqatën tonë dhe për vetë qeverinë. Sepse megjithëse u miratua ai akt do të krijojë kaq shqetësime sa do të jenë të paimagjinueshme edhe për vetë qeverinë.

-Çfarë keni parasysh kur thoni që do të sjellë shqetësime vendimi i marrë për lënien  në fuqi të Aktit Normativ?

-Po e them këtë, sepse praktika e marrjes së kredive është një konklomerat i pazbërthyeshëm, është një burokraci e tërë administrative, dhe ekonomike që vetë banka do të jetë përgjegjëse kryesore për dhënien e kredive. Po lërë pastaj kalvari i gjatë që duhet për gjetjen e banesave me çmime të lira, që as bëhet fjalë që ekzistojnë banesa me hipotekë me aq lekë sa mendojnë këto që jep banka 35 milion lekë. Sot shtëpitë në Durrës dhe Tiranë janë mbi 65 apo 70 milion. Për të mos folur pastaj edhe për pengesat që nxjerrin komisionet e bankave, që pyesin sa veta jeni, sat ë ardhura keni? Pra janë pengesa të pafundme. Po ashtu pastaj, rreth 90 për qind e këtyre familjarëve janë të papunë dhe janë dhe pensionistë, me se do e shlyejnë këto këtë kredi ato nuk i plotësojnë kushtet.

-Atëherë si do të procedohet me këto raste kur nuk plotësojnë kushtet, a keni marrë ndonjë informacion?

-Në këtë rast qeverisë do ti duhet që të ndërtojë disa kapanone për pensionistët, sepse kështu e ka pas thënë qeveria. Pra ato do të krijojnë disa kapanone, që do jenë më keq se ato të kohës së komunizmit. Pra tani do të bëhet një internim, por në kohën e demokracisë.

-Çfarë reagimi do të ketë Shoqata juaj në lidhje me lënin në fuqi  të Aktit Normativ?

-Ne kemi biseduar dhe sipas mundësive që kemi do t’i drejtohemi Gjykatës së Strasburgut, pasi ky është një vendim që shkel të drejtat e Njeriut.

-Me çfarë arsyetimi doli gjykata pas marrjes së vendimit për lënien në fuqi të këtij Akti Normativ?

-Akoma se ka dhënë përgjigjen se kush janë motivet që nuk e pranuan padinë tonë dhe kjo është një handikap i madh. Ky nuk një vendim që ne na ka diskriminuar. Një grup e favorizon ndërsa grupin tjetër e zhyt në baltë. Ky nuk është mendimi im si qytetar, por është vendimi i disa avokatëve dhe disa ish pjesëtarëve të kësaj gjykate.

-Ju patët kërcënuar me protesta, a qëndron ende kjo ide?

-Po është e vërtetë që ne patë folur për protesta, por do të mblidhemi si shoqatë de do të marrim një vendim. Por dua të them që me protesta ne nuk duam që ti japi një “buzëqeshje”tjetër qeverisë.