Kushtet e Junkerit për Shqipërinë dhe Ballkanin

654
Bernd Riegert
Nga e diela e deri të mërkurën, presidenti i Komisionit të BE-së do të vizitojë Ballkanin Perëndimor
Me këtë turne rrufe në Maqedoni, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, Junkeri synon të “japë kurajë”, siç e quan ai. Në strategjinë e prezantuar para do kohe ai kishte përmendur për herë të parë një datë për anëtarësim të mundshëm në BE, konkretisht vitin 2025. Por kjo datë nuk do të thotë se pas shtatë vjetësh të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen anëtare të BE-së. “Kjo është vetëm një datë inkurajuese”, tha Junkeri para vizitës. Gjashtë qeverive të anëtarëve potencialë të BE-së duhet t‘u kërkohet që të bëjnë më shumë reforma, të bëjnë më shumë për shtetin ligjor, të luftojnë korrupsionin, të garantojnë lirinë e medias, të nxisin ekonominë dhe të zgjidhin konfliktet me njëri-tjetrin. Vetëm nëse kjo do të bëhet në masën e duhur dhe nëse plotësohen disa kritere, do të ketë anëtarësime, thonë burime nga zyra e Junker-it në Komisionin e BE-së. Vullneti i BE-së për anëtarësim ekziston dhe këto vende kanë një perspektivë të vërtetë.

Shqipëria dhe Maqedonia mund të fillojnë negociatat
Pak para se presidenti i Komisionit të niset për Ballkan, komisioneri i BE-së, Johanes Han, ka thënë se Shqipëria dhe Maqedonia së shpejti mund të fillojnë negociatat formale të anëtarësimit. Në verë, tha Han, do të caktohet një datë konkrete. Deri tani negociata formale kanë filluar vetëm me Serbinë dhe Malin e Zi, dhe Mali i Zi, i cili është anëtar i NATO-s ka bërë përparimet më të mëdha. “Këtu kemi të bëjmë me 18 milionë njerëz në gjashtë shtete të rajonit që ndodhen ende në situata delikate. Prandaj është në interes të BE-së, që t’i ndihmojë këto shtete dhe këta njerëz e t’u japë një perspektive”, pat thënë Johanes Han gjatë prezantimit të strategjisë më të fundit për Ballkanin. Gjatë udhëtimit të tij në Ballkan, kryetari i Komisionit, Jean-Claude Junker, do të haset me një sërë konfliktesh të pazgjidhura ndërmjet shteteve. Atë më të madhin e ka për momentin Kosova, e cila nuk njihet nga të gjitha shtetet e BE-së dhe para së gjithash nga Serbia. Para se Serbia ose Kosova të bëhen dikur anëtare të BE-së, ky problem duhet të zgjidhet. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përpiqet që t’i parapërgatisë shtetasit e vet se në fund duhet ta njohin Kosovën. “Për ta parë veten në Evropë, na duhet të paguajmë një çmim nga e kaluara”, tha Vuçiçi gjatë vizitës së tij në Komisionin Evropian, dy javë më parë. Bashkimi Evropian përpiqet prej katër vjetësh të arrijë një pajtim ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, deri tani pa sukses bindës. Junckeri do të ndërmarrë një përpjekje të re për ndërmjetësim në udhëtimin e tij në Ballkan, thonë qarqe diplomatike nga Brukseli. Jo vetëm pasojat e luftës së Kosovës, por edhe pasojat e luftërave civile në ish-Jugosllavi do të merren me presidentin e Komisionit të BE-së. Kroacia, tashmë anëtare e BE-së, dhe Serbia kanë disa llogari të hapura për shkak të reparacioneve të luftës. Bosnja-Hercegovina vazhdon të jetë e ndarë etnikisht mes kroatëve, serbëve dhe myslimanëve dhe thuajse e paaftë për të funksionuar. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, gjatë një vizite në Bruksel, tha se ekzistojnë „interesa të përbashkëta” mes Kroacisë dhe Serbisë për të bashkëpunuar ekonomikisht dhe politikisht në kuadër të BE-së. Por, sipas tij, ka shumë çështje të hapura në lidhje me reparacionet e dëmeve të luftës.

Junker do të sqarojë dhe do të kërkojë durim
“Ne mund të ndikojmë këtu duke sqaruar dhe duke ua bërë të qartë se problemet duhet të zgjidhen, përndryshe vetëm sa humbim kohë”, tha Jean-Claude Junker disa ditë para nisjes në Ballkan. Veç kësaj në Evropë duhet durim, tha Junker. “Marrëveshja e reparacioneve të luftës ndërmjet Gjermanisë dhe Luksemburgut u arrit vetëm pas 45 vjetësh”, tha Junkeri, i cili më parë ka qenë kryeministër i Luksemburgut. Nga vera, ose nga fillimi i vjeshtës Komisioni i BE-së do të publikojë itineraret konkrete për secilin prej gjashtë vendeve që synojnë anëtarësimin në BE. Itineraret do të marrin parasysh rrethanat në secilin vend, tha një zëdhënës i Komisionit të BE-së. Më parë kryetarja e radhës së BE-së, Bullgaria, e pati ftuar BE-në Sofje për një samit mbi Ballkanin Perëndimor. Bullgarët duan t’u japin patjetër një hov të ri negociatave me shtetet e tyre fqinje në Ballkan. Ndërsa Gjermania dhe vendet e tjera perëndimore në BE kanë shumë rezerva. Kancelarja federale, Angela Merkel, për shembull, nuk e ka përmendur kurrë vitin 2025 si datë të mundshme për anëtarësim. Shefi i komisionit të BE-së, Junker, e ka thënë vazhdimisht se sa kohë që ai është në detyrë, pra deri në shtator të vitit 2019, nuk do të ketë zgjerim. Për këtë refuzim kategorik ai është kritikuar nga miqtë e Ballkanit si shkurajues. Tani Junker po kalon në një kurs më pozitiv, por anëtarësimin konkret prapëseprapë preferon t’ua lërë pasuesve të tij, në vitin 2025 e më pas.
Sigal