Kush po e drejton sot Vlorën?

467
Kush po e drejton sot Vlorën? Kjo është pyetja që çdo ditë e më shumë po e bëjnë edhe më shumë njerëz, në Vlorë. Është një pyetje që i shqetëson të gjithë dhe dilemat janë të shumta. Realiteti është kokëfortë. Kush po e drejton sot Vlorën? Kryetari i bashkisë, Dritan Leli apo deputeti, Koço Kokëdhima? Burime nga njerëz të afërt pranë tyre, kanë bërë të ditur se midis Lelit e Kokëdhimës, ka një ftohje të marrëdhënieve. Flitet gjithashtu dhe për një takim të thirrur nga Rama, me dy zotërinjtë, me qëllim vendosjen e paqes midis tyre, përpara vizitës së tij, pak ditë më parë, në Vlorë. Duket se me cilësinë e drejtuesit politik të rajonit të Jugut, deputeti Kokëdhima, kërkon të vendosë kontroll të plotë dhe mbi bashkinë e re të Vlorës dhe kryetarin e bashkisë, Dritan Leli. Kjo ndodh kur deputeti Kokëdhima, ka vendosur kontroll të plotë mbi PS Vlorë, duke kryer gati një transformim total të kësaj partie tradicionale, me staf të ri e mjedise të reja, të përzgjedhur me kujdes prej tij. Por jo vetëm kaq. Deputeti Kokëdhima ka në kontroll të plotë dhe të gjitha emërimet dhe punësimet që kryhen në institucionet e shtetit në Vlorë, duke filluar nga drejtuesit, deri dhe tek rojet, apo pastrueset, duke anashkaluar zyrat e punësimit, të vjetrat e të rejat, që u hapën me aq bujë të madhe. Ndoshta, për të gjitha këto, kryetari i bashkisë, kërkon të ruajë pavarësinë e vetes e të institucionit që drejton, duke njohur përditë e më shumë kompetencat dhe fuqinë e madhe që ka, në këtë post. Gjithçka ndodh kur situata në Vlorë është në gjendjen e saj më kritike. Anarshi dhe kaos. Bërryla e përplasje vetëm e vetëm për një vend pune në administratë. Lista që shkojnë e vijnë nga selia e PS dhe që në shumicën e rasteve kthehen mbrapsht nga prefekti, deputeti, i dërguari i kryeministrit. Socialistët, që enden sa nga njëra zyrë në tjetrën, duke treguar CV dhe kontributet nëpër fushata të ndryshme, por që përcillen me fjalë të bukura e pritje nga kryetarët e partisë, prefektja, deputetët dhe gjithfarëlloj miqsh e shokësh, që njohin këtë, apo atë të madh, në Tiranë. Mungojnë analizat, kërkesat e llogarisë, detyrat, përgjegjësitë, ndëshkimet. Kush po e drejton sot Vlorën? Askush nuk di të jap një përgjigje të tillë. Vlora duket se është e të gjithëve dhe e askujt. Qytetarët e Vlorës shprehen se, nuk po duket ndryshimi i qeverisjes së premtuar në votimet e 23 qershorit. Kush duhet ta mbajë përgjegjësinë për kaosin e krijuar në funksionimin dhe bashkërendimin e punës në institucionet e shtetit në Vlorë. Ditët e muajt kalojnë dhe qytetarët e Vlorës, po e humbasin besimin dhe pritshmërinë pozitive të ditëve të para pas 23 qershorit. – përfundon portali Pika.news.
Sigal