Kush janë pushtetarët elbasanas që fshehin pasurinë?

48
Edhe në Elbasan, zyrtarët dhe drejtuesit e institucioneve dhe ndërmarjeve fshehin pasurinë. Pothuajse asnjë prej tyre nuk tregon të vërtetën, por fshihen pas familjarëve, nipërve dhe emrave të rremë. Gjatë muajit mars 2015, ILDKPI ka pritur dorëzimin e deklaratave të pasurisë nga zyrtarët dhe drejtuesit e institucioneve shtetërore, qëndrore dhe vendore, por nga burime të sigurta për gazetën “Telegraf” mësohet se shumica e deklaratave kanë qenë me gënjeshtra dhe mashtrime, pasi asnjëri prej tyre nuk ka treguar tokat, vilat, pallatet, makinat e shtrenjta dhe paratë që shpesh kalojnë edhe 2 apo 3 milionë eurot në bankat tona apo dhe ato të huaja. Në numrin e madh të këtyre personave futen nga kryetarë komunash dhe bashkish në shkallë Qarku si rati i Gramshit dhe Prrenjasit, apo drejtorë ndërmarjesh dhe shefa sektorësh dhe departamentesh, e deri tek drejtorët e shkollave dhe inspektorët e Tatimeve. Fakti është se pasuria e tyre në 2 vitet e fundit është rritur, është bërë më e larmishme, kanë blerë apartamente dhe troje në qytet dhe zonat malore ku kanë ngritur edhe vilat verore, apo edhe komplekse blegtorale. Në këtë kontigjent nuk mbeten pas edhe kandidatët që do të garojnë në 21 qershor, kryesisht ata që garojnë për herën e parë apo të dytë dhe që vijnë nga poste të tjera që kanë mbajtur deri sot. Mjafton të futesh (me mik) në regjistrat e ZRPP-së në Elbasan dhe do të bindesh se “sa të drejtë dhe të varfër” janë zyrtarët e lartë të këtij qyteti, sa pasuri realisht ata kanë sot. Duke u ndalur vetëm tek njëri prej tyre, që deri sot mban një post drejtori, konstaton se “ka blerë në dhjetor 2013 apartament në lagjen 5 maj me sipërfaqe 132 metra katrore, në mars 2014 ka blerë tokë në Gjinar, tokë në një fshat malor në Librazhd, ku ka ngritur edhe një kompleks blegtoral, makinë të re me zero km me vlerë 18 mijë euro, veç apartamentit që ka sot me sipërfaqe 64 metra katrore ndërtuar para 1990 dhe ndonjë fiat “Punto” që e mban për furnizimin e një biznesi ushqimor”, ndërkohë që disa pasuri të tjera rezultojnë t’i ketë regjisrtruar në emrin e nipit të tij, që punon në polici. Tepër të pasur dhe mashtrues në deklaratat e pasurisë rezultojnë të jenë edhe mjekët dhe shefat e spitaleve. Ka prej tyre që kanë realisht një pasuri marramendëse dhe kanë deklaruar vetëm 50 për qind të pasurive që disponojnë. Të paktën dy ish-drejtorë, që sot janë shefa akoma dhe ushtrojnë edhe zanatin e mjekut, janë me pasuri të mëdha, ku futen toka, pallate, vila, dyqane dhe miliona në banka. Po ashtu edhe një kryetar komune, që e mban këtë post prej 12 vitesh, rezulton se ka një pasuri të madhe dhe është pronar i disa pikave të karburantit, por që në fakt nuk ka deklaruar as gjysmën e tyre, ndërkohë që në 2013 është gjobitur nga ILDKPI për “fshehje pasurie” me vetëm 50 mijë lekë të reja.