Kush e vodhi dhe shkatërroi Kombinatin Metalurgjik?

978
Ajo që ka ndodhur me ish-Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, duke nisur nga gjoja “privatizimi” i uzinave, magazinave, territoreve, fonderive, objekteve strategjike dhe duke përfunduar me “blerjen” me letra me vlerë të makinerive dhe pajisjeve moderne, që edhe sot e kësaj dite i ka zili çdo kompani që merret me industrinë e rëndë në Europë. Mbetet vjedhja më e madhe e shekullit në Shqipëri. 

Ndërtimi i Kombinatit Metalurgjik në Shqipëri
Ndërtimi i Kombinatit Metalurgjik ka filluar herët, që në vitin 1962 nga kinezët, me uzinën mekanike, petëzimin dhe vazhdoi për rreth 25 vjet, deri në përfundimin e uzinave periferike, duke përfunduar edhe atë të kobaltit. Fillimisht, marrëdhëniet tona me specialistët e huaj aziatikë kinezë, (që ishin shpallur vëllezërit tanë) në fillim ishin brilante, por më vonë nisën të ftoheshin me ndryshimin e klimës politike, deri në prishjen e plotë në korrikun e 1978. Më pas, ndërtimi i 4 uzinave të Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, u kryen me “forcat tona” ose më mirë me makineritë dhe pajisjet e marra nga Kina prej 25 vitesh dhe që kishin mbushur plot magazinat dhe depot gjigande, të cilat nisnin nga hyrja e këtij gjigandi dhe mbaronin tek hyrja e fshatit Vidhas e Katundi Ri.

10 miliardë dollarë kushtonin vetëm makineritë moderne
Sipas një inxhinieri, që ka punuar dhe ka qenë edhe drejtues prej 26 vitesh në ish-uzinën Mekanike të Metalurgjikut, “ngritja e ish-kombinatit ishte vepër e qeverisë së Enver Hoxhës, mirë apo keq, ai regjim ngriti një kombinat me një vlerë, që e kalon disa herë 5.5 miliardë dollarët, pasi, veç kostos së ndërtimit, vetëm makineritë dhe pajisjet e marra nga Kina arrinin në mbi 10 miliardë dollarë, veç atyre që u montuan dhe punuan kaq vjet, një bollëk i madh, një gjigand me një sipërfaqe prej 450 hektarësh”. Inxhinieri elbasanas, që ka drejtuar prej 12 vitesh një prej sektorëve delikatë të ish-Kombinatit Metalurgjik, u shpreh se “vjedhja e shekullit mund të quhet ajo që ka ndodhur pas vitit 1992 me grabitjen, me gjoja shitjen dhe dërgimin për skrap të mbi 112 tornove moderne të asaj kohe dhe që mbeten edhe sot të tilla, aq sa kur në Elbasan ka ardhur në verën e vitit 1983 administratori i PEUGEOT-it nga Franca, dhe ka parë makineritë tona, tha se “me këto makineri që keni ju, unë do të konkurroja BENZ-in në Gjermani”. Por ajo që nisi si një “proces shitje me ankand, duke favorizuar kryesisht të përndjekurit politikë”, pas vitit 1992 , do të vazhdonte si një serial i vjedhjeve me forma të sofistikuara nga pothuajse të gjitha qeveritë me firmat e ish-kryeministrave dhe ministrave që Shqipëria ka pasur në këto 25 vjet. 

Vjedhja e Kombinatit Metalurgjik, me firmat e ministrave
Në të gjitha shkresat dhe dokumentet zyrtare dhe jo zyrtare, gjendet firma dhe vula e institucioneve të shtetit, shihet firma e ministrit, kryeministrit, drejtorëve dhe juristëve, që kanë lejuar në format nga më antiligjore grabitjen e një pasurie të jashtëzakonshme. Inxhinieri i ish-uzinës Mekanike tha se “uzina jonë mekanike renditej ndër uzinat më moderne në Ballkan, e kishin zili jugosllavët dhe grekët, turqit dhe bullgarët, pasi kishim veç makinerive të tjera cilësore, edhe tornot “TOSS”, të cilat i kishin vetëm pak vende të Europës asokohe dhe që përdoreshin për tornuar metale dhe akse me gjatësi mbi 8 metra, të gjitha u grabitën, u shitën dhe më skandaloze është fakti se u shitën për skrap, tornot më moderne të kohës të cilat ishin në qese dhe me graso”. Paralelisht me vjedhjen, shitjen, blerjen abuzive të makinerive dhe pajisjeve të blera me lekët e popullit, nisi pas vitit 1992 edhe gllabërimi i objekteve si karabina. U blenë për 10 milion lekë të vjetra (shumica me letra me vlerë) godina, të cilat sot janë shitur për 400 ose 450 mijë euro, duke mos investuar asnjë lek, duke mos paguar asnjë qindarkë taksa dhe detyrime monetare ndaj shtetit, e duke u mbrojtur nën postin dhe kostumin e ministrave, deputetëve dhe politikanëve. Blerësit e vërtetë ishin pikërisht kollaret e qeverive, kollaret e politikës, kurse ata që përfituan ndonjë kothere thatë ruanin objektet dhe shiteshin sikur ishin “pronarët e pronave të blera me para burgjesh politike”. Pas afro 25 vitesh, zëri qytetar, zëri atyre 12.500 punëtorëve dhe inxhinierëve, specialistëve që ndërtuan dhe drejtuan qysh nga 1962 deri në 1991 ish-Kombinatin Metalurgjik Elbasan, kërkon drejtësi, kërkon barazi ligjore dhe nxjerrjen para drejtësisë të gjithë atyre që shkatërruan dhe zhvatën një pasuri miliarda dollarëshe. Drejtësia duhet t’i kthehet këtij skandali, kësaj vjedhje e cila ndoshta është më e rënda, e paparë dhe dëgjuar deri sot dhe të marrë nën ndjekje penale këdo që ka lejuar, firmosur vulosur dhe përvetësuar paratë e shqiptarëve, për të mbushur xhepat e tij, për të ngritur pallatet, vilat, fshatrat turistike, apo kompani biznesi. 
Sigal