Kush e mbron Lefterie Lleshin për shpërdorimin e 4 milionë eurove

472
Sigal

Korrupsioni në KQZ, PS-ja ka bërë akuzën, ndërsa prokuroria i bën sehir

Para pak ditësh, avokat Ngjela, jo vetëm u tregua skeptik, që edhe akuza e ministres Kodheli ndaj abuzimeve të fondeve në ministrinë e Mbrojtjes, nga ish-ministri Imami dhe të tjerë, do të përfundojë në sirtarët e heshtjes së Prokurorisë, por, pohoi se, Kryeprokurori Llalla nuk do ta hetojë fare akuzën, nuk do të ngrejë fare padi, sepse, sipas avokat Ngjelës, cilido që e njeh si funksionon shteti ynë, e kupton fare mirë, përse Kryeprokurori Llalla nuk do të hetojë fare ish-ministrin Imami, sipas akuzës që dorëzoi në Prokurori ministrja Kodheli.

PS-ja ka bërë padi ndaj Lefterie Lleshit, por dosja fle në Prokurori

Kur avokat Ngjela publikisht pohon se, prokurori kurrë nuk heton dosje shpërdorimi detyre, dosje të abuzimeve dhe të korrupsionit të zyrtarëve më të lartë të shtetit, kur ata janë zgjedhur nga e njëjta forcë politike, sepse kështu funksionon shteti dhe drejtësia jonë në Shqipëri, ndoshta ka parasysh edhe një fakt tjetër domethënës, që jua rikujtojmë.

20 qershor 2013 padia e PS-së kundër KQZ

PS-ja  ka kërkuar më 20 qershor 2013 fillimin e ndjekjes penale ndaj 4 anëtarëve të KQZ-së, sipas saj për kryerjen e  veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim. PS padit po ashtu edhe  anëtarët e Komisionit të Përgatitjes së Dokumentacionit dhe Vlerësimit të Ofertave të Tenderit për SEV si dhe persona të tjerë të paidentifikuar, punonjës të KQZ-së apo shtetas të tjerë, që kanë bashkëpunuar me të kallëzuarit.  Kjo padi penale është depozituar  në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, dhe vjen pas dështimit të  Sistemi Elektronik të Verifikimit (SEV) të kartave të identitet gjatë procesit zgjedhor në Qarkun e Tiranës. Në padinë e Partisë Socialiste thuhet se nga kronologjia e procesit dhe analiza e provave,  vërtetohet se katër anëtarët e kallëzuar të KQZ-së me veprime dhe mosveprime të kundraligjshme, kanë synuar dhe realizuar dështimin e qëllimshëm të këtij projekti.“Ky qëllim i kundraligjshëm është mbështetur dhe realizuar nga anëtarët e KQZ-së në bashkëpunim me administratën e komanduar politikisht nga maxhoranca qeverisëse, pjesëmarrëse në procedurën e tenderimit dhe realizimit të kontratës”, theksohet më tej.

Lefterie Lleshi dhe KQZ-ja shpërdoron detyrën për abuzimin e 4,2 milionë eurove

Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, sipas akuzës së PS-së, është shkaktarja kryesore (së bashku edhe me 3 anëtarët e KQZ-së) për dështimin e zbatimit të projektit të numërimit elektronik në zgjedhjet e 23 Qershorit në Qarkun e Fierit dhe të evidentimit elektronik në Qarkun e Tiranës. Po sipas akuzës zyrtare të PS-së, të depozituar në Prokurorinë e Tiranës, KQZ-ja me Kryetare Lefterie Lleshi dhe 3 anëtarët e tjerë të KQZ-së, në mënyrë jo transparente bënë tenderimin e dhënies së projekteve vetëm një kompanie spanjolle.  Ky tenderi, po sipas akuzës së PS-së, u bë jo transparent, kaq sa opozita e atëhershme, nuk u njoh fare me procedurën e tenderimit dhe kurrë nuk iu dha mundësia e njohjes së saj. Jo vetëm kaq, por Kryetarja e KQZ, ende pa u zbatuar projekti, pagoi paraprakisht kompaninë përkatëse, që iu dhanë tenderat e zbatimit të projektit, edhe në kushtet ku ato nuk plotësonin teknologjinë e zbatimit. Dështimi i zbatimit të numërimit dhe votimit elektronik në qarqet e Fierit dhe Tiranës, erdhi ekskluzivisht për pamundësinë teknologjike të kompanisë, së cilës, KQZ-ja dhe kryetarja e saj, Lefterie Lleshi, jo vetëm i dhanë në mënyrë jo transparente tenderat- sipas akuzës zyrtare të PS-së të depozituar në prokurorinë e Tiranës,- por, edhe i paguan- thuajse- të gjithë shumën e parashikuar, që është 4,2 milionë euro.

Prokuroria deri tani i bën sehir korrupsionit

Edhe pse dosja e akuzës së PS-së për shpërdorim detyre nga KQZ-ja dhe abuzim me 4,2 milionë euro për shkak të dështimit të zbatimit të teknologjisë elektronike në zgjedhjet e 23 Qershorit, është depozituar në prokurorinë e Tiranës që më 2° qershor 2013, ende çështja nuk ka shkuar për në gjykatë. Problemi është: A e ka hapur që ta studiojë prokuroria e Tiranës dosjen e akuzës së PS-së? Apo, duke patur parasysh, atë kritikë të avokat Ngjelës, prokuroria nuk heton fare një çështje që lidhet me abuzimin e fondeve nga zyrtarë të lartë të shtetit që janë zgjedhur nga e njëjta forcë politike? Apo, prokuroria, pasi e ka gjykuar dosjen e akuzës së PS-së ndaj KQZ-së, ka gjykuar – mirë apo keq, kjo është çështje tjetër- se nuk ka asnjë çështje që duhet hetuar? Edhe nëse ka arritur këtë konkluzion, përse prokuroria nuk e ka publikuar vendimin e saj? Kjo akuzë e PS-së ndaj KQZ-së për shpërdorim të detyrës me pasojë abuzime të shumave të mëdha  në dëm të shtetit,  është një nga çështjet e mëdha të korrupsionit politik. Derisa prokuroria  e Tiranës hesht, do të thotë se prokuroria  e Tiranës i bën sehir e fresk korrupsionit të zyrtarëve të lartë të nomenklaturës së shtetit.