Kush e denigron Çështjen Çame?

500
Sigal

Sikurse u tha ulliri i mbjellë në Kllogjer, po thahen edhe shpresat e Çamërisë

Në 30 qershor 2012! Në Qafë-Botë, në Kllogjer, u zhvillua ceremonia e fillimit të ndërtimeve të varrezave të 2960 viktimave të Çamërisë. Kryetari i PDUI-së, Shpëtim Idrizi, e cilësoi (atëherë) gurin e parë, si “guri i themelimit të Çështjes Çame”.  Këto varreza, ka thënë (atëherë) Idrizi, janë detyrimi moral për paraardhësit, prandaj ai i quajti këto varreza, “pikë kthese për Çështjen Çame”. Në përurim të punimeve për ndërtimin e varrezave, përfaqësues të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, Dashamir Tahiri dhe kreu i Vetëvendosje, Albin Kurti mbollën një rrënjë ulliri. 28 tetor 2012- e në vazhdimësi… në Kllogjer, në Qafë-Botë. Ajo  rrënjë ulliri, e mbjellë, për të përkujtuar gjenocidin grek ndaj popullsisë çame, është tharë nga thatësira e harresës, e shpërfilljes, dhe bri ullirit të tharë dhe një gur varri i…pavarrë! Është ai gur, i cili u cilësua nga kryetari i PDUI-së, Shpëtim Idrizi,  si guri i themelimit të çështjes Çame, tashmë është…gurë varri i …pavarrë!  Nuk mundi kaq kohë Kryetari i PDUI-së, që të hidhte një kazmë për të ndërtuar varrezat e premtuara të 2960 viktimave të gjenocidit grek? Kush e pengoi? Thua…mungesa e rezolutës për Çështjen Çame- premtimi politik i Kryetarit të PDUI-së, Shpëtim Idrizi, që akoma nuk po miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë, edhe pse PDUI-ja është pjesë e maxhorancës? Në antitezë me thatësirën e harresës dhe të shpërfilljes të Çështjes Çame, në këto fundtetori, ndërsa në Shqipëri, në tokën tonë, nga Greqia, politikanë grekë dhe të tjerë vijnë dhe përkujtojnë ushtarët grekë, të vrarë në Luftën Italo-Greke të 1940-s, mbi varre të ndërtuara në varreza që kanë ngritur me eshtrat e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë,  në Boboshticë, në Kosinë. Udhëheqësit e PDUI-së, e kanë harruar betimin që dhanë në 30 qershor 2012 në Kllogjer, derisa deri më sot, jo vetëm nuk kanë hedhur më asnjë gur në ndërtimin e varrezave të 2960 martirëve çamë, por edhe atë ulli që mbollën, e lanë të thahet. Për kujtimin e 2960 martirëve çamë, që vdiqën 67 vjet më parë, aty në Kllogjer, të persekutuar nga gjenocidi i grekëve,  më të shumtit gra e fëmijë, nuk u mundësua nga askush, që ai ulli i mbjellë, të ujitej me përkujdesin e respektit e të mirënjohjes?   67 vjet më parë, në tokën e tyre, Çamëri, u vranë rreth 3000 vetë, kryesisht gra, pleq e fëmijë, ndërsa rreth 2960 të tjerë vdiqën në kufirin e Çamërisë me Shqipërinë, në Kllogjer. Çfarë ka penguar deri më sot, që të vazhdohen punimet për ndërtimin e varrezave të viktimave të gjenocidit grek? Dhe ku? Në tokën tonë. Ndërkohë, kur grekët, për të respektuar të vrarët e tyre, po bëjnë gjithçka në tokën tonë, zhvarrosin të parët tanë në Boboshticë dhe Kosinë dhe me kockat e tyre po rindërtojnë varreza të ushtarëve të tyre, duke bërë që shqiptarët të humbasin kështu identitetin e tyre, mbi bazën e marrëveshjes  “Më 19.11.2008, në Tiranë u siglua marrëveshja midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Republikës së Greqisë lidhur me vendprehjen e ushtarakëve grekë të rënë në Shqipëri, gjatë Luftës Italo-Greke të viteve 1940-1941”, ku në këtë marrëveshje, ndër të tjerash, theksohet se: “Fryma e bashkëpunimit të sinqertë e konstruktiv, si dhe e mirëkuptimit të dyanshëm bëri të mundur që të marrë zgjidhjen e duhur edhe një çështje e tillë, e ndjeshme për të dy vendet tona, siç është ajo e vendprehjes së ushtarakëve grekë”. Mirëpo pala shqiptare, duke  bërë fjalë për ” frymë bashkëpunimi të sinqertë e konstruktiv”, për dhënien e  lejes së ndërtimit të varrezave të ushtarëve grekë në trojet shqiptare, harron që të kërkojë të drejtën e ndërtimit të varrezave të të vrarëve çamë nga gjenocidi grek, në trojet e tyre. Dhe ndërsa udhëheqësit e PDUI-së, më 30 qershor 2012, duke mbjellë ullirin dhe duke inauguruar gurin e parë të varreve, bënin fjalë, për “”hoqëm pllakën e turpit, mundëm harresën dhe neglizhencën, që i bëri shteti komunist kauzës çame”. Por tharja e ullirit nga thatësira e harresës dhe e shpërfilljes, është plaka më e rëndë e turpit që bie mbi udhëheqësit e PDUI-së.