Kurthi i Enverit për opozitën në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945

1016
Sigal


Vota “kokrra” dhe kuti me fund llamarine për të mësuar armikun

Vetëm 1 vit pas daljes nga lufta dhe 3 ditë pas përvjetorit të parë të çlirimit të vendit, në datën 2 dhjetor 1945, fitimtari Enver Hoxha organizoi zgjedhjet e para pluraliste, të vëzhguara edhe nga fuqitë e mëdha SHBA dhe Anglia. Ishin zgjedhjet e para që zhvilloheshin në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Enver Hoxha dhe komunistët, megjithëse përpara syve të opinionit ndërkombëtar kishin nisur projektin e tyre për tw përvetësuar të gjitha meritat dhe rezultatet e luftës antifashiste, paçka se u pranua të bëheshin zgjedhje konkurruese për pushtetin edhe me pjeswamrrjen opozitës.

Votimet e 2 dhjetorit ‘45, me kokrra me dy ngjyra, në dy kuti

 U vendos që votimet të bëheshin të fshehta. Ndërsa votat, që ishin kokrra me ngjyra të veçanta, hidheshin në dy kuti të ndryshme, ku njëra ishte e komunistëve, ndërsa tjetra e opozitës. Sipas dëshmive, dokumenteve të kohës dhe materialeve të botuara në shtypin e huaj të asaj kohe, këtu u bë loja-kurth e komunistëve për të nxjerr jashtë loje opozitën, duke inskenaur me votat dhe kutitë e votimit. Kutia ku do të hidheshin votat e opozitës, ishte bërë e tillë, që në fund kishte një shtresë prej metali, në të cilin pasi të binin “votat” kokrra, të shkaktonin tingull. Ky tingull, sipas “provave” të bëra dëgjohej nga anëtarët e komisionit dhe kështu, ata kishin mundësinë e plotë për të zbuluar se cilët votonin kundër komunistëve dhe cilët pro tyre, duke evidentuar me emra kundërshtarët politikë të Partisë Komuniste dhe të pushtetit të Enver Hoxhës. Opozita anti-komuniste reagoi ashpër për këtë lojë-kurth, por zëri i saj nuk u dëgjua nga komunistët dhe u bë sikur nuk u dëgjua as nga ndërkombëtarët e kështu, zgjedhjet u mbyllën duke ngjitur masivisht në pushtet, komunistët.

Himara dhe Derjani (Mat), votuan 100% kundër komunistëve

Mbyllja e votimeve, hapi një etapë tjetër të vështirë për krerët e opozitës dhe përkrahësit e tyre. Metoda djallëzore e futur në veprim, krijoji mundësinë, që komunistët të zbulonin lehtësisht kundërshtarët dhe pjesën e popullit që votuan kundër tyre. Menjëherë pas votimeve, filloi hakmarrja e pushtetit, duke arrestuar, burgosur, pushkatuar e izoluar mijëra individë, sidomos krerët dhe mbështetësit e opozitës anti-komuniste. Por pavarësisht presionit, terrorit dhe dhunës ndaj opozitës, ushtruar edhe në sy të vëzhguesve të huaj, në dy nga komunat e vendit dhe konkretisht, në Komunën e Himarës në Vlorë dhe të Derjanit në rrethin e Matit, populli votoi plotësisht dhe hapur kundër komunistëve. Ky fakt, dëshmoi dy momente politike për raportet e pushtetit komunist, që po niste rrugën e tij nëpërmjet këtyre votimeve, duke e motivuar votën kundër me frymën sekuestruese e të dhunshme të pasurive prej qeverisë komuniste. Pas zgjedhjeve, me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë e Titos dhe me Bashkimin Sovjetik të Stalinit, si dhe pas përzënies nga Shqipëria të misioneve diplomatike të SHBA e të Britanisë së Madhe, në kushtet e mungesës së një pranie perëndimore ndërkombëtare, Enver Hoxha nën petkun e “Pushtetit Popullor”, me fuqinë që i jepte statusi i “fitimtarit të luftës” filloi ndëshkimin fizik të kundërshtarëve politikë, duke futur ashpër në veprim skemën e ekzekutimit të tyre, prej të ashtuquajturave “drejtësia popullore”. Hakmarrja kishte goditje si pushkatime, zhdukje fizike, burgime, internime, sekuestrime, plaçkitje, të cilat u zbatuan kryesisht mbi banorët e fshatrave të komunës Himarë e Derjan të Matit, që votuan 100% kundër regjimit komunist. Si këto e pësuan edhe zonat e tjera që u rebeluan kundër pushtetit komunist, si Postriba e Kopliku në Shkodër, Zhapokika në Tepelenë etj. Pushteti i ri komunist, duke parë efektin e këtyre zgjedhjeve në sy të popullit, përveç dhunës nuk kishte rrugë tjetër për të mbajtur pushtetin e për të sunduar. Aq më tepër, kur përpara kishte një projekt “kolektivizimi të ekonomisë”, i cili nuk mund të kalonte lehtë. Megjithëse Enver Hoxha u ngjit në majë të pushtetit, ai nuk mund të godiste menjëherë krerët e opozitës, pa forcuar së pari, pozitat e tij komanduese në parti, në pushtet e në shtet.

 Goditja e komunistëve, eliminohen fizikisht 23 deputetët e opozitës

 “Qetësia dhe paqja” e komunistëve me opozitën, sidomos me deputetët anti-komunistë që kishin fituar 23 vende në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945, zgjati deri në muajin shkurt të vitit 1947, moment kur pushteti komunist nisi ofensivën e hapur të sulmit politik e fizik ndaj tyre. Në këtë kohë, në pamundësi publike e ligjore për t’u hequr imunitetet, madje edhe pa ua hequr ato më parë, nisën arrestimet e deputetëve të opozitës, të cilët më pas i pushkatuan nëpërmjet procesit gjyqësor, të emërtuar “Grupi i deputetëve” me akuza false. Ata u akuzuan si “tradhtarë të interesave të vendit e të popullit, si armiq të rrezikshëm”. Me këtë akt tragjik, i mbylli pushteti komunist llogaritë e tij të vështira, me zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945, për të sunduar për 45 vjet me radhë, duke përdorur në vazhdim, zgjedhje formale me fitore 99.99%.

 Shtypi amerikan: Enver Hoxha shpërfilli udhëzimet e SHBA dhe Londrës

 Ja një pjesë, nga artikulli i përkthyer i vëzhguesit të zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, Eduard Klerr, Korrespondent Special i Agjencisë Telegrafike Amerikane (INS), në të cilin flitet posaçërisht për zgjedhjet e bëra në Shqipëri, në datën 2 Dhjetor 1945:

“Çfarë është “Fronti Demokratik”, që ka triumfuar më 2 të Dhjetorit 1945, në zgjedhjet shqiptare dhe si vjen e radhitet ai, në panoramën politike të tashme të Ballkanit? Kush janë gjeneral Enver Hoxha dhe njerëzit e tij, që presin në Tiranë, njohjen definitive nga ana e Uashingtonit dhe të Londrës? Qeveria Amerikane dhe ajo Angleze, i kishin vënë Enver Hoxhës për njohjen e pushtetit të tij, një kusht esencial: Të bëhen zgjedhje të lira, në prani të gazetarëve amerikanë dhe anglezë. Vëmendja e aleatëve është sjellë nga Shqipëria, sepse ky vend, siç e dëfton gjithëherë historia e tij, është një ndër pozicionet “çelës” të rregullimit politik e strategjik të Ballkanit. Dhe si kam mundur të konstatoj në Tiranë, mbi Shqipërinë përqendrohen përsëri interesa të kundërta të vendeve të afërt dhe të largët, që kërkojnë secili, ta fusin këtë vend primitiv në sferën e influencës së tyre. Fronti Demokratik, ka fituar 95% të votave! Kështu i lajmëroi gazetarët amerikanë dhe ata anglezë, Enver Hoxha, pasdreke vonë, të hënën, më datën 3 Dhjetor 1945. Ai na shikonte me vëmendje për të blerë në fytyrat tona, reaksionin e parë. Pastaj, duket për t’i dalë përpara çdo pyetjeje nga ana jonë, “Titoja shqiptar” menjëherë shtoi ngutshëm: “Të gjithë ata që pretendonin se zgjedhjet do të bëheshin në një regjim terrori dhe të shoqëruara me çrregullime, janë përgënjeshtruar keq”. Mbas këtij përcaktimi, gjenerali shqiptar 37 vjeçar, erdhi në vete përsëri duke u ngritur nga ajo poltronë, që para ndoca vjetësh ishte e zënë nga Luogotenenti fashist, Françesko Jakomoni. Ata që zgjidhen janë besnikë të direktivave të partisë së tyre dhe ushtrojnë funksione drejtimi e kontrolli. Sa për zgjedhjet shqiptare që u bënë para pak ditësh, janë për t’ u shënuar dy gjëra që kanë një rëndësi të veçantë: Së pari: Qeveria e Enver Hoxhës është paraqitur në zgjedhje, pa asnjë kundërshtar. Së dyti: PKSH ka paraqitur kandidaturën, në kushte më të favorshme se sa blloqet analoge të vendeve të tjerë të Ballkanit, si Jugosllavia e Bullgaria. Zgjedhjet në Shqipëri, zyrtarisht janë zhvilluar në bazë të Ligjit Nr. 24, të 28 Tetorit të vitit 1945. Paragrafi i parë i këtij ligji, thotë: “Përfaqësuesit e popullit për në Asamblenë Kushtetuese, do të zgjidhen me anë zgjedhjesh të lira, me votë universale, direkte dhe të fshehtë”. Realiteti është se zgjedhjet shqiptare janë zhvilluar në kundërshtim të plotë me këto dispozita ligjore. Më kanë referuar në Tiranë, se shumë ditë përpara zgjedhjeve, agjentë qeveritarë hapnin fjalë me kuptimin se, “Seksioni i Mbrojtjes së Popullit” (Organizata e fuqishme e policisë shqiptare e drejtuar prej ish-teneqexhiut Koçi Xoxe), ishte në gjendje të dinte, se kush ishte e kush nuk ishte me regjimin. Thuhej se, mosmarrja pjesë në votime mund të kuptohej. Ushtarët që nuk kishin votuar në kazerma, qenë shoqëruar për të votuar nga oficerët, të cilët rrinin afër vendit të votimit, për të kontrolluar nëse ushtarët votonin për Frontin, apo jo. Përfundimet nuk dolën ashtu si i pritën kryetarët e Frontit, veçanërisht në Tiranë. Ata parashikonin një votim plebishitar të zgjedhësve. Enver Hoxha, kishte vënë kandidaturën e tij në kryeqytet, bashkë me Presidenteshën e Këshillit Antifashist të Grave Shqiptare, mësuesen Ollga Plumbi. Zgjedhësit e shkruar ishin 26.093 veta, duke përfshirë edhe Brigadën e Tretë Partizane. Janë paraqitur në zgjedhje 17.564 veta, ndër të cilët, 15.413 veta kanë votuar për Enver Hoxhën, kurse të tjerët kanë abstenuar. Por në Tiranë dhe në qytete të tjerë të Shqipërisë, shumë zgjedhës i kanë prurë në zgjedhje me agjentë të qeverisë, të cilët kanë shkuar e i kanë marrë nëpër shtëpia, kur kanë parë se ishin të paktë ata që po u paraqiteshin”.

 Përparim HALILI