Kurorën e fitores, Korçës do t’ia japë Bulgareci me 15 mijë banorë

1230
KORÇË- Për Partinë Socialiste të Korçës asgjë premtuese nuk duket në horizont, asnjë shenjë shprese nuk pikaset që të tregojë se numri i votave mund të jetë rritur në favor të saj. Përkundrazi, sipas të gjitha gjasave, e kundërta mund të ketë ndodhur: votat e Partisë Socialiste janë rrudhur për shkak të varfërisë që tashmë ka trokitur në çdo familje, për vënien në vështirësi e sforcim të banorëve për pagesën e menjëhershme të faturave të prapambetura të energjisë elektrike, për emigrimin që shumë familjeve të vrafëra po u rrëmbën djemtë etj. Megjithatë ai që do t’i dhurojë Korçës kurorën e fitores do të jetë Bulgareci, komuna më e madhe, me 15 mijë banorë, që do t’i bashkohet Korçës në zgjedhjet vendore të kësaj radhe, e njohur për prirjen e saj për të votuar djathtas. Për këtë arsye, drejtuesit e Partisë Socialiste në Korçë, po mbeten çdo ditë me laps në dorë për të parë se si mund të jetë rezultati përfundimtar. Sipas burimeve konfidenciale pranë Partisë Socialiste, pas çdo veprimi matematikor, pavarësisht se si e shtron ekuacionin për zgjidhje, rezultati përfundimtar flet për një humbje të pashmangshme të socialistëve
Korça dhe fshati
Deri më tani, në rastin më të mirë, Korça jepte për kandidatin socialist deri në 2.200 vota më shumë ndaj atij të Partisë Demokratike. Ndodhte kështu sepse investimet më të mëdha kryeheshin në lagjet e ortodoksëve, të punësuarit në Bashki ishin më së shumti ortodoksë, rrugët me kalldrëm u shtruan vetëm në lagjet e ortodoksëve, madje edhe kandidatët për kryetar bashkie, të të dy partive të mëdha, ishin ortodoksë, aq sa shumëkush mendonte se bëhej fjalë për ndonjë konspiracion që askush nuk i jepte dot përgjigje. Me marifete të tilla, pa pyetur se po dëmtohej bashkëjetesa fetare, Partia Socialiste siguronte mbi 2000 vota më shumë. Tashmë e gjithë kjo rrezikon t’i kthehet në bumerang dhe kështu ka për të ndodhur. Por nuk është vetëm kjo. Matematika është edhe më e thjeshtë nga sa mendohet. Në zgjedhjet e 21 qershorit, Bashkia e Korçës do të ketë 6 komuna që njihen si të djathta, të cilat janë: komuna Bulgarec me rreth 15 mijë banorë, e cila përbëhet nga fshatrat Bulgarec, Lumalas, Biranj, Melçan, Porodinë, Dishnicë, Shamoll, Belorta, Kuç i Zi, Barç, Çiflig, Malavec dhe Neviçisht. Djathtas voton edhe komuna Voskopojë me rreth 3000 banorë e përbërë nga fshatrat: Voskopojë, Shipskë, Krushovë, Gjonomadh dhe Lavdar. Gjithashtu djathtas voton edhe komuna Lekas me më shumë se 1000 banorë me fshtrat: Marjan, Gjonbabas, Gurmujas, Shkozan, Xerje, Tudas, Gjergjevicë, Lavdar, Brozdovec, Mazrek dhe Poponivë. Sgurisht, për të djathtën ka votuar edhe komuna Vithkuq me 3000 banorë me fshatrat: Vithkuq, Leshnjë, Gjanç, Lubonjë, Rehovë, Roshanj, Trebickë, Grabockë, Treskë, Stratobërdh, Panarit, Shtyllë dhe Çemericë. E djathta ka fituar gjithashtu edhe në këto komuna: në Mollaj me 7000 banorë me fshatrat: Mollaj, Floq, Pulahë, Ujë Bardhë dhe Kamenicë, si dhe në komunën Drenovë me më shumë se 11.000 banorë me fshatrat: Drenovë, Mborje, Boboshticë, Moravë, Qatrom, Ravonik, Turan dhe Dardhë. Ndërsa Partia Socialiste ka fituar vetëm në komunën Voskop me 6000 banorë me fshatrat: Voskop, Dërsnik, Polenë, Vinçan, Goskovë Lart, Goskovë Poshtë dhe Damjanec. Të gjitha së bashku kapin një numër banorësh prej rreth 45 mijë banorësh, përballë Korçës me 86 mijë banorë, por që gati gjysma e saj ndodhet në emigrim. Gjithsesi, ajo që do të sigurojë fitoren kandidatit do të jetë komuna Bulgarec. Pse do të ndodhë kështu do ta shpjegojmë në vijim.
Dilema
Për këtë arsye kandidati për kryetar bashkie i Partisë Socialiste, Sotiraq Filo është gjendur mes dilemës nëse duhet që fushatën ta përqëndrojë në fshat apo në qytetin e Korçës. Burime pranë Partisë Socialiste pohuan se kjo mbetet dilema e pazgjidhshme e Filos. Siç e thamë edhe më sipër, në 6 komuna ka fituar e djathta dhe ai ende nuk ka marrë guximin të shkojë ndër to. Madje edhe në qytet vërtitet sa andej-këndej, herë në lagjet e ortodoksëve duke u ndalur te “lëndina e lotëve”, herë te lagjet e myslimanëve, duke u premtuar hapësira të gjelbra, ndriçim, kënde lojrash, rrugë të asfaltuara e të tjera, por tashmë banorët e lodhur kanë nisur t’i kërkojnë së pari punësim, gjë që ai nuk ua premton dot, sepse dihet shumë mirë kush punësohet në Bashki dhe kush nuk punësohet atje. Gjithsesi, të gjitha përpjekjet e tij kanë vetëm një qëllim: të ruajë të paprekur 2.200 votat që Partia Socialiste i merrte plus, kundrejt Partisë Demokratike, por nga sa ndihet, duket se edhe ky numur votash nuk do të jetë më në anën e të majtëve. Kjo gjë ka nisur ta alarmojë kandidatin Filo. Veç sa më sipër, sipas të gjitha gjasve, Partia Socialiste në Korçë po shkon drejt humbjes edhe për shkak të gabimeve që ka bërë duke privilegjuar një pjesë të popullsisë në dëm të një pjese tjetër. Gjithashtu edhe prishja e banesave përgjatë rrugës “Don Gjon Buzuku” pritet të ketë koston e vet në dëm të të majtëve. Megjithatë matematika është edhe më e thjeshtë nga sa e shpjeguam deri tani.
Bulgareci
Sotiraq Filo shpreson te 2.200 votat e qytetit të Korçës, por në të njëjtën kohë edhe komuna Bulgarec nxjerr po kaq vota më shumë në favor të Partisë Demokratike, gjë që e kthen në nul epërsinë e Partisë Socialiste në qytetin e Korçës. Ndërkaq mbeten në “arenën e luftës” 6 komuna, të cilat 5 i ka Partia Demokratike dhe vetëm 1 Partia Socialiste. Që të gjitha komunat bashkë sjellin disa mijëra vota më shumë për Partinë Demokratike dhe aleatët e saj. Ky rezultat i pritshëm bëhet i mundur në saj të komunës Bulgarec, e cila arrin të neutralizojë qytetin e Korçës. Pra, ajo që do t’i japë fitoren kandidatit për bashkinë e Korçës do të jetë Komuna Bulgarec me fshatrat e saj. Për të gjitha këto arsye, nga ana e kandidatit të Partisë Demokratike po zhvillohet një fushatë e qetë dhe produktive, pasi të gjithë po kuptojnë se fitorja në zgjedhjet e 21 qershorit do të jetë e të djathtëve. Sigurisht, ky ndryshim është pritur prej vitesh, pasi politikat e ndjekura nga Partia Socialiste në qytetin e Korçës për punësim dhe investime kanë qenë mbytëse për një pjesë të popullsisë. Ndaj nga shumëkush ka filluar të pritet një fitore e Partisë Demokratike, madje me një rezultat të thellë prej disa mijëra votash, sepse edhe zhgënjimi ndaj projektit të “Rilindjes” po vjen në rritje dhe kjo gjë ndihet qartë si në Korçë ashtu edhe në fshat
Sigal