Kurbanët e Pavarësisë dhe …torta e qeverisë

1391
Sigal

U kremtua me madhështi 100-vjetori I Shpalljes së Pavarësisë. Orë pas ore me festimet në Vlorë dhe Tiranë

Bashkia e Tiranës, duke dashur të sfidojë festimin e 28 Nëntorit në Tiranë,  si për t’i marrë stafetën qytetit të Vlorës, mendoi që të përgatitë edhe ëmbëlsirën më të madhe në sipërfaqe, më të rëndë në ton ( jo më në kilogramë). Dhe sihariqi për festuesit e Tiranës- sërish shqiptarët u ndanë edhe në 100-vjetorin e Pavarësisë, në shqiptarë që festojnë 28 Nëntorin në Tiranë dhe në shqiptarë që festojnë 28 Nëntorin në Vlorë- ishte se torta u përgatit 550 metra katrorë dhe 18 ton e rëndë! Madje, për t’i dhënë solemnitetin e ëmbëlsirës së Pavarësisë, inaugurimi i prerjes së tortës, u prit derisa Kryeministri të mbaronte fjalimet, për ta prerë ai, edhe shiritin e …ngrënies së tortës. Mirëpo, turma e uritur, që kishte pritur me padurim, jo më festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë në Tiranë,  se njerëzit janë lodhur e mërzitur përditë me fjalimet e kryeministrit, por, festimin e ngrënies së tortës  falas. Dhe,  sa Kryeministri mbaroi së preri shiritin e tortës, ata u sulën, të gjithë… o burra….o gra… o fëmijë… o pleq dhe o plaka…. me lopata, me legenë, me magje dhe me kova, me duar e me këmbë, kush e kush të rrëmbente sa më shumë tortën qeveritare. Thua, se torta ishte llaç, apo baltë për të lyer murin e shtëpisë teksa secili e rrëmbente tortën me thonj, se njerëzit, në garën kundër tjetrit, mundoheshin, kush të rrëmbente sa më shumë tortën e 550 metrave katrorë e 18 tonë e rëndë. Edhe 100- vjet shtet, nuk iu mjaftuan qeveritarëve shqiptarë, që të mësonin se si mund t’i falësh një tortë popullit të vet! Kush u ngop së rrëmbyeri tortë, kush i mbushi dhe i ngjeshi mirë e mirë, legenët, kovat, thasët  e brekët me tortë, u kujtua se ishin edhe kurbanët e 100-vjetorit të Pavarësisë, 1.000 desh dhe 1.000 qengja, që ishin therur – të paktën kështu kishte propaganduar qeveria- për t’u dhënë edhe këto falas. Pyet andej e pyet këtej, po askush nuk mundet të japë një shpjegim, një xhevap, një haber, se ku shkuan kurbanët e 100-vjetorit të Pavarësisë, ato 1.000 desh e 1.000 shelegë të therur e të pjekur. U therën, po ku u dhanë? Kush i hëngri kurbanët e Pavarësisë? Të thuash, se 1.000 desh dhe 1.000 qengja u hëngrën në drekën qeveritare, në “Sheraton”, kush e beson? Mirë njerëzit e uritur, që me kova e legenë rrëmbyen tortën e qeverisë, po cilët janë ata qeveritarë të uritur që hëngrën brenda një dite 1.000 desh dhe qengja të pjekur, kurbanët e Pavarësisë? U therën, apo nuk u therën kurbanët e Pavarësisë? Qeveritarët, i hëngrën 1.000 desh dhe qengja, të therur, të pjekur, apo i hëngrën të…patherur e të papjekur?  Qeveritarët tanë, bënë kurban të 100-vjetorit të Pavarësisë  therjen dhe pjekjen e 1.000 deshve dhe qengjave, apo bën kurban të xhepit të tyre? Kjo pritet të zbulohet e të mësohet pak nga pak. Gjak të kurbanit nuk pamë, tym të pjekjes  të 1.000 deshve dhe qengjave, nuk pamë…. Sidoqoftë, pa gjë nuk mbetëm. Tortën e hëngrëm, sa edhe legenët, kovat, e thasët i mbushëm për të festuar me tortë edhe…Vitin e Ri.