Kundërshtimi i Haradinajt: Rrugë e papërfunduar

545
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u tregua mjaft i përmbajtur pak ditë më parë në komentet e tij, duke lënë të kuptohet se Prishtina zyrtare konsideron që pagesa për Rrugën e Kombit kjo është një çështje e Shqipërisë e si e tillë, zgjidhjen duhet ta marrë brenda kufijve, por më e pakta që qeveria “Rama” duhet të bëjë në këtë rast, sipas tij, është që të rregullojë rrugën e nisur në kohën e Sali Berishës dhe ende të papërfunduar siç duhet. “Ta bëjnë atë autorrugë se ka mbetur keq shumë. Që të kalosh nga Morina e deri diku te tuneli është tmerr. Është e papërfunduar, ato ura, ato dynivelizime të këqija… Është e rrezikshme. Është mandati i dytë i Edi Ramës dhe duhet ta përfundojë këtë rrugë. Ka mbetur pjesa nga kufiri me Kosovën, në ngjitje të tunelit; ka mbetur pjesa kur mbërrijmë në Milot dhe pjesa deri në Vorë”, tha Haradinaj. Taksa prek më së shumti kosovarët, thekson Haradinaj, i cili bën një llogari të thjeshtë: për shkak të mospërfundimit të rrugës, ata, sipas tij, humbin me amortizim makine e kohë, e duke i shtuar edhe 5 eurot e taksës, e gjithë kjo, për kryeministrin e Kosovës, është e ekzagjeruar. “Për mua është e tepruar, sidomos për faktin se nuk po e shoh të jetë thënë që do ta përmbyllim këtë autorrugë vjeshtën e këtij viti. Të thuhet do vendosim kritere, mirëmbajtje dhe këtë taksë, atëherë jemi në rregull. Unë e paguaj me qejf, jo 5 euro, por sa të duash, ama mos na e lë rrugën ashtu”, deklaroi Haradinaj. Kamionistë nga kompani të Kosovës kanë protestuar kundër taksës që për makinat e tonazhit të rëndë, parashikohet rreth 22 euro për kalim.
Sigal