Kundërshtarët e Bashës, gati konsultat për fraksionin

119
Problemet në Partinë Demokratike nuk kanë të sosur, ndërsa kritikët e kreut aktual duken të vendosur ta vazhdojnë betejën e tyre. Paralelisht me konsultimet e grupit të Bashës për statutin e ri të partisë, grupi kundërshtar i tij me në krye Astrit Patozin do të nisin fushatën për legalizimin e fraksioneve në parti. Mbledhja e fundit e kryesisë së PD-së dëshmoi edhe një herë tensionin e lartë brenda partisë më të madhe të opozitës. Burime pranë grupit kundërshtar të Bashës në PD thanë se lëvizja e korrikut nuk ishte e përkohshme dhe nuk do të fashitet me përfundimin e zgjedhjeve në parti, që ata i konsideruan, farsë dhe nuk morën pjesë në to me kandidatin e tyre. Kjo lëvizje, bënë të ditur burimet, do të vijojë me intensitet të lartë me takime në bazën e partisë duke nisur nga sot. Ish-deputetë dhe funksionarë të tjerë partiakë që janë pjesë e grupimit anti-Basha do të përcaktojnë dhe strategjinë e re të të këtij grupimi. Burimet bënë të qartë, se synimi i lëvizjes tashmë është legalizimi i fraksioneve në Partinë Demokratike. Ata duan të njihen zyrtarisht në statutin e partisë si lëvizja e mendimit ndryshe brenda PD-së. Pranë grupimit nuk i është afruar vetëm Jozefina Topalli, një tjetër kundërshtare e flaktë e Bashës. Takimet e kundërshtarëve të Bashës në bazën e partisë pritet të jenë një përplasje tjetër e tyre me kryetarin e partisë. Megjithatë, edhe kundërshtarët e Bashës ende nuk kanë bërë të qartë, se çfarë do të ndodhë, nëse nuk do të realizohet legalizimi i fraksioneve, do të pushojë beteja brenda PD-së apo do të krijohet një lëvizje e re politike jashtë partisë. Pak ditë më parë edhe ish-kryeministri Sali Berisha bëri publike kritikat e tij për mënyrën e veprimit të Bashës gjatë fushatës elektorale dhe rrugën e zgjedhur për hartimin e listës së deputetëve. Berisha vlerësoi marrëveshjen Rama-Basha, por kritikoi mënyrën e ndërtimit të fushatës zgjedhore, si dhe listën e kandidatëve për deputetë.