Kume: Ministrat e rinj nën presionin e orës, jemi në kushtet e vitit 2008

485
Konstitucionalisti Kristaq Kume shpjegon anën teknike të zhvillimit të zgjedhjeve, pas nënshkrimit të marrëveshjes mes forcave politike PD-PS
Ish-kryetari i komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume e konsideron të pamjaftueshme kohën deri në 25 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve. I pyetur nga gazeta “Telegraf” ai u shpreh se kjo periudhë nuk do të mjaftonte për të realizuar qëllimin e vërtetë për të cilën edhe u luftua deri sot. “E para në vlerësimin tim pavarësisht vendimit që është marrë do të ishte shumë efektive të përcaktohej një datë që t’i jepte kohë relativisht të mjaftueshme Kuvendit për të bërë ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor, Kodin Penal dhe ligjin për Partitë Politike, ashtu sikurse ti jepej kohë e nevojshme atyre që tashmë ngarkohen me punë në cilësinë e drejtuesve teknik për të plotësuar detyrat në funksion të objektivave që kërkonte të arrinte gjithë ky ngërç politik i kërkuar dhe kjo marrëveshje”, deklaroi ish-kreu i KQZ. 

Për Kumen data 25 qershor do të vendos institucionet nën presionin e orës. “Të dyja këto, puna për përgatitjen e kuadrit ligjor nga njëra anë dhe ajo për zhvillimin e kapaciteteve të nevojshme të institucioneve që do të merren me miradministrimin e zgjedhjeve, tashmë ndodhen nën presion e orës. Është presion i fortë. Ndërkohë data e rekomanduar në paketën McAllister do të ishte në presionin e ditëve. Për sa i takon KQZ për mendimin tim data 25 qershor si ditë zgjedhjesh dhe data 25 maj si data për pranimin e listave të kandidatëve dhe partive, e vendos në vështirësi, por megjithatë vështirësi të kapërcyeshme. Pra vështirësi të c ilat nuk arrijnë të krijojnë pengesa serioze”, tha Kume. Lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve në 16 korrik sipas paketës McAllister dhe mospranimit të saj nga kryeministri Edi Rama, datë e cila në fund u firmos edhe nga kreu i PD Lulzim Basha, Kume thotë se nuk di të jap një shpjegim të qartë pse ka ndodhur kjo. “Nuk di cili ka qenë arsyetimi i bërë nga dy liderët kryesor. Ndoshta formalisht kanë përdorur komoditetin që jep kjo datë lidhur me faktin që për tu realizuar procesi para datës 30 qershor kërkon vetëm dekretimin e presidentit. Çdo datë tjetër do kërkonte dhe ndryshimet përkatëse në Kod. Për të bërë të mundur realizimin e marrëveshjes do të duhet të bëjnë ndryshimet e duhura në Kodin Zgjedhor, ndërsa me këtë lëvizje thjeshtë bëhet rregullimi i një grup dispozitash kalimtare të cilat rregullojnë procedurat mbi bazën e të cilave do të bëhen zgjedhjet”, tha Kume. Ndërkohë lidhur me faktin nëse ministrat teknik dhe institucionet që do të merren nën administrim nga e djathta do të kenë kohën e mjaftueshme për të realizuar objektivat, Kume thotë: “Arsyen pse vendosën kështu duhet të përgjigjen ata në një kohë kur perceptimi ishte i tillë që për atë ç’ka kërkohej të bëhej për të pasur një proces të lirë dhe të ndershëm, janë shumë punë për tu bërë dhe pak kohë. Kujtoj, kohë përpara opozita këmbëngulte jo vetëm në qeverinë teknike, por kërkonte edhe kohë e nevojshme. Me sa duket kamë arritur të gjejnë zgjidhje të tilla të cilat arrijnë që të mundësojnë realizimin e objektivit në kohë më të shkurtër. Ministrat që do të caktohen do jenë nën presionin e kohës. Me sa duket në arsyetimet që janë bërë është konsideruar si kohë e mjaftueshme deri në 25 qershor, të presim nëse vërtet do realizohet. Jemi në kushte të përsëritura si në 2008, kur një marrëveshje politike u zbardh brenda natës, pa iu nënshtruar asnjë lloj diskutimi”. 
Sigal