Kumbaro poshtëron “Himnin Kombëtar”

891
Ëngjëll Musai, Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Ministria që promovon, poshtërimin e “Himnit Kombëtar”
Të shumta kanë qenë reagimet pasi Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro ka postuar në rrjetin social një variant të Himnit Kombëtar të përgatitur nga “kazanët’ qeveritare dhe shpresojmë që të mos jetë i porositur apo paguar nga qarqet antishqiptare dhe antikombëtare. Ajo që të bën përshtypje ka të bëjë me faktin që këtë shëmti, jo vetëm që e pëlqen e ashtuquajtura ministre e Kulturës, por në mënyrë shumë të turpshme dhe të pacipë e servir për shqiptarët, publikisht dhe botërisht nëpërmjet faqes elektronike të facebook. Himni Kombëtar është akt solemn, i cili na sjell në mendje historinë e Kombit, heronjtë dhe dëshmorët, luftëtarët dhe patriotët, intelektualët dhe njerëzit e thjeshtë, burrat, gratë, nënat, baballarët, motrat, vëllezërit , njerëzit e penës dhe ata të pushkës që sakrifikuan dhe derdhën gjak për lirinë dhe pavarësinë e mëmëdheut. Ndaj çdo lloj poshtërimi është i papranueshëm dhe çdo lloj metode fyerjeje dhe poshtërimi nuk ka vend kur bëhet fjalë për Himnin Kombëtar, Simbolet e saj dhe Territorin Shqiptar. Pikërisht në Neni 268 të Kodit Penal, Pjesa e Posaçme, Kreu VIII, Krime kundër autoritetit të shtetit , Seksioni III – Vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike ku përcaktohet – Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj: “ Poshtërimi, botërisht ose nëpërmjet botimeve apo shpërndarjes së shkrimeve, i Republikës së Shqipërisë dhe rendit kushtetues, i flamurit, i stemës, i himnit kombëtar, i dëshmorëve të kombit ose heqja, dëmtimi, prishja, bërja e padallueshme apo e papërdorshme e flamurit apo stemës së Republikës të Shqipërisë të ekspozuara nga institucionet zyrtare, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”. Apo edhe me ndryshimet dhe shtesat në ligjin nr. 23/2 012, datë 1.3.2012, neni 36): Poshtërimi botërisht i flamurit ose i himnit kombëtar, gjatë zhvillimit të një veprimtarie të organizuar nga autoritetet shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. Ndaj zonja Ministre është në nderin tuaj t’i kërkoni ndjesë kombit dhe shqiptarëve dhe jo vetëm, që nuk duhej ta promovonit Himnin me byrekun, turshitë dhe gjithçka tjetër ushqimore, blegtorale apo turistike, por të padisnit këdo që me apo pa qëllim poshtëron Himnin Kombëtar. Juve z. Kumbaro nuk përjashtoheni nga kjo marrëzi, pasi ligji përcakton që po kaq përgjegjës për poshtërimin e Himnit dhe ai apo ajo që e shpërndajnë dhe i bëjnë të padallueshme dhe të pakuptueshme këto Simbole që në rastin konkret është Himni Kombëtar. Të këndosh Himnin Kombëtar dhe nderimin e bijve të Kombit të ilustruar me peshk zgare, komposto, turshi apo fruta të njoma dhe të thata mendoj që është një skandal. Edhe vazhdimi i mbajtjes së kësaj marrëzie në faqen tuaj elektronike, është përsëri me pasoja të rënda ligjore dhe penale. Ndaj i takon Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të kërkojnë urgjentisht dorëheqjen tuaj dhe shoqërisë civile fillimin e protestave deri në largimin tuaj për poshtërimin e Himnit Kombëtar, të cilin Ju jo vetëm e keni pranuar, por edhe e keni shpërndarë botërisht. Bëhuni zonjë dinjitoze dhe ndiqni shembullin e kolegëve tuaj; Ministrja norvegjeze e Drejtësisë, Silvi Listhaug që dha më 20 mars 2018 dorëheqjen për një postim në facebook apo edhe të ministrit britanik Lord Michael Bates sepse mbërriti 2 minuta me vonesë në Dhomën e Lordëve. E ndërsa ministrja Norvegjeze e hoqi menjëherë postimin, Juve z. Kumbaro deri mbrëmë në mesnatë vazhdonit ta mbanit poshtërimin e Himnit në faqen tuaj elektronike.


Sigal