“Kultivimi i kanabisit”, Nishani mbledh sot Këshillin e Sigurisë, nuk fton Bashën

475
Sigal

Presidenti
Bujar Nishani mbledh sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare për situatën alarmante
të kanabisit në mbarë vendin. Mbledhja është parashikuar të mbahet në
Presidencë në orën 18:00. Në një shkresë drejtuar kryeministrit Edi Rama më
datë 2 tetor, kreu i shtetit sqaroi se synimi i takimit është këshillimi dhe
informimi me anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare mbi situatën e
kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike në territorin e Republikës së
Shqipërisë, nisur nga informacionet zyrtare të agjencive ligjzbatuese, të
dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, informacionit publik dhe rezultateve të
publikuara nga organizmat ndërkombëtare.

Njoftimin se do të mbledhë
Këshillin e Sigurisë, Nishani e bëri gjatë një vizite në Shkodër para disa
ditësh. Por, pas deklaratës së tij, kryeministri Edi Rama ironizoi presidentin
duke thënë se duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së dhe redaksitë e
gazetave e të portaleve të SHQUP-it.

“Të mblidhet Këshilli i Sigurisë
Kombëtare për kanabisin?! Jo, duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së”,
është shprehur Rama.

Ndonëse në mbledhjen që Nishani
thirri një vit më parë për rrezikun nga terrorizmi, ftoi dhe kreun e PD-së,
Lulzim Basha, mësohet se në këtë mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare
për situatën me kanabis, ai nuk do të jetë i pranishëm.