Kthimi i vizave, Nishani: Alarm për të gjithë, Shqipëria në anormalitet të rëndë

560
Edhe ish- kreu i shtetit Bujar Nishani reagoi në lidhje me lajmet që vijnë nga Holanda për vendosjen e regjimit të vizave ndaj shqiptarëve. Ai shprehet se ky është një alarm për të gjithë shqiptarët pasi që nga dhjetori i vitit 2016, Këshilli i Ministrave të BE ka miratuar tashmë mekanizmin e pezullimit të lëvizjes së lirë për vendet jo anëtare ku çdo vend anëtar mund ta aktivizojë atë. “Miq ! Alarm për të gjithë ! Vendet e Bashkimit Evropian nisën të reagojnë ndaj anormalitetit të rëndë që po konsolidohet tashmë me shpejtësi në Shqipëri. Në Holande, që në fakt njihet edhe si Barometri i politikave dhe zhvillimeve të mëtejshme në hapësirën evropiane është kërkuar zyrtarisht rivendosjen e sistemit të vizave me Shqipërinë. Ky nuk është ende një vendim përfundimtar politik dhe institucional i Holandës por ka dy elemente shumë domethënës që praktikisht i vendos shqiptarët në fije të perit. E para , kërkesa është zyrtare nga agjencitë që janë të ngarkuara me çështjen e sigurisë dhe luftën kundër kriminalitetit. E thënë ndryshe politika dhe institucionet shtetërore vendimmarrëse do ta kenë shumë të vështirë të mos i përgjigjen kërkesës së këtyre agjencive e nga ana tjetër tu kërkojnë atyre garantimin maksimal të sigurisë dhe rendit për qytetarët e tyre. Përkundër, politikanët vendimmarrës do dilnin përgjegjës direk përball qytetarëve që do të votojnë për ta. E dyta, që nga dhjetori i vitit 2016, Këshilli i Ministrave të BE ka miratuar tashmë mekanizmin e pezullimit të lëvizjes së lirë për vendet jo anëtare ku çdo vend anëtar mund ta aktivizoj atë. Kriteret e parashikuara në këtë mekanizëm aktualisht penalizojnë drejtpërdrejt Shqipërinë më së shumti. Burokratët e disa prej institucioneve ndërkombëtare të akredituar në Shqipëri e kanë neglizhuar tërësisht këtë risk, e kanë fshehur këtë realitet shqiptar, kanë bllokuar çdo analizë dhe informacion për autoritetet e tyre përgjegjëse. Kjo për arsye të tyre por që shqiptarëve tani po u kushton të pa imagjinueshmen. Qytetarët shqiptarë kanë qenë që nga krijimi i shtetit të tyre të pavarur populli më i diskriminuar në konceptin e lirisë e të lëvizjes. Për pasojë të komunikimit dhe zhvillimit. Ndaj dhe fitimi i kësaj të drejte universale prej tyre në vitin 2008 ishte një ëndërr e bërë realitet në qiellin e shtatë. Prindërit e përmalluar prej vitesh mund të shihnin fëmijët e tyre dhe të rroknin në gjoks aromën e nipërve dhe mbesave (siç i thonë tek ne) “mjaltit të mjaltit”, fatkeqët e prekur nga sëmundje lehtësisht të kurueshme nga avangarda mjekësore evropiane por fatale për jetën në spitalet tona gjetën “dermanin” e nevojshëm, studentët e ambicieve të gjeneratës së sotme të digjitalizuar shpërthyen kapacitetet e tyre në botën universitare evropiane, etj., etj. Këto e përfitime të tjera nga normaliteti shqiptar i 2008, rrezikohen seriozisht të humben nga anormaliteti ynë i 2017. Humbja do të vijë për të gjithë nëse nuk e ndalim. Demokrat e socialist, votues dhe abstenues do ti shohim së shpejti në radhët e gjata të mureve të ambasadave por pa marrë asgjë në fund. Nëse vizat rivendosen miq të mi, nuk do dihet se kur do mundemi përsëri të shkojmë tek fëmijët, nipërit e mbesat, në spital për emergjencën e jetës apo shkollën e fëmijëve?! Holanda “barometër” nuk lë asnjë hezitim për vlerësimin e klimës si efekt domino i vendeve të tjera. Kështu është politika në fund të fundit. Rreziku eminent dhe fortësisht i paralajmëruar është tek dera. E sigurt që çeljen e negociatave për anëtarësim këtë vit e kemi përfundimisht të humbur. Gallataxhinjtë e shoqatave të quajtura “civile” nuk po duken ku janë. Trendi i diskursit politik është sponsorizuar i tëri pa përjashtim tek anti-opozitarizmi. Shqipëria ku po shkon ? Nuk po merr mundimin ta thotë kush. E çfarë mund t’i kërkohet qytetarëve të thjeshtë kur hallin e kanë tek buka e përditshme kur elita e vendit duket kaq e fiksuar ? Shpresa vdes e fundit. Një goditje fatale, në front kombëtar nga Dibra në Tepelenë, nga Vlora në Shkodër, nga Durrësi në Elbasan e nga Fieri në Tiranë ndaj grupeve të krimit të organizuar tashmë në fashion të plotë mafioz është dhe duhet të jetë hapi i parë publik dhe institucional.

Nëse nuk shohim konfiskime të pasurive kriminale duke filluar me të atyre organizatave të përfshira në procesin elektoral për të deformuar ndërgjegjen e qytetarëve ,
Nëse nuk shohim procese ligjore të vërteta dhe transparente të hetimit dhe gjykimit të ashtuquajturve politikan që deklarojnë miliarda pa punuar asnjë ditë ,
Nëse nuk shohim pastrim të Parlamentit nga kriminelët ordinerë por me shumë para (droge dhe prostitucioni kuptohet),
Nëse nuk shohim…. (ka shumë syresh), do ta harrojmë shumë shpejt ta shohim Evropën live, (fëmijët, nipërit e mbesat emigrantë, spitalet për kurim, shkollat për arsimim, tregjet për biznes etj). Po, do ta shohim përmes BBC dhe Euronews !”, shkruan Nishani 
Sigal