Kthimi i eshtrave të Ahmet Zogut trazon shqiptarët

576
Sigal

Përplasje për ceremoninë e varrimit të eshtrave të ish-Mbretit Zog në ditën e Çlirimit të Tiranës

Pas katër ditësh do të kryhet në Tiranë ceremonia e rivarrimit të eshtrave të ish-mbretit Ahmet Zogut. Ky rivarrim bëhet vetëm pak ditë para festimit të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, ndërsa është paraprirë nga një fushatë e ethshme për rivlerësimin e figurës së Ahmet Zogut, aq sa propaganda zyrtare dhe vetë Kryeministri Berisha e kanë quajtur atë një figurë të madhe të kombit pas Skënderbeut, duke eklipsuar figurën e ndritësit të flamurit dhe themeluesit të shtetit shqiptar më 1912, Ismail Qemalit. Kjo fushatë dhe akti i fundit për rivarrimin e eshtrave të Zogut pikërisht më 17 nëntor, në ditën e Çlirimit të kryeqytetit, ka ngjallur reagime të shumta pro dhe kundër. Kryelegalisti Ekrem Spahia nuk e ka fshehur faktin se rivarrimi në 17 nëntor është bërë i qëllimshëm, për të mos përkujtuar Luftën e Tiranës, por mbretin. Të menjëhershme kanë qenë reagimet nga veteranët e Luftës Antifashiste, të cilët e kanë quajtur këtë një provokim që kjo qeveri u bën ndjenjave të popullit dhe luftës për Çlirim. Është e natyrshme që ata do ta bojkotojnë ceremoninë për ish-mbretin dhe do të shkojnë në varrezat e dëshmorëve. Edhe Partia Socialiste, nëpërmjet Kryetarit Edi Rama, ka deklaruar se, nuk do të marrë pjesë në ceremoninë për Zogun. I këtij mendimi është dhe kreu i komunistëve shqiptarë Muharrem Xhafa. Sipas Xhafës, figura e Ahmet Zogut mbart me vete një tradhti të madhe kombëtare. Ai e braktisi popullin dhe Shqipërinë në ditën më të zezë të historisë, ditën e pushtimit fashist. Por kryeballisti Adriatik Alimadhi thotë të kundërtën. Ai e konsideron Zogun një figurë të rëndësishme historike që meriton të nderohet. Ndërkaq, Partia Lëvizja e Legalitetit ka angazhuar të gjitha strukturat e saj, në mënyrë që kthimi në Atdhe i eshtrave të Ahmet Zogut të ketë pjesëmarrjeve masive, por edhe organizim dinjitoz.

Ceremonia

Axhenda zyrtare e ceremonisë, që organizohet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, parashikon mbërritjen e eshtrave nga Parisi ne Tiranë me 16 nëntor, ndërsa më 17 nëntor, ditën e Çlirimit të Tiranës, janë parashikuar homazhe tek Pallati i Brigadave dhe me pas do të zhvillohet ceremonia shtetërore e rivarrimit të eshtrave të Ahmet Zogut në mauzoleumin e rindërtuar mbretëror, tek Kodrat e Liqenit. Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahija, thekson se, Qeveria shqiptare po mundëson zhbërjen e një padrejtësie historike ndaj mbretit Zog dhe familjes mbretërore. Zoti Spahija e vlerësoi mbretërimin e Ahmet Zogut si periudhën që lidhet me krijimin e shtetit modern shqiptar, me unitetin territorial dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë. Kreu i Legalistëve dënoi si reminishenca të regjimit komunist qendrimin e çdokujt, që ka kundërshtuar kthimin në Atdhe të eshtrave të Ahmet Zogut dhe nderimin e tij me ceremoni shtetërore.

_____________________________

FLASIN PËR “TELEGRAF”

Muharrem Xhafa: “Komunistët shqiptarë nuk i nderojnë tradhtarët”____________________________________________________

Kreu i komunistëve shqiptarë, Sekretari i Parë i PPSH-së, Muharrem Xhafa, tha dje për “Telegraf” se, Berisha dhe qeveria e tij me vendimin për sjelljen e eshtrave të Ahmet Zogut dhe ceremoninë e rivarrimit që do të organizojë më 17 nëntor ka provokuar dhe ka fyer ndjenjat e një populli të tërë. E them këtë pasi figura e Ahmet Zogut mbart me vete një tradhti të madhe kombëtare. Ai e braktisi popullin dhe Shqipërinë në ditën më të zezë të historisë, ditën e pushtimit fashist. Pa përmendur dhe fakte të tjera tashmë të njohura, sikurse janë shitja që u bëri serbëve e trojeve shqiptare të Shën Naumit dhe Vermoshit, vetëm arratisja ditën e pushtimit do të mjaftonte që atij të mos i bëhej asnjë nderim. Por qeveria aktuale, duke bërë rivarrimin më 17 nëntor, e fyen dyfish këtë popull, pasi 17 Nëntori është një ditë e madhe, dita e çlirimit të kryeqytetit. Si m und të mohohet ajo luftë e madhe, dëshmorët e asaj lufte? Por ne komunistët nuk çuditemi, pasi armiqtë dhe tradhtarët e asaj lufte, pra ballistët dhe zogistët ne sot i kemi në qeveri tok me Berishën. Por, çfarëdo që të bëjë kjo Qeveri kundër luftës për çlirim dhe dëshmorëve, nuk e errëson aspak madhështinë e asaj lufte që udhëhoqën komunistët shqiptarë. Turpi do t’u mbetet për jetë tradhtarëve, përfundoi Xhafa.

Adriatik Alimadhi: “Balli Kombëtar vlerëson figurat historike”________________________________________________________

Kryetari i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi tha mbrëmë për “Telegraf” se, partia e tij përshëndet nismën e qeverisë për kthimin e eshtrave të ish-Mbretit Ahmet Zogu në Shqipëri. Në Shqipëri ka vend edhe për kriminelët, si të mos ketë vend për një mbret? Përsa i përket ditës së rivarrimit të eshtrave të Ahmet Zogut që do të bëhet më 17 nëntor, në ditën simbol të çlirimit të Tiranës, Alimadhi thotë se, as Tirana dhe as Shqipëria nuk janë çliruar më 17 nëntor, as më 29 nëntor. Ato janë data të pushtimit të Shqipërisë nga komunistët, ndaj dhe nuk e meriton të festohen. Ballistët do të nderojnë me respekt gjithë figurat historike me kontribut në luftërat për liri dhe pavarësi kombëtare dhe për ngritjen e shtetit shqiptar. Ahmet Zogu është padyshim një figurë e tillë që duhet nderuar. Prandaj dhe Balli Kombëtar do të marrë pjesë më 17 nëntor në ceremoninë e varrimit të eshtrave të ish-Mbretit. Ndarja jonë me komunistët është bërë përfundimisht që në konferencën e Mukjes, ndaj ne nuk mund të nderojmë luftërat e tyre, theksoi kryetari i ballistëve, Adriatik Alimadhi.