Kthesë e papritur e Gjykatës Kushtetuese

393
Sigal

 

Gjykata Kushtetuese pezullon Vetingun, drafti i PS
shkon në Komisionin e Venecias

 

46 ditë nga
votimi në seancën e jashtëzakonshme vetëm me votat e mazhorancës, Gjykata
Kushtetuese vendosi të pezulloje zbatimin e ligjit të Vetingut. Ky vendim do të
pezulloje çdo efekt të këtij ligji deri në shqyrtimin në themel të tij nga
Kushtetuesja. Por para vendimit përfundimtar, gjykata do t’i drejtohet
Komisionit te Venecias për mendim, nëse ligji është në shkelje të Kushtetutës
dhe të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, siç thuhet në ankimimin e
opozitës, të dorëzuar me 5 tetor. 88 deputete dhanë votën për ligjin dhe për të
votuar pro, u thirren edhe deputete që rrallë herë shfaqen në seancat plenare,
si Armando Prenga, i cili po gjykohet për plagosje me dashje e kanosje. Opozita
paraqiti mbi 50 amendamente për Vetingun, të cilat nuk u morën në konsideratë
nga mazhoranca dhe refuzoi të jepte votën, duke sqaruar se ligji binte në
kundërshtim me ndryshimet kushtetuese të 21 korrikut dhe duke akuzuar
mazhorancën, se me votimin e njëanshëm e kishte prishur këtë konsensus. Sipas
opozitës ligji i vetingut tenton të vërë nën kontrollin e kryeministrit
drejtësinë, duke cënuar parimin e ndarjes së pushteteve. Vetë kryeministri
reagoi kur demokratët iu drejtuan Gjykatës, duke thënë se opozita po vihej
serish përballë Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Presidenti i
Republikës, e kaloi ligjin në heshtje, duke mos hedhur firmën mbi të. Por
ankesa për ligjin nuk ka vetëm PD. Në Kushtetuese ka mbërritur edhe një kërkesë
e Unionit të Gjyqtarëve për të marrë pjesë në gjykim si subjekt i interesuar, e
cila u pranua nga Gjykata.

 

New York Times”: Gjykata ngrin ligjin kyç
për integrimin evropian të Shqipërisë

Vendimi i
Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Vetingut nuk ka kaluar pa u parë e
raportuar edhe nga media e huaj. Gazeta prestigjioze Amerikane “New York Times”
shkruan, se Kushtetuesja ka pezulluar ligjin kyç që do afronte vendin në BE.
“Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka pezulluar ligjin e Vetingut… një ligj
kyç për gjyqësorin dhe reformën e nevojshme për të bindur BE-në që të hapë
negociatat për Shqipërinë”, Më pas ajo shton se ligji i është dërguar
Komisionit të Venecias, duke shtuar, se paketa ligjore e reformës, e përgatitur
nga BE dhe SHBA ka qenë më parë në këtë komision, i cili tashmë është shprehur
një herë. “New York Times” saktëson se ligjin e Vetingut e ka kundërshtuar
opozita. “Pezullimi thjesht do të bllokojë përkohësisht nisjen e rishikimit të
sistemit nga reforma e krijuar për të ristrukturuar sistemin gjyqësor dhe për
të siguruar, se gjyqtarët dhe prokurorët janë të pavarur nga politika, si dhe
për të hequr me rrënjë korrupsionin”, vijon në shkrimin e saj “New York Times”.