Kthesa në dosjen “Tahiri”, pas pasaportës, lirohet edhe Sota

723
Vetëm dy javë nga caktimi i Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme e përkohshme, gjërat kanë ndryshuar jo pak për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. I akuzuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal, që merrej me trafikimin e drogës, ish-ministri socialist ndodhej dy muaj më parë pranë arrestit, por një vendim i Kuvendit nuk i dha autorizimin përkatës organit të akuzës. Tashmë nga drejtimi i prokurorisë është larguar Adriatik Llalla dhe dosja “Tahiri” ka marrë një kthesë të rëndësishme. Fillimisht, në ditët e fundit të dhjetorit 2017, ish-ministrit të rëndësishëm të socialistëve iu kthye karta e identitetit dhe pasaporta, që i ishte bllokuar me vendim të gjykatës dhe i pengonte daljen jashtë vendit. Dyshimet e prokurorisë për mundësinë e largimit të Tahirit nga vendi ishin pranuar fillimisht nga gjykata, por më pas ky vendim u ndryshua. Ndërsa dje, me një vendim të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda është vendosur lirimi nga burgu i Orest Sotës, 25-vjeçarit që prokuroria akuzonte se po transportonte paratë e ish-ministrit. Për të fituar lirinë, Sota la si garanci 5 milionë lekë (më pak se 40 mijë euro), ndërsa në automjetin e tij në fillim të nëntorit 2017 u gjetën 863 mijë euro, si dhe patentat e ish-ministrit Tahiri e bashkëshortes së tij. E njëjta trupë gjyqësore e Apelit për Krimet e Rënda, kishte refuzuar dy herë të tjera, madje së fundmi edhe më 26 dhjetor kërkesën e avokatëve të Sotës, që këmbëngulën në ndryshimin e masës së sigurisë. Gjyqtarët e Apelit për Krimet e Rënda, Saida Dollani, Sokol Binaj dhe Fehmi Petku, pranuan ndryshimin e masës përballë garancisë pasurore prej 5 milionë lekë dhe me detyrimin për t’u paraqitur pranë organeve të hetimit dy herë në muaj. Ndërkohë, për atë që cilësohet si dosja “Tahiri” ndodhen në kërkim edhe 3 ish-shefa të policisë së Vlorës, të akuzuar si të përfshirë në trafik droge. Ata janë në arrati, ndërsa Nazer Seiti, i cilësuar si financieri i Habilajve, që u arrestua në Vlorë, pritet të ekstradohet drejt Italisë. Në këtë mënyrë, dosja “Tahiri” pëson dy hapa të rëndësishëm prapa vetëm në dy javët e para në detyrë të drejtueses së re të prokurorisë. Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, deklaroi pak ditë më parë se kishte kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme që të vazhdojë me të njëjtat ritme hetimet për zbulimin e lidhjeve kriminale të Saimir Tahirit.
Sigal