Kthehen turistët e bllokuar në Egjipt, pranga pronares së ‘Pasha Holiday’

124

Merr fund tortura e turistëve të braktisur në Sharm el Sheik  nga Belle Air

Pas peripecive të gjata, 182 turistët shqiptarë në Sharm el Sheik arritën të ktheheshin dje në aeroportin e Rinasit. Të gjithë këta pasagjerë paguan vetë udhëtimin e kthimit, pasi agjencia turistike që i kishte çuar në Egjipt, shpalli falimentin. 9 turistë mbetën pa hipur në avion, për shkak se u plotësua numri që mund të mbajë avioni. Ata pritet te kthehen në atdhe me një avion të “Bell Air”, ndërkaq janë akomoduar në ambientet e ambasadës shqiptare në Kajro.
Por, para se të zgjidhej çështja, policia egjiptiane mbajti ‘peng’ 15 nga turistët shqiptarë, të cilët u braktisën në mëshirën e fatit nga agjencia turistike “Pasha Holiday”. Turistët u bllokuan në një hotel në Sharm El Sheik, për shkak se nuk kishin paguar biletat e hotelit. Dori H., një prej turistëve, që u bllokua në hotel, tha se në mesin e tyre ndodheshin dhe pesë fëmijë. Sipas gruas, policia egjiptiane i mbajti peng për 5 mijë euro që llogariten shpenzimet e hotelit për katër ditët e qëndrimit jashtë afatit.  Më pas, situata u zhbllokua dhe turistët arritën në kohë në aeroport.
Arrestohet pronarja e ‘Pasha Holiday’
Policia e Tiranës arrestoi dje pronaren e agjencisë turistike “Pasha Holiday”, Marselinda Kortoci, nën akuzën e mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe falimentimit të detyruar. Efektivët e krimit ekonomik arrestuan sot në Tiranë pronaren e agjencisë turistike, që braktisi në Egjipt rreth 180 turistë shqiptarë, që kishin paguar paketën e plotë të pushimeve. Pronarja e agjencisë “Pasha Holiday”, deklaroi para hetuesve se ka shpallur falimentin, ndaj për këtë shkak nuk siguronte dot kthimin e turistëve në Shqipëri.
180 turistë shqiptarë u braktisën në Egjipt nga agjencia turistike “Pasha Holiday”, e cila, pasi mori prej tyre paratë për paketën e plotë turistike, nuk e përmbushi detyrimin e saj. Për kthimin në vend, turistët u vetorganizuan dhe paguan biletat e avionit.
Turistët: 12 orë pa ngrënë. Sharm el Sheik, pushime ‘from hell’

Të lodhur e të zemëruar janë kthyer turistët shqiptarë nga Egjipti. Pushimet, që duhet të ishin relaks u shndërruan në lodhje e stres. “Nuk mund ta përshkruaj atë që kemi hequr. Në aeroport kemi shkuar në orën 10:00 paradite dhe në orën 10:00 të mbrëmjes jemi nisur. Imagjino të rrish 12 orë në aeroport, ku fëmijët as hëngrën as pinë”, shprehet një prej turistëve ,e sapo mbërritur në atdhe. As emrin mos ja dëgjofsha më jo më të shkoj atje”.
‘Jemi shumë të lodhur e të stresuar’, thekson një tjetër. ‘U mblodhëm dhe diskutuam ,që të porosisnim një charter. Sipas dikujt tjetër, problemet nisën që në ditën e mbërritjes në Sharm el Sheik. “Na dolën pushime ‘from hell’. Kur shkuam tek hoteli hasëm problemet e para, sepse kishim rezervuar tek Melia resort dhe më thanë që nuk ke rezervuar këtu dhe më çuan në resort me 3 yje, kur unë kisha paguar me 5 yje. Pastaj, mos të flasim për të tjerat mbërritja në atdhe etj”

Egjipt, turistët e mbetur strehohen në ambasadë

Turistët e bllokuar në Sharm el Sheik që nuk kanë mundur të transportohen me udhëtimin e parë me avion, ndodhen në mjediset e ambasadës shqiptare në Kajro, Egjipt. Sipas Ministrisë së Jashtme ata do të kthehen në atdhe në një kohë sa më të shpejtë. Ministria e Jashtme shqiptare tha sot se ka ndjekur me vëmendje situatën e krijuar me turistët shqiptarë të bllokuar në resortet e Sharm El Sheik. Në një njoftim të saj thuhet se situata ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të marrëdhënieve nga ana e agjencisë turistike shqiptare. Sipas MPJ-së, në Shqipëri kanë mbërritur 182 turistë.

 PS, Beqja: Sezoni turistik dështoi, rilind vitin tjetër

Sekretari i programit të Partisë Socialiste, Ilir Beqja deklaroi se gjatë këtij sezoni turistik janë shënuar shumë probleme për të cilat qeveria nuk u kujdes. “Sezoni turistik veror po hyn në fazën e tij përmbyllëse dhe treguesit e drejtpërdrejtë e të tërthortë konfirmojnë, për fat të keq, për një tjetër sezon turistik të dështuar. Në të vërtetë është në vazhdën e dështimeve të përsëritura të qeverisjes së 7 viteve të fundit”.”Ky është sezoni turistik i plazheve të zbrazëta. Bosh plazhet e Durrësit e të Golemit, bosh plazhet e Vlorës e të Orikumit, bosh hotelet e Sarandës e të Divjakës”. Sipas Beqjas, pas 7 vjetësh qeverisjes të Berishës, pushuesit e vizitorët ankohen për ujin, dritat, plehrat. “Pushues e vizitorë ankohen për mungesën e ujit të pijshëm, pushuesit e vizitorët ankohen për mungesën e kanalizimeve, pushuesit e vizitorë ankohen për mungesën e energjisë elektrike, pushuesit e vizitorët ankohen për mbeturinat e kudondodhura, ndërsa Sali Berisha në mes të sezonit turistik, u bëri dhuratë lejet për import plehrash”. Në emër të PS-së, Beqja thekson se ka një lajm të mirë për shqiptarët dhe kjo vjen nëpërmjet programeve të PS-së.. ‘Kjo është vera e fundit në sundimin e pushtetit të Saliut. Verën e ardhshme vendi do të drejtohet nga qeverisja e Partisë Socialiste. Ne kemi një plan për rilindjen e turizmit shqiptar. Është pjesë e planit tonë për rimëkëmbjen e ekonomisë si domosdoshmëri për rilindjen e Shqipërisë’. Më tej, PS-ja insiston që moratoriumi i skafeve duhet hequr. “Ky është sezoni turistik ku shqiptarëve i ndalohet të lundrojnë në detin e tyre, ndërsa Sali Berisha refuzon të diskutojë propozimin e deputetëve socialistë për çlirimin e detit nga moratoriumi”. Beqja theksoi gjithashtu se problematikë për turistët kanë qenë dhe aksidentet, plaçkitjet dhe zjarret. Për këtë të fundit Beqja veçoi; “Të gjithë qytetarët e Tiranës po shohin prej dy ditësh se po digjet faqja perëndimore e malit të Priskës, ndërsa kryeministria është e zënë me transmetimin e rekordeve të Sali olimpikut”.

 Interesat e larta për kreditë, rrezik për bankat

Banka e Shqipërisë vëren se, për shkak të interesave të larta që ofrojnë bankat, rreth 130 miliardë hua të dhëna nga vetë ato, rrezikojnë të kthehen në problematike. Në një analizë të Bankës Qendrore, për rreziqet që i kanosen sistemit bankar, vihet re se ekspozimi ndaj rrezikut të normave të interesit të kredive, me afat maturimi deri në tre muaj,, arrin në një nivel prej 51 miliardë lekësh ose 5.1% të aktiveve që sjellin të ardhura. Sipas Bankës së Shqipërisë, një rrezik tjetër për përkeqësimin e kredisë është vlerësuar kursi i këmbimit. Portofoli i kredive në valutë paraqet një tregues më të lartë të kredive me probleme në nivelin 19.6% krahasuar me portofolin në lekë me 16.9 %. Gjatë kësaj periudhe vërehet se kursi i këmbimit të monedhës euro, në baza tremujore, ka qenë i luhatshëm, gjë që e bën të dobët lidhjen e drejtpërdrejtë të ecurisë së kursit të këmbimit me treguesin e kredive me probleme. Nga ana tjetër, rritja e depozitave gjatë dy viteve të fundit u shoqërua me një rritje paksa më të lartë të tepricës së kredisë. Disa nga bankat e sistemit shqiptar kanë të miratuara linja kredie nga bankat mëma, të cilat nuk janë të përdorura dhe evidentohen si zëra jashtë bilancit. Mundësia e përdorimit të këtyre linjave, në rast nevoje, vlerësohet si një element pozitiv në vlerësimin e situatës së likuiditetit të bankave.

 Romët e dëbuar nga Stacioni i Trenit, sërish pa strehë e ushqim

Megjithëse u fol dhe u premtua shumë për 8 familjet rome, të dëbuar 2 vjet më parë nga ish- Stacioni i Trenit, këto familje vazhdojnë të enden rrugëve të kryeqytetit, pa strehë. “Ne rrimë rrugëve, në lulishte, tek Lana, ku të mundemi. Ja kështu, si na shikoni, nuk kemi strehim. Nuk marrim ndihmë sociale prej 4 muajsh, në këtë gjendje jemi 4 familje”, thotë njëra prej grave. “Nuk ia dilet me të lypur, fëmijët duhen larë, duan kushte. I bëj thirrje zotit Ksera të mendojë për fëmijët tanë si për fëmijët e tij”, thotë një tjetër banore. Ndërsa, një tjetër prej tyre, shprehet, “Në demokraci kemi hyrë, e s’po shohim një ditë të bardhë, na u nxi jeta nëpër kazanët e plehrave, edhe ato na i prenë fare…më shiko, kam dy javë pa u larë, nuk kemi as ujë për të pirë”, shton ai i revoltuar. Edhe pse kanë pasur mbështetjen e vazhdueshme të Avokatit të Popullit, i cili i strehoi në ditët e acarta të dimrit në institucionin e tij, gjendja e tyre vazhdon të përkeqësohet. Të pashpresë, ata thonë se do kthehen tek ish-reparti ushtarak në fshatin Sharrë, ku sërish i pret një tjetër konflikt, ai me pronarët e tokës.

 Kakavijë, mbi 5 mijë emigrantë shqiptarë në 13 orët e fundit

Mbi 5 mijë persona, kryesisht emigrantë shqiptarë që jetojnë në Greqi, kanë hyrë gjatë 13 orëve të fundit nëpërmjet vendkalimit kufitar të Kakavijës, njoftoi dje policia kufitare e qarkut të Gjirokastrës, në jug të vendit. “Aktualisht, shërbimi doganor punon me 8 sportele, 5 hyrje dhe 3 në dalje, ndërsa dogana greke punon me 6 sportele gjithsej, 3 në dalje dhe po aq në hyrje”, thanë burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit për qarkun e Gjirokastrës. Në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës, krahas pikës së kalimit kufitar të Kakavijës, funksionon me kohë të plotë dhe pika kufitare “Tre Urat”, rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit. Ndërsa pika kufitare e Sopikut, në komunën e Pogonit, rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, funksionon vetëm për këmbësorët.

 Vrau rrëmbyesin, 18-vjeçarja: “Donte të më trafikonte në Kosovë”

Nazime Visha ka rrëfyer gjatë në polici, për sa i përket krimit të një dite më parë. Ajo ka pranuar para grupit hetimor se ishte ndjerë e detyruar të kryente një veprim të tillë, pasi Fiqiri Muça, mbrëmjen e së dielës kishte shkuar sërish për ta rrëmbyer.
Në prani të avokates, Vjollca Pustina, vajza ka shpjeguar me hollësi persekutimin, që i është bërë nga 45-vjeçari, si dhe ndihmën që sipas Nazimes, i është dhënë atij nga një punonjës policie në Burrel. Ajo shprehet se është detyruar të firmosë, se ishte larguar me dëshirë me Fiqiriun, çka ishte një provë e rëndësishme për ta lënë burrin të lirë. Burime nga grupi hetimor, shprehen se 18-vjeçarja ka rrëfyer se në një bisedë telefonike, gjatë rrëmbimit të parë, Fiqiri Muça është shprehur se do ta trafikonte drejt Kosovës për prostitucion. Vajza ka pranuar se viktima i ka marrë edhe bizhuteritë e të fejuarit me një vlerë prej 1 milion lekësh. Ndërkaq, Gjykata e Tiranës do vendosë sot në orën 10:00 për fatin e 18-vjeçares Nazime Visha, mbi të cilën rëndon akuza e vrasjes.