Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi: Protesta e 25 Majit, protesta më e madhe dhe më e qëndrueshme

479
Sigal

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me strukturat e LSI-së në njësinë bashkiake nr.8 në Tiranë. Gjatë fjalës së saj në këtë takim, Kryemadhi foli për protestën e 25 Majit, për të cilën tha se do të jetë protesta më e madhe dhe më e qëndrueshme. Ajo tha se sot në Shqipëri çdo ditë e më shumë protestat po bëhen edhe më të mëdha dhe se pjesa më e bukur e këtyre protestave është pjesëmarrja e qytetarëve.

Kryetarja e LSI-së tha se sot shqiptarët po protestojnë ashtu si dhe në vitet 90-të për të përmbysur regjimin diktatorial, por ndryshe nga vitet 90-të, sot po protestohet për të përmbysur regjimin diktatorial të krimit të organizuar. “ Mendoj që duhet të jemi në aksion. Aksioni i vetëm është protesta e qëndrueshme, protestë e qëndrueshme, protestë e fortë, pjesëmarrje e madhe, përfshirje e të gjithë qytetarëve dhe jo pa qëllim ne kemi marrë iniciativën për daljen në të gjitha njësitë e Tiranës, në mënyrë të tillë që strukturat e LSI të jenë ato që ja u krijojnë infrastrukturën dhe mundësinë qytetarëve të Tiranës për të ardhur në protestat që po organizohen.

Dhe sidomos protesta e 25 Majit që do të jetë vazhdimësi e të gjithë protestave të tjera që kanë ndodhur, që çdo protestë vjen duke u shtuar pjesëmarrja e bën akoma më të bukur sepse nuk janë vetëm partitë politike që marrin pjesë. Partitë politike janë organizatore, por janë qytetarët ata që janë pjesa më e madhe që marrin pjesë në të gjithë këto protesta masive.

Protestat kanë qenë protestat më të mëdha që janë bërë ndonjëherë në Shqipëri, ato janë protestat më të mëdha në Shqipërinë më të rrudhur. Me qindra mijë shqiptarë janë larguar. Mbi 500 mijë shqiptarë janë larguar në këto tre vite dhe protesta më të mëdha Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë. Janë vetëm ato të vitit 90-të, kur përmbysën dhe rrëzuan regjimin komunist dhe shqiptarët vendosën që të kalojnë në demokraci. Po i njëjti rrezik të para 30 viteve është rikthyer dhe sot shqiptarët janë po përsëri në numër shumë të madh për të protestuar dhe për të përmbysur këtë regjim diktatorial që ka instaluar Edi Rama, por nuk është më regjim diktatorial komunist, por është regjim diktatorial i krimit të organizuar, i cili jo vetëm që ka marrë peng jetën e shqiptarëve, por ka marrë peng edhe të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve.

Prandaj 25 Maji është dita që ne do të vazhdojmë protestën tonë. Protestë madhështore, protestë të qëndrueshme. Një nga protestat që do të jetë edhe më e madhe se protestat e tjera”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.