Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi: Largimi i Edi Ramës do të sjellë fundin e tranzicionit shqiptar.

438
Sigal

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me strukturat e LSI-së Tiranë, në prag të protestës së ditës së nesërme. Kryemadhi tha se largimi i kryeministrit Rama do të shënojë përfundimisht dhe largimin e tranzicionit të stërgjatur në Shqipëri. Kryemadhi tha se tashmë përballë kemi një rrënojë e cila është në grahmat e fundit. “Sot më shumë se kurrë unë jam e bindur se jemi në rrugë të mbarë. Pse jemi në rrugë të mbarë? Jemi në rrugë të mbarë sepse besoj e mbani mend të gjithë që në 27 qershor të 2017-s vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të famshme të 25 qershorit, ish-kryetari i asaj kohe Petrit Vasili mbajti një konferencë për shtyp ku denoncoi krimin e organizuar që grabiste dhe dhunonte votat e shqiptarëve. Kur denoncoi që krimi i organizuar me paratë e trafikut të drogës bliheshin dhe intimidoheshin shqiptarët për të ndryshuar rezultatin në kutitë e votimit. Dhe sot ja ku jemi. Vërtetë me një kosto shumë të madhe politike, shoqërore dhe ekonomike për Shqipërinë, sot ne jemi përballë një rrënoje e cila është në grahmat e saj të fundit, e cila po kërkon çdo ditë e më shumë sadopak oksigjen. Por ne e kemi vendosur, do ja heqim prizën. Nuk ka më asnjë moment dhe asnjë kompromis me një njeri i cili jo vetëm që ka punuar dhe po punon për grupin e tij të klientëve prej pesë vetash, por përkundrazi ka varfëruar shqiptarët. Nuk ka kompromis me askënd i cili jo vetëm që premtoi 300 mijë vende të reja pune, por largoi 500 mijë shqiptarë nga Shqipëria. I cili rriti taksat, rriti çmimin e energjisë elektrike, rriti faturën e ujit, rriti koston e jetesës për shqiptarët, ndërsa rrogat përkundrazi i la aty ku ishin, duke zhvlerësuar lekun shqiptar dhe duke u krijuar shqiptarëve një pasiguri shoqërore, ekonomike dhe duke mos iu garantuar atyre të ardhmen e fëmijëve”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.