Sigal

Po e filloj këtë intervistë për vizitën e ministrit të Jashtëm gjerman, i cili bëri një deklaratë të fortë në konferencë shtypi, në krah të Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, ku u shpreh: Lërini fjalët, kryeni reformat, përmbushni kushtet që të hapen negociatat në verën e vitit 2019… A bën pjesë opozita tek lënia e fjalëve dhe ndihma për reformat?

Këtu e ka pasur fjalën drejtpërdrejt tek Edi Rama, kryeministri i vendit, sepse opozita nuk ka çfarë të bëjë më. Opozita e ka thënë fjalën e saj, ka bërë edhe të gjitha propozimet. Është shumë e qartë në pozicionin e saj, që me konsensusin që ka dhënë më 21-22 korrik për Reformën në Drejtësi. Më pas, edhe pse LSI i besoi ndërkombëtarëve, të cilët thanë: votoni 7 ligjet sepse reforma do ecë, dhe i votoi 7 ligjet kur doli që kishte Partia Demokratike të drejtë, prapë ia dhamë këtë të drejtë. Por, kapja e Reformës në Drejtësi nga Rama dhe krimi i organizuar nuk ka sesi ta çojë më këtë reformë përpara. Sepse që kjo reformë të ecë përpara duhet të bëhet KLD-ja, KLP-ja, KLGJ-ja, SPAK-u, Byroja e Hetimit, të cilat janë institucione që z. Rama nuk do të kërkojë kurrë t’i ngrejë, ose këto institucione do të ngrihen vetëm në momentin pasi personat që do të marrin pjesë ose që do të jenë në këto institucione do të jenë njerëzit e Edi Ramës, të cilët menaxhohen dhe kontrollohen totalisht prej tij. Kështu që, ajo deklaratë është shumë e qartë, por mendoj disi e vonuar nga ministri i Jashtëm gjerman, duke pasur parasysh që përfaqëson edhe Partinë Socialdemokrate gjermane dhe duke pasur parasysh po ashtu që Partia Socialiste ka disa marrëdhënie disi më të ngushta me socialdemokratët. Mendoj që mund t’i shtonte edhe një fjali tjetër, ku t’i bënte thirrje mazhorancës për përgjegjësi dhe përgjegjshmëri në zbatimin e reformave, sepse sot ne nuk mund të themi që ka ndonjë reformë të realizuar apo të arritur në Shqipëri, siç kemi edhe Reformën Administrative që ka shumë probleme në realizimin e saj. Sepse menaxhohen vetëm qendrat e qyteteve, nuk menaxhohen rrethinat e tyre, të cilat dikur kanë qenë jashtëzakonisht të menaxhuar nga kryetarët e Komunave, të cilët sot janë thjesht dhe vetëm rrogëtarë që emërohen nga kryetarët e Bashkive dhe nuk kanë asnjë lloj përkujdesjeje ndaj qytetarëve.

Deri në këtë moment, opozita, për arsye që i ka bërë publike, po i bojkoton punimet e seancës plenare…

Nuk po i bojkotojmë ne punimet e seancës, Parlamenti ka bojkotuar shqiptarët. Që të shkosh të ulesh me kriminelët në një vend dhe të votosh ligjet që favorizojnë ata, që favorizojnë krimin e organizuar dhe oligarkët, për mua ky është bojkoti që i bëhet shqiptarëve.

Ju po thoni që shefi i diplomacisë gjermane ka takuar shefin e kriminelëve të legjislativëve shqiptarë?

Edi Ramën? Kjo nuk është ndonjë gjë për t’u çuditur. Kjo është mëse e vërtetë. Ne kemi disa muaj që e artikulojmë diçka të tillë.

Kur jeni kaq e bindur për Edi Ramën, lidhjet e tij me krimin dhe ulja e tyre në karriget e Kuvendit, kjo do të thotë që ju nuk ktheheni më në atë kuvend?

Meqë përmendët pak më sipër fjalën ‘bojkot’, po jua them që janë ata që kanë bojkotuar shqiptarët. Përsa i përket qëndrimit të opozitës në lidhje me marrëdhënie me institucionet e kriminalizuara, opozita është shumë e qartë. Prandaj, edhe arsyeja e vettingut të politikanëve, që ka ardhur si propozim i opozitës, që e gjeti ndoshta në një farë mënyre të papërgatitur z. Rama dhe tani po mundohet të bëjë ato akrobacitë e veta të fundit për të krijuar ide nga më të ndryshmet, është një nga hapat që do të çojë drejt dekriminalizimit jo vetëm të institucioneve, të shkojmë drejt vettingut të politikanëve. Por jo që ta bëjë Edi Rama vettingun. Që të shkojmë drejt këtij procesi të vettingut, duhet t’i rikthehemi fillimit të procesit që është data 21-22 korrik. Sepse kur flasim për vettingun dëgjojmë ndërkombëtarë apo ambasadorë që thonë që procesi ka ecur shumë mirë. Në 6 muaj vettingu iu bë vetëm 26 prokurorëve e gjyqtarëve dhe me ato ritme i binte që procesi i vettingut të përfundonte pas 20 viteve. Kur opozita ta artikulonte këtë gjë në takime të ndryshme qoftë me përfaqësues të Departamentit të Shtetit, apo me përfaqësues të institucioneve të tjera të Bashkimit Evropian, të cilët janë të interesuar drejtpërdrejtë për realizimin e kësaj reforme, atëherë institucionet e vettingut i futen me listë kalimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, saqë u quajtën prokurorë dhe gjyqtarë të kaluar edhe ata që kishin fshehur qindra milionë lekë dhe kishin harruar ta deklaronin sepse nuk i ishte printuar faqja e fundit e deklarimit. Por, ndërkohë kishim prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët për një arsye ose një tjetër, për në ballafaqim që mund të kenë pasur në të shkuarën me z. Rama, ishin larguar nga vettingu, qoftë edhe pse nuk kishin deklaruar një faturë kafeje diku në një bar edhe pse mund të ketë kushtuar 1.5 euro apo 2.5 euro.

Në qoftë se ju nuk uleni sot në këtë Parlament të kriminalizuar, pse do uleni nesër?

Së pari, mendoj që nuk është koha sot për ta thënë këtë gjë. Aksioni i opozitës ka filluar në etapat e veta, pra do të fillojë hap pas hapi. Të jeni të sigurt që opozita tashmë është shumë e qartë në axhendën e saj politike, duke pasur parasysh metodën e saj. Është pak enigmatike për mediat dhe opinionin publik, por për hir të së vërtetës, duke pasur parasysh që sot jeta politike nuk bëhet në kushte normale, por tejet anormale. Është një opozitë disi enigmatike në raport me mediat, për arsye se sot kemi media të kapura nga qeveria.

Enigmatike apo pak inegzistente?

Jo, unë do ta thosha enigmatike, për arsye se nuk duhet të harrojmë që sot opozita nuk e bën dot funksionin e saj si në një shtet normal demokratik. Sepse po të ishim në një shtet demokratik, opozita do ishte në Parlament sot dhe nuk do të kishim atë karagjozllëkun e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, që pranon dekretin e Presidentit, dhe më pas thua: do bëj amendime mbi dekretin e Presidentit. Kurrë në histori nuk ka ndodhur kjo. Pra, është shumë qesharake dhe e gjithë kjo vjen në mediat shqiptare, por edhe në institucionet ndërkombëtare si një arritje shumë e madhe. Nga ana tjetër rrugët e Shqipërisë janë mbushur me kriminelë dhe në një pasiguri të plotë. Kemi një Polici dhe një administratë shtetërore, e cila funksionon në mënyrë perfekte për të dënuar njerëzit e opozitës. E dini që ju që qoftë Policia e Shtetit, Policia Ndërtimore, Task-Forcat, OSHE, etj, etj, nuk shkojnë aty ku janë shërbëtorët apo kriminelët, të cilët janë në funksion të Edi Ramës, por shkojnë aty tek ata qytetarë që nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike për t’ia prerë atë. Nuk shkojnë të presin energjinë elektrike disa institucioneve që mund të kenë miliona euro për të paguar, por shkojnë të një njeri i thjeshtë i cili edhe ndihmën ekonomike që merrte nga shteti, i është hequr.

Më thatë opozitë enigmatike. A keni ndonjë gjë që po fshihni?

Nuk po fshehim por do t’i nxjerrim të gjitha etapat hap pas hapi. Di të them që opozita ka filluar tashmë një axhendë e cila nuk ka kthim mbrapa. Është shumë e qartë në pozicionimin e saj, pra me zgjerimin e fronit opozitar, me afrimin e PDIU-së tashmë.

Cili është ky aksion i opozitës që e paska filluar?

Së pari, bashkimi i opozitës është ajo që shkon tek njerëzit, pra vajtja në Shkodër, Elbasan, Durrës, vajtja në Vlorë. Pra, janë shumë të rëndësishme sepse në një farë mënyrë ne u japim edhe mesazhin njerëzve që, pak nga pak ne do të vijmë këtu me ju, do të jemi me ju për t’iu dhënë zemër dhe për t’iu ç’tensionuar atë ndjenjë frike që është mbjellë dhe instaluar nëpër qytete. Besoj se i patë pamjet e Jalës. Ishin të tmerrshme, një sjellje rrugaçërie, një sjellje e pavend. Sepse në fund të fundit, në qoftë se ato ndërtime atje kanë mbi 20 vjet pa leje, shteti është përgjegjës në fund të fundit për ato. Në qoftë se ti nuk i legalizon për arsye se do t’ia japësh dikujt tjetër për të ngritur atje një resort, ti ke detyrimin ta dëmshpërblesh, sepse është një vendim i Gjykatës së Strasburgut për të Drejtat e Njeriut, që disa ndërtime të palegalizuara në Turqinë e para 20 viteve, për vetë faktin që ti si shtet i ke lejuar dhe për vetë faktin që kanë qëndruar më shumë se pesë vjet, automatikisht ato quhen pronë dhe shteti ka të drejtën dhe detyrimin e dëmshpërblimit të tyre. Ajo e djeshmja ishte shumë e rëndë. Ne e dimë shumë mirë, sepse ne atje bëjmë Kampin e Jalës dhe ata atje janë njerëz, të cilët vetëm me atë gjë jetojnë. Me ato dy muaj verë atje jetojnë, atje banojnë, atje i çojnë edhe fëmijët e tyre përditë në shkollë.

Ajo që më bëri përshtypje në reagimin e z. Basha për atë që ndodhi në Jalë, ishte fakti që z. Basha atakoi drejtpërdrejt pronarin e resortit ku LRI dhe FRESSH bëjnë takimet e verës…

Jo, nuk është e vërtetë që LRI dhe FRESSH qëndrojnë atje. LRI ka kampin e saj, një kamp ku e ka marrë tokën me qera. Ndërsa për të thënë të vërtetën unë kam qenë disa herë në atë resort dhe atje pas kaq vitesh që është dhënë leja, pavarësisht pjesës së ndikimit mjedisor, nuk besoj që ka të bëjë me personin, sepse këtu janë dy anë të kundërta. Personat që flitet nuk kanë lidhje me të, pasi flasim për persona që japin dhomat me 20 mijë lek të vjetra nata. Ndërsa resorti që ju përmendni ka çmime të tjera komplet. Aty duhet parë se cila është arsyeja dhe mënyra sesi ata kanë funksionuar. Në momentin që ti këtyre njerëzve nuk u ofron asgjë ose kur nuk ke në mendje që këtu të bësh asgjë, atëherë mos u hiq bukën e gojës.

Znj. Kryemadhi, sot kishte një raport të një institucioni ndërkombëtar, i cili në fakt ishte i tmerrshëm, sipas të cilit, vendi që ka numrin më të lartë të të burgosurve për 100 mijë banorë në raport me popullsinë në rajon ishte Shqipëria. Sërish, pas kohës së Enver Hoxhës rikthehemi në vendin me numrin më të lartë të të burgosurve…

Sepse është mentalitet komunist, diktatorial. Sepse kërkon t’i frikësosh njerëzit me burgun, duke i kërcënuar.

Kemi këtë lloj situate. Çfarë do të bëjë opozita për ta ndaluar?

Së pari, krimi i organizuar nuk ndalet duke burgosur njerëzit, por ndalet duke e çrrënjosur atë nga institucionet e shtetit. Për herë të parë në 27 vite të tranzicionit në Shqipëri, ne shikojmë që institucionet e shtetit janë të kapura nga krimi i organizuar. Kemi parë, kemi dëgjuar, kemi punuar, kemi qenë në pushtet, kemi qenë në opozitë, në pozicione nga më të ndryshmet dhe mund të them vetë këtë gjë që, kriminelët asnjëherë nuk kanë kaq të deklaruar apo kaq të qenë prezent në tryezën e pushtetit. Mund të kenë qenë të lidhur me individë të caktuar, me deputetë të caktuar që përdoreshin gjatë fushatave elektorale në ditën e zgjedhjeve, por asnjëherë nuk i kishe në vendimmarrje. Ndërsa sot, krimin, drogën, paratë që vinë nga krimi i organizuar, nga pastrimi i parave po injektohen në ekonominë shqiptare dhe nëpërmjet institucioneve që janë të lidhura drejtpërdrejtë me kryeministrin, të cilat funksionojnë nëpërmjet PPV-ve të famshme. Rritja e numrit të të burgosurve vjen si pasojë e faktit se në burg nuk futet koka e krimit, pra ai që ka investuar në ngritjen e rrjetit të trafikimit të drogës, por futet shoferi, roja i fushës, futet pronari i një kompanie, por nuk futet ai që e investon, e ideon dhe që në fund përfiton prej saj. Ne kemi pasur dikur një fshat që quhet Lazarat, që cilësohej për çështjen e kanabizimit dhe shihnim që paratë e Lazaratit shtriheshin deri në qytetin e Fierit. Me politikën e ‘Policisë që duam’, e cila u përkrah edhe nga ndërkombëtarët, gjë që ngjalli edhe shumë dyshime dhe do të ishte shumë mirë që në një moment që do të kishim një sistem drejtësie të pavarur, të drejtë, një parlament të pahapur, një klasë politike të përgjegjshme, pavarësisht pozicionimeve dhe ideologjive politike, do ishte shumë e rëndësishme hapja e një Komisioni Hetimor për të investiguar edhe ndërkombëtarët dhe rolin e tyre në këtë gjë. Sepse prishja e Lazaratit e ktheu të gjithë Shqipërinë në një Lazarat të tërë. Por, po ta kapësh në logjikën financiare i bie që shqiptarët duhet të ishin të pasur. Jo vetëm shqiptarët nuk janë të pasur, por shqiptarët u varfëruar shumë më shumë. Domethënë këto paratë ku shkuan? Ose kanë vajtur në xhepat e Edi Ramës dhe 5 trafikantëve të tij, ose kanë vajtur në xhepat e ndërkombëtarëve, sepse Edi Rama thotë unë s`kam.

E keni hedhur këtë ide tek një komision hetimor për rolin e ndërkombëtarëve?

E kam diskutuar me ndërkombëtarët kur kam qenë në Shtetet e bashkuara të Amerikës, që kjo gjë duhet investiguar sepse jam shumë dakord që në shumë komisione hetimore, çështja e kanabisit nuk është problematike, pra sepse shumë vende e kanë liberalizuar, e kanë licencuar kanabisin si kanabis medicinal, por nga ana tjetër këto para në një farë mënyre nëse do shkoje drejt një legalizimi të kanabisit, ishin paratë që duhet të shkonin në xhepat e fshatarëve, që kanë tokën, që e kanë mbjellë dhe kanë korrur e përpunuar. Këto para nuk kanë vajtur faktikisht sepse njerëzve jo vetëm që nuk u është dhënë paraja, jo vetëm nuk janë paguar, por njerëzit dhe janë vrarë më pas. Dhe nga ana tjetër, shikojmë që këto para nuk janë injektuar më pas në ekonominë shqiptare, se nuk po them të injektohen koncesionet, që janë prapë 2 njerëz. Por është injektim që ti e vendos tek shishja e ujit, çokollata, libri, tek bluza, tek mënyra si po funksionon. Në fakt, këto para nëse nuk janë në Shqipëri, ku janë? Nëse Edi Rama i ka çuar këto para jashtë Shqipërisë, nëpërmjet kujt i ka çuar? Transaksionet nëpërmjet kujt janë bërë? Pra, këtu nuk është çështja për të vetuar apo hetuar klasën politike, që mori vendime për ta kanalizuar Shqipërinë, por këtu çështja është për të hetuar dhe investiguar edhe këta ndërkombëtarë që kanë qenë pjesë e këtij komploti dhe kësaj skeme të kanabizimit të Shqipërisë. Paratë e kanabisit tashmë nuk janë më para kanabisi, por janë kthyer në para kokaine, heroine, armësh dhe para segmentesh të cilat janë shumë të rrezikshme që rrezikojnë jo vetëm sigurimin e Shqipërisë, por janë edhe rrezik për në Bashkimin Evropian.

Znj. Kryemadhi, mënyra se si po trajtohet sot dhe nga opinioni situata në Shqipëri, në qoftë se ka dy elementë që njerëzit kanë qejf kur e dëgjojnë, pas vettingut të drejtësisë, është politika dhe ndërkombëtarët. A ju ka shtyrë një farë populizmi për të hedhur këtë ide apo nuk është utopizëm ndaj e shikoni realisht të mundur të vetoni politikën dhe ndërkombëtarët?

Ka dy opsione le të themi. Që do vetojnë politikanët, janë më të lumturit.

Nuk ka gjë që dëgjohet me qejfin më të madh, por jo vetëm të qytetarëve të përgjegjshëm, por edhe kriminelëve i thonë sa mirë. Pra ne na votuan, tani të vetoheni dhe vetë…

Kjo është shumë e drejtë, ka dy gjëra. Kur themi vetting për politikanët, janë dy grupe politikash të jemi të sinqertë. Unë do dëshiroja mos ta fusja veten time për shumë arsye, se mendoj që nuk futem në atë grup politikanësh të cilët kanë pasur pushtet sepse në të gjitha vitet e karrierës sime politike, nuk kam pasur kurrë mundësinë qoftë për të drejtuar një institucion apo për të qenë pjesë e një grupimi po themi.

Ke qenë thjesht ligjvënëse..

Kam qenë thjesht ligjvënëse dhe në shumicën e rasteve kam qenë kundër shumë vendimeve që kanë qenë në funksion të mazhorancës. Por ajo që dua të them, pavarësisht nga kjo, prapë po e fus veten time tek grupi i politikanëve, për shkak të bashkëjetesës sime familjare, duke qenë në krah të Ilir Metës, derisa Ilir Meta ka qenë për një periudhë kohe Kryeministri i Shqipëri, Kryetar Kuvendi, dhe sot është Presidenti i Shqipërisë, unë nuk kam pse ta përjashtoj veten time për të qenë pjesë e vettingut. Por, duhet të kuptojmë dy gjëra. Kjo klasë politike si puna jonë, që kemi kaq vite në politikë pavarësisht të mirave dhe të këqijave që kemi bërë, opinionit publik, propagandës që bëhet, nuk mund të krahasohet as me Floida Kërpaçin, as me Endrit Braimllarin, as me Kejdi Mehmetajn, as Nada Muçostepën, që është e Vlorës apo po themi një deputet tjetër të ri. Ashtu sikurse nuk mund të them për shumë deputetë të tjerë, të cilët mund të kenë vite të tëra që janë në politikë, por nuk kanë qenë pjesë e drejtpërdrejtë. Por ka një problem. Vettingu është shumë i rëndësishëm..

Zonja Rama ka të drejtë të hapi bankë?

Jo, ka të drejtë të hapë bankë dhe mos të deklarojë fare se si e ka hapur këtë bankë. Nga vijnë paratë e hapjes së bankës? A është audituar apo jo dhe me çfarë parash mbahet kjo bankë. Nuk ka të drejtë. Dhe po të kërkosh raport te Banka e Shqipërisë siç kërkon raport për gjithë bankat e tjera të nivelit të dytë, tek banka e zonjës në fjalë nuk jepet asnjë e dhënë. Pra, janë disa gjëra që do thoni ju pse Rama do e pranojë një vetting të tillë. Por dhe duhet ta pranojë, nëse nuk e pranon të vazhdojë krahun dhe të jetojë si një biznesmen i lirë, siç jetojnë dhe të tjerë ty dhe të përballet para ligjit dhe shtetit me sistemin fiskal si gjithë të tjerët. Pra, dua të them që vettingu është një gjë shumë e rëndësishme si parim dhe shqiptarët mezi po e presin.

  1. Ramës po i jepni dy mundësi. Ose të pranojë vettingun dhe të jetojë si politikan, ose të refuzojë dhe të jetojë si biznesmen. Mundësi tjetër nuk ka për të?

Unë besoj që ka edhe një mundësi tjetër, të ikë fare. Është me zero, as biznesmen e as politikan sepse do ishte më i qetë. Por, unë nuk do e shikoja në këtë aspekt.

Megjithatë qetësia e z. Rama pak kujt i intereson, por meqënesë ka bërë kaq shumë para siç thoni, me para krimi, duke përdorur dhe kriminelët, në fuqinë që i ka dhënë pushtetit…

Mjafton të dëgjoni sekretarët e përgjithshëm të të gjithë ministrive, drejtorët juridikë ,të cilët thonë edhe një tender prej 500 mijë lekësh të vjetra menaxhohet nga zyra e Edi Ramës. Mjafton të dëgjosh, pasi kanë pirë gotën e dytë të verës, ministrat e Edi Ramës se si marrin leje qoftë edhe për një udhëtim jashtë shtetit tek Edi Rama, pra ta presin biletën këtu apo jo, sepse tani ka bërë dhe agjenci biletash. Pra, të gjitha institucionet kanë bërë që duhet ta presin në këtë agjenci biletën e udhëtimin dhe në asnjë tjetër. Pra, mënyra se si ky njeri kërkon ta menaxhojë nuk është thjesht dhe mendoj që nuk mund ta shikoj si një financier përgjegjës, siç është ajo psikologjia që financierja harton më shpejt dhe paguan më vonë, por si një psikologji perverse, të cilën nëpërmjet parasë mendon të kontrollojë pushtetin e tij. Sepse duke kontrolluar paratë, ai mendon se po kontrollon dhe njerëzit e tij, se ai nuk i beson kurrë. Ai nuk i beson as ata që ka në zyrën e tij, pranë, as ministrat e tij q ëi ka pjesë të kabinetit, nuk beson as familjen e tij për shkak të frikës që ka dhe nga tanket. Sepse ai mendon që duke kontrolluar financat, do kontrollojë pushtetin e tij. Kjo është një çështje pastaj që duhet të hysh në analizat frojdiane ,për sa i përket anës psikologjike te tij, psikanalizës që ka. Është një temë tjetër që unë nuk e marrë dot përsipër për ta diskutuar këtë.

Kthehemi tek enigma e opozitës. Ish- ministri i Drejtësisë, një nga zyrtarët më të lartë të LSI, Ylli Manjani sot ka hedhur një ide e një bojkoti përfundimtar për ta degjitimuar këtë sistem sepse sipas tij opozita me jetën parlamentare, nuk po bën gjë tjetër veçse normalizon, krijon dhe legjitimon lëvizjet e Ramës.

Deri diku, jam shumë dakord me z. Manjani, për shkak të çdo sjellje normale të opozitë, që po legjitimon Edi Ramën. Tregon që këtu ka demokraci, që këtu gjërat janë normale sepse fundja opozita vjen në parlament, bën fjalë etj etj. Unë mendoj që deputetët e opozitës nuk duhet ta shikojnë pozicionimin e tyre si një vend pune që duhet të marrin rrogën, por duhet ta shikojnë si një pozicionim të tyre, për sa i përket sepse secili nga ne nuk përfaqëson veten e tij dhe familjen, por partinë politike. partia politike ka disa pika dhe një lloj platforme të cilës i qëndron asaj. Ne jemi për dekriminalizimin klasës politike, për çrrënjosjen e krimit nga politika dhe institucionet e shtetit. Ne jemi për një zhvillim ekonomik të Shqipërisë, për krijimin e një situatë normale dhe për një ripërtëritje ekonomike, sepse ne flasim, por në fund të ditës njerëzit janë të pakënaqur pavarësisht politikës që bëjmë ne. Njerëzit shikojnë se çfarë kanë në tryezat e tyre në darkë, shikojnë sa është fatura e dritave, ujit, shkollës, makina, nafta dhe sa është taksat e tjera që i vendosën dhe në fund të ditës shikojnë që nuk i dalin paratë, por duhet të marrin borxh për të mbyllur muajin. Pra, të gjithë këto shkojnë paralelisht dhe kjo që thotë z. Manjani do të vijë në fazën e saj, në etapën e fundit sepse mandatet tona nuk janë tonat personale, por që na i kanë vënë qytetarët dhe do jenë ata që do marrin vendimin përfundimtar. Ne kemi filluar bashkëbisedimet, jo publike, por kemi filluar bashkëbisedimet me strukturat.

A duket nga mënyra se si po sillet opozita, shumë hermetike, a duket si opozitë ilegale e inekzistente?

Që të jemi të sinqertë, shumë veprime do i bëjmë ilegale. Mos harrojmë që përballemi me kriminelë, mos harrojmë që derën e shtëpisë nuk të troket më policisë, i ngarkuari i zonës, por të troket killeri i zonës dhe të thotë o merre këtë zarfin me para, ose do hash plumbin nesër. Ne këtë e kemi parë. Kanë qenë dy rastet e fundit, dy çobanë janë vrarë. Mos kujtoni se çobanët u vranë për dy dele, sepse nuk të futet plumbi me snajper për dy dele, apo jo?

Mënyra se si po i thoni qytetarëve është se po veproni në ilegalitet dhe nga frika e kriminalitetit…

Jo, nuk kemi frike ne se po te dalësh sot siç del Lul Basha dhe unë që flasim me emra, nuk është frikë, apo jo? Por ama unë, Lulzim Basha dhe të gjithë kryetarët e opozitës nuk marrim dot përsipër që të përballemi nesër me viktima që nuk do i gjendet kurrë vrasësi i tyre sepse është edhe shoferi i ministër të Brendshëm që është vrarë dhe nuk iu gjet vrasësi.

I vrarë apo i vetëvrarë?

Nuk e di, unë njëri me 6 plumba nuk kam parë të vetëvritet. Kur nuk gjendet vrasësi i shoferit të ministrit të Brendshëm apo opsioni bindës për opinionin publik për shoferin, ne nuk kemi pse marrim përsipër njerëzit. Ne, do marrim përsipër kur njerëzit bashkë me ne të vijë ajo situatë, kur kjo gjë mos të ketë më as çadër e as protesta të tjera, që vijnë njerëzit për të parakaluar dhe ikin, por do vijmë në atë proces që nuk do ketë kthim prapa në fund. Organizmi, ajo që për hir të së vërtetës ka qenë pak e vështirë sepse nuk është e kollajshme, të mos harrojmë ka pasur një opozitë të shpërndarë, ku sot ke një opozitë që po unifikohet çdo ditë e më shumë, po vijmë në një pikë të përbashkët që të gjithë, në një pikë kulminante që është shumë e rëndësishme për të rritur, por nuk është vetëm Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, e Shpëtim Idrizi. Ne vijmë se ne politikanë jemi, pra ne e marrim formë menjëherë, por janë bazat poshtë. Janë strukturat e partive, të cilat kanë mënyrën e tyre të organizmit për të ardhur, por nga ana tjetër, mos të harrojmë dhe një gjë tjetër shumë të rëndësishme që është tundimi i njerëzve, qofshin me para e kërcënime është shumë gjë e madhe. Prandaj, ne duhet të jemi shumë të kujdesshme që në këtë aksion politik mos të ketë kthim prapa për asnjë njeri e për askënd. Në momentin që aksioni politik, veprimtaria opozitare qoftë e rrugës, e bojkotit, e luftës, nuk do ketë më kthim prapa. Pra, nuk do ketë më as deklaratë e kujtdo qoftë që qytetarë evropianë apo amerikanë, mos dilni se do ju vrasim. Nuk doket më asnjë lloj deklaratë qoftë kjo evropiane, shqiptare, policore, ungjillore që të na kthejë më prapa. Dalja jonë ën rrugë nuk do ketë më kthim prapa dhe të jeni të bindur që do jetë shumë e shpejtë.

Në fakt, duken pak si paralajmërimi të përsëritura znj. Kryemadhi..

Por ndoshta dhe jeni mësuar dhe mund të duken si të përsëritura, por unë mendoj që alternativë tjetër nuk ka.

Në momentin që opozita del në rrugë, nuk ka më kthim prapa?

Unë them po.

A e keni diskutuar këtë tezë me z. Basha?

Sigurisht që e kemi diskutuar, jo vetëm me z. Basha por gjithë deputetët në mbledhjet e grupeve parlamentare që i bëjmë bashkë, të cilat janë pa praninë e kamerave. Pjesa më e madhe e deputetëve, pavarësisht përfaqësimit që janë se dhe ka intelektualët që mendojnë se mund të bëhet në mënyrë ndryshe, por gati 90% e deputetëve janë të radikalizmit të situatës. Mos të harrojmë dhe një gjë, që kushdo të jetë nuk mund ta përballojë më këtë po themi çnderimin që Edi Rama po i bën institucionit të Parlamentit. Jo vetëm Parlamentit, por qeverisë, institucionit të ligjit. Për ligjin e Teatrit nuk ka firmosur ai, ka vënë dy gra të firmosin, një zëvendës kryeministre dhe një ministre kulture. Por nesër këto do mbajnë përgjegjësi. Ndërsa Edi Rama do mbushi valixhet, do i hipi çarterit dhe ta gjejmë në ndonjë nga ishujt e Bahamasit.

Mjafton të keni vullnet se kushdo gjendet Znj Kryemadhi. Me qenë se jemi tek opozita, ditët e fundit opozitës i është bashkuar edhe Shpëtim Idrizi. E sollët ju tek opozita, e solli Z. Basha apo e përzuri Z. Rama?

Unë mendoj që as unë nuk e solla, as Z. Basha nuk e solli, as Z. Rama nuk e përzuri. Unë mendoj që kushtet politike në të cilat gjendet sot vendi, çdo njeri i përgjegjshëm ndjen dhe lëviz. Mendoj që u poq situata. Erdhën kushtet. Mos të harrojmë që Z. Idrizi kaloi një kalvar problematik shumë të madh mbas zgjedhjeve të 2017 për shkak të rrëmbimit të votës, për shkak të presionit që iu bë, për shkak të deformimit të mandateve të PDIU, që mos të harrojmë kanë qenë tre mandate të PDIU të cilat sot janë konvertuar në socialistë. Ato vërtetë mund të kenë qenë vota personale të kandidatëve për deputetë por deri diku. Për një pjesë tjetër kanë qenë edhe vota të PDIU të cilat u konvertuan në mënyrë të menjëhershme në vota socialiste në parlament. Pavarësisht nga kjo Z. Idrizi i duhej koha e vet institucionale për të arritur dhe për të realizuar gjërat këtu ku është sot. Jam e bindur që Z. Idrizi mund të ketë pasur joshje nga më të ndryshmet nga Z. Rama sepse e di si funksionon Z. Rama, por mendoj që në tetë vite që Z. Idrizi ka qenë kryetar i PDIU ka qenë një nga partitë politike i cili ka angazhuar po themi strukturat e partisë, qoftë kur ka qenë me PD-në në koalicion dhe qoftë kur ka qenë me PS-në, ka pasur një korrektësi në marrëdhënie me të dyja partitë. Dhe faktikisht përfitimet nuk kanë qenë të drejtpërdrejta për të, qoftë për çështjen çame po qoftë edhe për gjërat e tjera.

Por ka një perceptim që e ka zgjeruar fuqinë elektorale pa asnjë lloj Vetting-u të asaj çka ju po kërkoni…

Nuk mendoj që Z. Idrizi është kundër Vetting-ut të politikanëve edhe kundër ligjit të dekriminalizimit.

Në momentin që këto mandate të pavetuara e kanë lënë dhe janë bashkuar me Z. Rama ndoshta jo, por çfarë garancie keni që Z. Idrizi apo partitë e tjera aleate do të ishin të gatshëm të vetonin strukturat e tyre në rrethe…

Unë kam përshtypjen që edhe Z. Idrizi vetë është i gatshëm për këtë gjë. Sepse unë them që këtë gjë ndoshta duke krijuar këtë lloj mentaliteti që ndoshta duhet të jesh i fortë, duhet të jesh kriminel, duhet të kesh para, duhet të kesh armë, edhe ti krijon votat dhe nuk i lë njerëzit të qetë. Dhe kjo do të na shtyjë të gjithë ne jo vetëm për të krijuar një klimë të qetë politike zgjedhjesh por dhe për të pasur një garë të pastër.

A e ka forcuar ardhja e Z. Idrizi, ardhja e PDIU-së opozitën?

Unë mendoj që çdo element dhe çdo faktor politik ose jo politik që i afrohet opozitës është shumë i vlefshëm për opozitën. Sepse në çdo moment sa më shumë të jemi aq më shumë të fuqishëm, aq më shumë të organizuar bëhemi dhe aq më prezent jemi. Sa më të përçarë të jemi, unë mendoj se është një faktor që favorizon Ramën me bandën e tij. Mendoj që çdo ditë e më shumë njerëzit po i largohen Ramës, pra faktorët politikë, njerëz që janë të angazhuar në politikë por edhe në shoqëri civile. Dhe lënia vetëm e tij nuk mund ta dobësojë po themi fizikisht dhe materialisht, por e dëmton psikologjikisht vetë Ramën sepse Rama ju e dini mirë që i vetëm e ka shumë të vështirë përballjen.

Ardhja e Idrizit ka larguar Dulen…

Atë nuk e dimë. Besoj se Z. Basha ka qenë në një takim me Z. Dule mbas ardhjes së Idrizit. Unë mendoj që gjërat janë shumë të qarta. Z. Idrizi ka qenë shumë i qartë me sa kuptoj dhe në deklaratën dhe shkrimin që kanë bërë bashkë me Z. Basha, qoftë për çështjen çame qoftë për gjërat e tjera. Mendoj që ka realitete të tjera tashmë për sa i përket opozitës sepse dhe vetë Z. Idrizi është koshient dhe të gjithë anëtarët e partisë, e kuptojnë shumë mirë që acarimi i situatës me Greqinë për çështjen çame ka qenë thjesht një kartë që e përdori Z. Rama për të përfituar politikisht dhe për të krijuar një lloj afrimiteti apo garancie për grupe të tjera interesi dhe për të krijuar një lloj strategjie që unë po prishem me Greqinë për shkak të çështjes çame sepse po rregulloj një situatë tjetër me dikë tjetër. Pra për të luajtur një lojë, që siç bën Rama, përça e sundo. E bëri këtë gjë. E shpërdoroi faktikisht sepse çështja çame nuk zgjidhet duke sharë, duke akuzuar dhe duke baltosur por çështja çame do të zgjidhet duke u ulur dhe duke biseduar në mënyrën sipas ligjeve dhe standardeve ndërkombëtare, dhe jo vetëm folklorizma politikë që Z. Rama ka krijuar për të hapur po themi sfera të tjera debati ndryshe nga ato që kanë qenë problemet kryesore të Shqipërisë.

Zonja Kryemadhi, LSI-ja e Ilir Metës është shquar për një element që pak parti e kanë pasur. Domethënë ndryshe nga partitë e mëdha që vetëm kur kanë pasur nevojë i kanë shtrirë dorën çdo faktori politik. Të paktën LSI-ja nën drejtimin e Ilir Metës për gjëra që ka menduar që është e arsyeshme por që që duhet të kthehen në kauza i ka shtrirë dorën çdo faktori politik, qoftë majtas apo djathtas. A është e gatshme LSI-ja e Monika Kryemadhit të bëjë të njëjtën gjë? Pyetja është pak më konkrete. Përveç Shpëtim Idrizit, që keni pasur një raport të mirë edhe kur keni qenë bashkë në qeverisje me Partinë Socialiste, kë do këshillonte Monika Kryemadhi, për cilin emër do këshillonte Lulzim Bashën që t’i shtrinte dorën e bashkëpunimit në opozitë?

Të gjitha pa përjashtim. Të gjithave partive politike. Edhe Partisë Komuniste.

Nuk jeni skeptike për asnjë gjë?

Absolutisht jo.

Edhe Partisë Komuniste me Partinë Demokratike?

Edhe Partisë Komuniste me Partinë Demokratike sepse po të shikosh të përndjekurit politikë me komunistët do shikosh në të dy palët partizanë që kanë luftuar në luftën kundër fashistëve dhe gjermanëve dhe më pas hyri një njeri që krijoi probleme, që i vrau dhe i preu për pushtetin e tij. Po të njëjtën gjë kemi dhe sot. Sot nuk ka të majtë dhe të djathtë në Shqipëri. Sot ka vetëm të varfër dhe kriminelë të cilët janë të pasur. Dhe sot ti nuk i ndan dot më me ndasi politike. Më gjej kush është më i djathtë se Edi Rama sot që ka marrë gjithë pronën publike të shqiptarëve dhe ja jep një njeriu. Me gjej ti mua kush është më i djathë sot se Edi Rama që po mbledh dhe po u merr shpirtin shqiptarëve me taksa dhe vetëm të pasurit nuk takson, por takson atë fukarain që s’ka bukë të hajë dhe nuk arrin dot të ushqejë fëmijët e vet me bukë. Më gjej një ndasi të tillë politike. Unë si Monikë kujtdo do ja shtrija dorën. Por mos harroni që në 2011 Z. Lulzim Basha nga 1500 votat e komunistëve mori mandatin e kryetarëve të bashkisë. Prandaj ajo çka dua të them është që komplekse të tilla, unë jam ndoshta më e hapur se Ilir Meta në këtë drejtim. Më tha një miku im mos fol më si grua dhe si nënë, fol si politikane. Pavarësisht nga kjo ndjesia e nënës është një ndjesi shumë e fortë dhe gjithmonë del edhe mbi disa ndjesi të tjera. Një nënë do të bënte çdo gjë për të shpëtuar fëmijët e saj. Edhe politika edhe opozita duhet ta konsiderojë veten si një nënë që bën çdo gjë për ta shpëtuar vendin nga një krim i tillë ku ka rënë. Sot nuk është më problem. Kemi 260 mijë nxënës më pak në bankat e shkollës. Por çfarë do të thotë? Do të thotë që 260 mijë fëmijë të cilët do të ishin mjekë, infermierë, mësues, inxhinier gazetarë, aktorë, e çdo gjë sot nuk janë më në Shqipëri, por kanë ikur nga Shqipëria. Pra është kaq e tmerrshme sa në ’91 kur pati dyndje të jashtëzakonshme të shqiptarëve vetëm atëherë ka ndodhur ky fenomen. Pra këtu nuk ka më çështje ndasish politike. Dhe unë mendoj që ndasitë politike janë të shtirura dhe të stisura nga grupe të caktuara dhe qarqe të caktuara anti-shqiptare për t’i përçarë shqiptarët. Ne jemi aq pak sa për t’u përçarë në bindje politike.

Një pyetje sa për ta bërë opozitën pak më enigmatike. Zgjedhjet lokale janë për më pak se një vit Zonja Kryemadhi. A keni filluar të bisedoni me Z. Basha për të ndarë qarqet?

Jo nuk kemi filluar për të ndarë qarqet. Kemi filluar të organizojmë punën tonë nëpër bashki të ndryshme, për të ulur kryetarët e partive dhe strukturat tona për tu ulur dhe për të gjetur kandidatët më të përshtatshëm. Sepse mos te harrojmë që po te shikojmë qoftë raportet e 2015, qoftë raportin e votave të 2017, bilancet janë të gjitha pozitive për opozitën. Por tashmë ne nuk duhet të bëhemi tamahqarë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Sot shqiptarët nuk kanë nevojë për të pasur një emër politik sesa kanë nevojë për të pasur një emër që t’iu ngjalli shpresën. Dhe mendoj që në bashkitë kryesore nuk bëhet fjalë për të gjetur kandidatin e LSI-së apo PD-së apo të gjithë partive të tjera, sa bëhet fjalë për të gjetur kandidat fitues dhe një kandidat që t’i ofrojë njerëzve diçka. Dhe nga ana tjetër është shumë e rëndësishme dhe përbërja e këshillave bashkiakë që ne deri diku kemi qenë gjithmonë liberal në aspektin e kësaj që ai që është edhe pjesë e strukturave të partisë s’ka pse të jetë anëtar i këshillit bashkiak. Mendoj që Këshillat bashkiak duhet të jenë këshilla politik përsa i përket përfaqësuesve por që përfaqësojnë fusha të ndryshme.

Bojkotin e zgjedhjeve lokale nuk e keni si alternativë?

Kemi kohe deri atëherë, unë nuk e përjashtoj. Nuk e përjashtoj në aspektin e mirëfilltë të fjalës sepse nuk mendoj që ne mund të shkojmë në zgjedhje përballë një situatë kur janë paracaktuar rezultati i zgjedhjeve. Nuk kam pse të shkoj të bëj diku zgjedhje kur rezultati është firmosur diku tjetër.

Znj. Kryemadhi jeni Kryetarja e LSI-se, por jeni dhe bashkëshortja e Ilir Metës Presidentit të Republikës. Në politikën e brendshme keni folur pa dorashka dhe asnjëherë nuk e keni vendosur veten si zonjën e parë dhe nuk keni nguruar për të thënë atë çka mendoni. Sa i përket politikës së jashtme në raport të Shqipërisë me BE serish keni qenë mjaft të hapur keni folur për ndërkombëtarët që na janë bërë si nënë dhe babë, që duhen vetuar, duhen hetuar nuk ju kam dëgjuar të flisni për tezën e Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës, temë e përkrahur dhe nga Presidenti serb Vuçiç, në heshtje dhe nga z.Rama sipas mediave ndërkombëtare. A ka Monika Kryemadhi si Kryetare e LSI-së një qëndrim për këtë çështje?

Mendimi im i parë ndoshta gabohem por po të lexosh deklaratat e z. Thaçi mua më duket sikur lexoj z. Rama aty edhe pse ai nuk ka qenë prezent. Jam e bindur, nuk mund të them 1000% por me 100% që historia e ndryshimit të kufijve vjen si një ide e z. Rama dhe për këtë kam qenë gjithmonë e sigurt. Edhe pse jam shumë e kujdesshme për ta thënë për shkak se ka të bëjë me Kosovën, ku unë nuk jam politikane e Kosovës, as zgjedhëse e Kosovës dhe nuk kam asnjë lloj të drejte të flas për vendosjen apo vetëvendosjen që do të bëj vetë populli i Kosovës. Mendoj që ideja e z. Thaçi, për mua është ideja e z. Rama. Dhe përveç se ideja e z. Rama i bashkëngjiten dhe shumë gjëra të tjera të dyshimta të cilat unë historikisht në të gjitha takimet e mia që kam me miq qoftë nga Kosova qoftë nga shqiptarët e Maqedonisë, kam kërkuar vetëm një gjë. Të mos kompleksohen nga modernizimi fshatar i Edi Ramës. Pse e them këtë. Sepse si Kosova si Maqedonia si shqiptarët e Malit të zi e shikojnë Shqipërinë si vendin mëmë dhe klasa politike shqiptare e shikojnë me një adhurim pavarësisht se çfarë përfaqësojmë ne. Dhe duke qenë Edi Rama një kryeministër që vishet me kostum dhe atlete mendojnë që është diçka trendy. Por jo idetë e tij janë trendy. E them këtë sepse idetë e tij janë si idetë e Hitlerit në vitet 33-34 që në fillim më dukeshin si të bukura por më pas krijuan pastaj fatkeqësi të mëdha për gjithë njerëzimin. Dhe do doja që kjo ide mos të përsëritej për kufijtë e Kosovës. Pra ideja e një lëvizje të tillë që ka një kosto. Ne kemi një shprehje. I gjalli me te gjallin, i vdekuri me të vdekurin. Në fakt kjo është për njerëz që vdesin në mënyrë natyrale, disa mund te vdesin dhe më shpejt po prapë për shkak të tyre por ka shumë djem dhe vajza të cilët kanë vdekur për lirinë e Kosovës. 34 janë shqiptarë të cilët nuk kanë asnjë lloj lidhje shpirtërore me Kosovën por janë nga Kuçova nga Berati nga Kavaja po themi, nga Kukësi nga Dibra. Janë njerëz që kanë dhënë jetën për Kosovën dhe përveç se kanë dhënë jetën trupat e tyre dhe janë çnderuar nga serbët. Janë varur në helikopter dhe tregoheshin në mënyrën më barbare. Ashtu si them për djemtë shqiptarë them dhe për qindra dhe mijëra djem kosovarë apo gra dhe vajza kosovare të cilat kanë përballuar represione, dhunë dhe përdhunime nga më të ndryshmet. Nuk do dëshiroja që asnjë politikan qoftë ky modern apo open-minded t-i harrojë këto gjëra. Ashtu sikurse edhe ne momente të caktuara duhet ta lëmë që korja të zërë vend në mënyrë të tillë që të mos jetë si dëshmi për të krijuar hasmëri dhe për të mos ecur përpara. Por shenjat dhe plagët në trup janë gjithmonë memorie të cilat nuk duhen harruar por duhet të na bëjnë që të ndihemi krenar për atë që jemi por edhe të kujtojmë që të mos çnderojmë ata të cilët kanë dhënë jëtën. Sepse sot ne të gjithë flasim për Kosovën sikur kemi bërë luftë shumë të madhe por asnjëri nga ne nuk e ka dhënë jetën. Sot ne të gjithë bëjmë sikur kemi valëvitur flamurin e Kosovës por asnjëri nga ne nuk e ka dhënë jetën.

Ka bërë luftë z. Thaçi i cili është i gatshëm të lërë opozitën…

Nuk po flas për këtë gjë por po them për shumë të tjerë të cilët përveç se kanë bëtë luftën kanë bërë edhe burgun edhe janë përballur si burra dhe sot e kësaj ditë janë prapë në jetën politike kosovare me të mirat dhe të këqijat e tyre. Prandaj unë them që duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Nga ana emocionale dhe patriotike. Ndërsa nga ana ndërkombëtare mos të harrojmë që çështja e Kosovës nuk ka qenë thjesht e luftës, e jona e shqiptarëve por ka qenë çështje luftë dhe e aleatëve tanë. Mos të harrojmë SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, të cilat kanë qenë shtetet kryesore dhe vendosën veton për të pasur sot një shtet më vete Kosovën. Dhe mos të harrojmë dhe nga ana tjetër që trazira të tilla apo provokacione të tilla mund të kenë kosto shumë të madhe për Evropën dhe për vendet e BE. Sigurisht që për shqiptarët do të jenë shumë më te mëdha. Ne akoma nuk na kanë ikur pasojat e 97, akoma nuk kanë ikur pasojat e luftës së Kosovës në Kosovë. Unë nuk mendoj që shqiptarët janë të gatshëm për të bërë një gjë tjetër. Akoma më shumë që një histori e tillë për të krijuar të ashtuquajturën Shqipëri e madhe të cunguar, sepse po të ecim me variantin që thuhet do të shkonim pastaj drejt një problemi shumë të madh me BE dhe me vendet e tjera për shkak të krijimit të një etnie të vetme pra duke menduar apo shpopulluar zona të caktuara.

A ka Monika Kryemadhi një preferencë për politikan apo politikane të veçantë për Kosovën?

Në fakt të jem e sinqertë i njoh të gjithë. Nuk është se nuk kam. Kam por ndoshta po ta thosha do thoshin pse e thotë. Në përgjithësi kam një lloj simpatie për UÇK për shkak të luftës sepse edhe në kohën e krizës jam marrë me emigrantët qe vinin sidomos sapo kisha lindur Borën dhe jam marrë më këta që vinin me fëmijë të vegjël. Kam një lloj simpatie per ta. Por sigurisht dhe për Ibrahim Rugovën duke pasur parasysh që e ka pasur shumë të vështirë dhe i vetëm fare fillikat ka përballuar një presion shumë të madh të bindte Papa Vojtilën për të filluar një sensibilizim dhe ai nga ana e tij një me vendet më të rëndësishme te Aleancës së NATOS. Ndikimi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm për ndërkombëtarët. Ashtu sikurse luftëtarët e UÇK që kanë qenë një pjesë e këtij realiteti te hidhur për shkak të viktimave dhe të bukur për shkak të pavarësisë së Kosovës.