Kryetarja e KQZ-së, “kumbare” e pazareve elektorale

443
Sigal

 Si i nxorën jashtë loje partitë e vogla PD e PS nëpërmjet Lefteri Lleshit e KQZ-së. Projekti për dështimin e votimit elektronik në Fier e Tiranë dhe kush përfitoi miliona euro. Kërkohet hetim i Prokurorisë.

 E anatemuar dhe kryqëzuar deri në certifikimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare nga e majta në opozitë, sot në qeverisjen e Rilindjes Lefteri Lleshi, kryetare e KQZ, është harruar pothuajse fare! Askush më nuk e akuzon atë për mbi 3.4 milionë euro të taksapaguesve që nuk dihet se në çfarë xhepash përfunduan për projekti e dështuar të votimit elektronik në Fier dhe për numërimin elektronik në Tiranë. Kanë harruar dhe të kërkojnë zëvendësimin e saj me argumentet e dikurshme-lumë se është e paligjshme ajo dhe institucioni pa kuorum. Sigurisht, që edhe PD që e emëroi dje në këtë detyrë, nuk ka se si të mos jetë e kënaqur nga kjo heshtje misterioze.  Në fakt, jo vetëm në dukje, por realisht, Lumturi Lleshi i ngjanë sot një kumbare të mirë, e pëlqyeshme dhe e pranueshme si nga PD, ashtu dhe nga PS. Po pse e gëzon sot Lefteri Lleshi këtë status, për çfarë meritash apo pazaresh!?  Se të ishte në kuadrin e një normaliteti (që fatkeqësisht mungon prej 24 vitesh në Shqipëri), në respekt të një institucioni që duhet të jetë i pavarur, mos përfolja e Lleshit, do të ishte një ogur i mirë! Por përtej këtij paradoksi,(dje akuza-lumë e sot heshtje absurde), do të shihet një ogur i mirë. Por, fatkeqësisht nuk është kështu. Janë akuzat e formuluara nga përfaqësues të partive të vogla që u ‘dogjën’ në zgjedhje që kanë artikuluar shpesh akuza por nuk i dëgjon njeri. Ata kanë akuzuar(krerët e partive, por dhe analistë e medie), se pazaret mes PS e PD për të ndarë votat, për të mos nxjerrë deputetë nga partitë e vogla (se nuk mund të kishin maxhoranca të dukshme si tani), u bekuan nga gjysmë KQZ-ja e drejtuar nga Lleshi. Pra ajo ka qenë dhe mbetet kumbara e dy partive të mëdha, të cilave u shërbeu dhe sot po i gëzohet statusit të një ‘monumenti kulture’. Ndaj, duhej të dështonte projekti për votimin elektronik në Fier e numërimin elektronik në Tiranë. Kjo, pa çka se cenohej e drejta e votës dhe miliona euro të taksapaguesve shpenzoheshin pa dhënë asnjë rezultat!…

PAZARET PD-PS, KUMBARE LEFTERIA

Shumë kohë para zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit 2013, nga qeverisja e PD-së, me ‘Ok!’ dhe të PS e LSI-së, atëherë në opozitë, projekti i financuar nga ndërkombëtarët për aplikimin e votimit elektronik në Fier e numërimit elektronik në Tiranë, u vlerësua si një arritje dhe masë që do të nxirrte mbështetjen reale të partive konkurruese në zgjedhje. Jo një herë, dhe përfaqësues të OSBE-së e disa organizma ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri, e vlerësuan këtë investim shumë të rëndësishëm dhe një hap të duhur për konsolidimin e sistemit zgjedhor e realizimin e parametrave demokratikë në zgjedhje. Po çfarë ndodhi me këtë projekt miliona dollarësh që nga tenderimi dhe deri tek dështimi. “Gjithçka ka funksionuar në mënyrë të detajuar, me një plan të parapërgatitur nga të mëdhenjtë e politikës, PD e PS, dhe me dijeninë e plotë të Lefteri Lleshit, e cila do të ishte realizuesja konkrete e këtij plani. U bë tenderimi në vlerën e miliona eurove dhe nisi projekti. Lleshi e KQZ-së dhe qeveritarët e së djathtës në pushtet atë kohë, çanë megafonët e një suksesi të garantuar për projektin. U bë dhe tenderi. Por çuditërisht, në kundërshtim të hapur me ligjin, tenderi u bë dhe firmës fituese iu likuiduan të gjitha paratë. Një skandal unikal dhe ky, që çuditërisht, edhe prokuroria vazhdon të heshtë. Pak dit para votimeve, u tha zyrtarisht që projekti dështoi! U hodhën dyshime që atë kohë, veçanërisht nga parti të vogla, por tashmë, të gjithë u vunë para një fakti të kryer: Projekt i dështuar dhe zgjedhje parlamentare ashtu si dhe herë të tjera”,- shtojnë burime të besueshme pranë KQZ-së e dy partive politike më të mëdha në vend.

PASOJAT E PAZARIT PD-PS

Po çfarë treguan rezultatet e votimeve të 23 Qershorit 2013 në Fier dhe Tiranë. Njëra prej partive të mëdha, PS (këtë rezultat e dëshironin dhe e shpresonte dhe PD e aleatët), mor një numër deputetësh tej parashikimit. Ndërsa partitë e vogla, mbetën me ‘gisht në gojë’. Deputeti i pavarur Dritan Prifti që mori mbi 7 mijë vota, i informuar dhe nga situate në terren, menjëherë deklaroi: “Kam marrë më shumë vota se numri për një deputet. Por i vodhën me pazare dy forcat politike të mëdha!”. Dyshime dhe akuza hodhi dhe ish-Presidenti Bamir Topi për numërimin në Tiranë, ku ai dhe jo vetëm, prisnin një rezultat shumë më të mirë. Disa krerë partish të së Djathtës, heshtën pasi Berisha i futi në listat e sigurta dhe veten e tyre e panë në karriget e deputetëve. Kreu aktual i PAD, Eduart Abazi, forcë për të cilën Berisha nuk afroi vend të sigurt në listë për deputet, ishte ndër të parët që artikuloi hapur se, “votat tona u vodhën”. Kur u përballën me rezultate të dobëta, të pamjaftueshme për mandatin qoftë dhe të një deputeti, partitë e vogla në koalicionin e Rilindjes, e kuptuan se kishin rënë në grackë. Votat e tyre shtuan deputetët e PS dhe të LSI-së. Por tani ishte tepër vonë. Pazari PS-PD me bekimin e realizimin e kumbarës Lefterie Lleshi i kishte dhënë rezultatet. Denoncuan tashmë këtë Pazar, por tashmë, dhe me mosdhënie të funksioneve qeverisëse nga Rama, ata po e kuptojnë se taktika elektorale dhe pazari i përfolur elektoral PD-PS me kumbarë Lefterijen, kishte qenë perfekt e ndëshkues deri në ekstrem për ‘ta.

HESHTJA E LIGJIT PËR SKANDALIN

Është pak të thuash që ky pazar elektoral rezulton dëmtim me dashje i zgjedhjeve të lira nga ata që e projektuan dhe realizuan këtë skenar. Është një veprim, që minimalisht, dëmtoi vullnetin e votës së popullit. Por është e pafalshme që prokuroria, organet e drejtësisë të heshtin. Minimalisht për miliona lekë të një projekti që dështoi. Duhet të hetohet plotësisht që nga shkeljet në zhvillimin e tenderit, absurdi për pagesën e parave fituesit pa realizuar projektin, që në fakt qe dështim, deri tek funksionarët shtetëror që u implikuan në këtë skandal. Së pari, Lefteri Lleshi, që me sa duket gëzon ‘imunitet’ nga dy të mëdhenjtë e politikës për këtë fakt, duhet të përgjigjet para drejtësisë për paratë e taksapaguesve që u shpërdoruan kot. Nga këtu, dalin dhe fijet e skandalit të shumëpërfolur në zgjedhje, hartuesit dhe zbatuesit e tij. Kjo është ana ligjore. Por është dhe ana tjetër, ana morale që PS e PD të ‘lajnë veten’ e të tregojnë se nuk ka pasur një projekt të tillë. “Shumë thjeshtë bëhet kjo. Të gjejnë hapësirën ligjore dhe të bëjnë verifikimin, numërimin e votave, qoftë dhe në disa kuti votimi në Fier dhe Tiranë. Por nuk dëshirojnë ta bëjnë një gjë të tillë, pasi e dinë se çfarë mund të dalë nga”,- shtojnë burimet e mësipërme. Shpresat që partitë politike të mëdha (PD e PS) të ndërmarrin këtë hap, pra rinumërim votash, janë pothuajse zero. Por organet e drejtësisë, për fatin e milionave që u shpenzuan për një projekt të dështuar, nuk duhet të heshtin.