Kryetari që e mori PD-në pa garë, po kërkon pa “garë” edhe kreun e koalicionit opozitar!

504
Përparim HALILI
Partia aleate e Nard Ndokës, pasi u dorëzua pa kushte tek pozita, ka vendosur si kusht komandimin e opozitarizmit 
Nëse 5 kushtet, që PD vendosi ndaj LSI, për opozitarizëm me në krye PD, janë tregues që PD e ka humbur “mendjen” prej humbjes së rëndë të 25 qershorit, le t’i “flasë mendjes”, t’i shtrëngoj “rripat” kryetarit të partisë, për të rrëfyer dhe prishur pazarin e mesnatës së 18 majit me Ramën dhe t’i futet luftës opozitare realisht e jo me kushte. Nëse PD e ka këtë lajthitje nga vapa e gushtit, le të shkoj të freskoj kokën, siç po bënë prej 10 ditësh kryetari i partisë në plazhet luksoze të Europës e pasi të ftillohet, të kërkoj nga partitë opozitare ato që duhen dhe jo ato që do, apo që e kanë porositur ata që freskojnë dhe fërkojnë “hallatet” në pishina e plazhe në Holandë dhe Himarë! Kushtet e PD për koalicion opozitar, tregojnë se kreu i PD, apo “pulti” që e komandon, paska një dominim psikike që çdo gjë t’a komandoj PD-ja, që çdo “çelës” t’ia japin në tavolinë e jo ta marrë me përballje! Mirë brenda llojit, që mund të marrë çfarë të dojë sepse e ka gjetur personin që ia garanton, por jashtë PD-së gjërat merren më zotësi, me aftësi, me prova, me kontribute! PD vendos kusht që të komandoj opozitën, për të pranuar propozimin e LSI për bashkim opozitar! Është absurde, që kryetari i cili e mori pa garë PD-në, po kërkon të marrë pa “garë” edhe kreun e koalicionit opozitar! Luli i PD së “vocër”, kujton se ka përballë Selamin e gjorë që e talli me kandidim komik, Jeminin të cilit i dha si “post” kreun e komisionit të vjedhjes së lirë të votave në PD, apo kryetarët e degëve dhe deputetët e “klonuar” të PD, të cilëve u thotë: “Unë në krye, ju në rresht pas meje!

Në fakt ka përballë LSI, një parti politike e cila nuk ka anëtar vetëm kryetarin si aleatët e 3 “parti-askaridëve” që u fali mandatet me votat e demokratëve. Ka përballë një parti të konsoliduar, që ka staturën dhe strukturat e saj të kompletuara e nuk mund të jetë “kukull e shtuar” në dekorin e koalicioneve fiktive që PD krijon prej 25 vitesh me “mbetje”. Në fakt, PD është mësuar në këto 25 vite, që sa herë bie në opozitë, të jetë përherë “lokomotivë” e koalicioneve opozitare me “vagonë mallrash” (partiçka) që i ngjiten prapa në prag zgjedhjesh! Nuk mund të vendoset si kusht, kryesimi në një formacion partish opozitare! Në formacione të tillë ka vetëm aksione të përbashkëta, secili në profilin e tij! Nuk mund, që një parti t’i kërkoj bërjen e “katarsisit” brenda vetes, një partie tjetër! Dhe kjo tingëllon skandaloze, kur këtë kusht e vendos kryetari i PD, i cili me pazaret e tij të pista me kundërshtarin, la PD në opozitë duke ia pakësuar “ushtarët”! Eshtë çmenduri dhe komikllëk, që PD i vendos kushte për aleancë opozitare, LSI-së e cila e ka nisur realisht aksionin opozitar, qysh 4 muaj para se PD-ja të bënte pazarin me “Rilindjen”. Si është e mundur, që një parti e cila pakësoi me shumicë votat dhe mandatet në zgjedhjet e 25 qershorit, i vendos kushte një partie e cila i shtoi mandatet dhe votat në të 3 palë zgjedhjet e fundit! 

PD po bën mirë, që lyp fuqi opozitare, jo thjeshtë se nuk ka moral për të bërë opozitë, por sepse nuk besohet më as si pozitë edhe as si opozitë, qoftë edhe sikur t’i shënohet emri në krye të listës së partive në këtë aleanca partiake! Si është mundur, që PD i bënë thirrje LSI “për reflektim dhe analizë të bashkëqeverisjes me PS”, kur prej 3 muajsh ka futur vetë “feçkën” dhe po “ha” 40% të “tepsisë” së pushtetit të PS! Si është e mundur, që një parti si PD e cila nuk ka bërë asnjëherë “kataris” por vetëm “gjueti shtrigash” brenda vetes (siç bëri edhe para zgjedhjeve të 25 qershorit kundër ajkës intelektuale të PD), del e kërkon “katarsis” në një parti e cila nuk ka pasur dhe nuk ka as ministra e politikanë piramidash, as ministra Gërdeci, as ministra, deputetë e politikanë djegës gazetash, rrahës, burgosës e paralizues gazetarësh, as ministra dhe politikanë votash “model-96”, as ministra shitës deti, as ministra, deputetë e politikanë dosjesh serbe kundër luftëtarëve të UÇK, as ministra koncesionesh dhe as ministra, deputetë e politikanë ‘97-te! Në vend të bëj analizë për qeverisjet dhe humbjet e veta, kërkon analizë prej LSI e cila e ka sjell dhe e ka mbajtur në pushtet të pamerituar edhe në ditët më të zeza të aktive qeverisëse të ministrave e politikanëve të PD dhe familjarëve të tyre abuzatorë me pushtetin, duke marrë edhe kosto të mëdha politike! Si është mundur, që PD i kërkon LSI “transparencë”, kur vjen nga një pazar ende të pa publikuar, bërë me partinë të cilës gjoja i “hakërrehet” me lëvizje opozitare prej “striptisti”! Si është mundur, që PD flet për pazare, kur në këto 27 vite ka bërë një seri pazaresh të “ndotura” me PS, nisur që me ligjin 7501 të hajdutërisë së tokave, për piramidat, për ngjarjet e vitit 1997, për pronat, për shitje-vjedhjet e pasurive kombëtare, për heshtjen ndaj Gërdecit, për heshtjen ndaj 21 janarit, për heshtjen ndaj koncesioneve, për mbylljen e dosjeve të korrupsionit reciprok dhe vazhdimin e koncesioneve, për pazarin e miratimit të ligjit të importit të plehrave, për kodit zgjedhor nëpërmjet pazarit për ndryshimin e Kushtetutës më 2008 e deri në pazarin e bërë më 18 maj 2017, që e katandisi PD me 43 deputetë dhe me 250 mijë vota më pak më 25 qershor 2017! Por, kushtet ndaj LSI, nuk janë çudi kur vendosen nga partia aleate e Nard Ndokës e cila, pasi u dorëzua pa kushte tek pozita, pasi dështoi keqas me opozitarizmin e saj fals e apatik në 3 palë zgjedhje dhe në 1 palë zgjedhje të pjesshme për bashkinë e Dibrës, del e vendos kusht për të drejtuar frontin opozitar!
Sigal